Mine Guri, nga torno në Presidencë

793
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Vladimir Duraj

Në ‘71-shin, Qyteti Stalin kishte në krye të Komitetit të Partisë një grua, Mine Gurin. Minja e nisi si tornitore dhe përfundoi  25 vite më vonë si n/kryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ekuivalente  e zv/presidentit të republikës. Mes këtij segmenti dhe kësaj hapësire kohore, Mine Guri ka qenë sekretare e parë për 5 dhe 6 vite, respektivisht në Qytetin Stalin dhe Berat, pas të cilit, në 1982 shkoi n/kryetare presidiumi në Tiranë. Arsimimi i Mines njeh dy etapa, Teknikumin e Naftës në Qytetin Stalin dhe Shkollën e Lartë të Partisë ”V.I.Lenin”. Në periudhën e Mines sekretare e parë në qytetin Stalin, unë isha në Politeknikum, por, edhe pse kështu, kisha arritur ta njihja portretin e saj si drejtuese e punës dhe jetës në vend dhe kjo njohje rezultonte tejet pozitive për të. E megjithatë, pata një rast sinjifikativ ku pashë e ‘preka’ me sytë dhe mendjen time portretin e Mines. Edhe nëse nuk do të ishte rasti i mëposhtëm, përsëri unë kisha aftësinë për të perceptuar se ngjitja në pozitën e sekretarit të parë të një tornitoreje të thjeshtë, kishte vetëm një justifikim, qenien vlerë shoqërore me karakter të fortë dhe shpirt fisnik. Ja dhe rasti sinjifikativ që më njohu me Minen: Ishte ‘73-‘74-a. Isha në vit të dytë në politeknikum. Në njërën prej ardhjeve të mia jo të shpeshta në shtëpi, gjej tim vëlla të shtruar në spital. Pediatri i asaj kohe ishte tepër i aftë në zanat, por edhe po kaq “harbut”. Siç duket gjykonte se aftësia profesionale do t’i mbulonte sjelljen e ashpër dhe ofenduese ndaj nënave që luteshin për të hyrë e parë fëmijën e shtruar. Një sjellje të tillë e provova edhe unë, kur pasi ju luta të më lejonte të hyja e të shihja vëllanë tim të vogël, mora një përgjigje negative dhe të pa etikë nga ana e tij.

-“ Ti mund të jesh mjek i zoti, por kjo sjellje ta zhvleftëson këtë zotësi dhe mos kujto se je zoti e mund të besh si të do qejfi, ka kush të sjell në islla ty” – i them. Largohem nga spitali gjithë inat dhe i vendosur që ta bëja prezent këtë fakt tek ata që ishin mbi këtë doktor. Dhe mbi të, ishte vetëm sekretari i parë i Q.Stalin. Pushtetarët e tjerë bënin një sy qorr për sjelljet e vrazhda të doktorit, siç duket vlerësonin më shumë faktin që ai ishte i aftë profesionalisht. Sekretare e parë në atë kohë ishte Mine Guri, e ardhur në këtë detyrë të lartë nga punëtoria. Minja banonte në një shtëpi përdhese italiane ngjitur me rrugën që të çonte në spital, kështu që 5 minuta pasi u largova nga spitali, ndodhesha para portës së saj. Trokas dhe pas pak çastesh para meje shfaqet Kadriu, burri babaxhan dhe gojë ëmbël i Mines.
– Urdhëro brenda – më thotë Kadriu pa më njohur se cili isha.
– Shoqen Mine doja pak, kam diçka për t’i thënë – i them Kadriut jo pa emocion.
– Mirë, mirë, po shoqen Mine nuk e do për ta parë ti, e do për të llafosur e qarë hallin dhe kjo nuk bëhet këtu tek porta, ndaj hajde brenda dhe llafos shtruar – më thotë Kadriu dhe më tërheq brenda portës.
Hyj brenda dhe shikoj një tjetër Mine, atë të njëjtën me time më dhe gratë e tjera në shtëpitë e tyre. Tepër e thjeshtë dhe miqësore më kërkoi të dinte së përse isha munduar. Pasi i bëj prezent përse isha detyruar të shkoj tek ajo dhe pasi më dëgjoi me vëmendje, më thotë:
– Kristua (kështu quhej pediatri) kujton se detyrë e tij është vetëm të kujdeset e shërojë fëmijët e sëmurë, ndërkohë që detyrë e tij është edhe bërja e kësaj pune me dëshirë, me zemër e me sjellje të mirë, me respekt e vlerësim për njerëzit, shumë mirë ke bërë që i ke kujtuar se nuk është zot i kësaj pune dhe po ashtu, shumë mirë bëre që erdhe tek unë. Tani këtë do ta ndjek unë e të kesh besim se do të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. E falenderova dhe pasi konsumova dhe qirasjen e zakonshme kur na vijnë miq në shtëpi, largohem me përshtypjet më të mira për sjelljen e SHTETARES. Të nesërmen Kristo kishte vajtur tek im at në berberhane dhe i kishte treguar ç’i kishte punuar Minja. |
– Më thirri në zyrë dhe më bëri qepaze, më tha të vija e t’u kërkoja falje dhe unë këtë po bëj – i kishte thënë tim eti.
Kur erdha herën tjetër në shtëpi pyes time më se si ishte sjellë Kristo me të pas asaj dite.
– E, jo vetëm me mua, me të gjitha gratë sillej krejt ndryshe, ç’e ka gjetur këtë kështu – llafosnin gratë me njëra-tjetrën dhe unë krenohesha se shkaku ishte im bir – më tregoi ime më.
Ndërsa dëgjoja time më, mendja më shkoi tek premtimi i Mines për të gjetur “zgjidhjen më të mirë të mundshme”, dhe më e mira e mundshme qe që pediatri me emër në rang vendi, pediatri që me punën e tij, arriti të ulte vdekshmërinë foshnjore në minimume historike, të bëhej edhe më i mirë dhe këtë Minja e arriti. Kuçovarët e atyre viteve njohin mirë kohën dhe Minen. Ata me siguri që do të vlerësojnë tornitoren, që arriti në Presidencë.