Kryebashkiaku Erion Veliaj takon homologun  grek në Athinë, Bakoyannis

249
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

 Finalizojmë projektet për ngritjen e Qendrës kulturore shqiptare dhe agjendën e përbashkët për Kryeqytetin e Rinisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u prit në Athinë nga kryetari i Bashkisë së Athinës, Kosta Bakoyannis. Dy homologët shprehën bindjen se, e ardhmja u përket të rinjve dhe dakordësuan të punojnë në projekte të përbashkëta. “Jam shumë i lumtur që kemi vendosur një raport mes qyteteve, ku po planifikojmë për vitin që vjen, gjatë të cilit Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Kemi përkushtimin që të rinjtë e Shqipërisë dhe Greqisë, e dy kombeve fqinje, që kanë ndarë një histori shumë të gjatë të marrëdhënieve në Ballkan, të lidhen me njëri-tjetrin. Sa më shumë të lidhen të rinjtë, aq më shumë avancojnë projektet tona të përbashkëta”, tha Veliaj. Një vëmendje të posaçme në këtë takim, morën edhe çështjet që shqetësojnë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe programet integruese të tyre në jetën e përditshme greke. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi shkallën e lartë të integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe theksoi se bashkë me kryetarin Bakoyannis po punohet për të mundësuar edhe ngritjen e qendrës kulturore shqiptare në Athinë. “Duam shumë që, ashtu siç ecëm në Tiranë me Parkun Helen, ashtu të vazhdojmë këtu, me një qendër shqiptare të kulturës, për t’u siguruar që, raportet i kemi konkrete. Besoj fort se nëse i trajtojmë me dinjitet qytetarët, si në Tiranë, si në Athinë, atëherë e kemi kthyer realisht në një vëllazëri të vërtetë raportin mes qyteteve tona. Për të gjithë bashkatdhetarët, ne do të kthehemi prapë në vjeshtë me një delegacion pak më të madh, për të finalizuar këto projekte, si qendrën e kulturës shqiptare, po ashtu edhe Kryeqytetin e Rinisë; ku do të kemi një agjendë të përbashkët mes dy qyteteve tona”, nënvizoi Veliaj. Në fund të takimit, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i dorëzoi kryebashkiakut Bakoyannis, “Kullën e Sahatit” të Tiranës, ndërsa homologu i tij, i dhuroi një kravatë me simbolin e Athinës.