Pse nuk rriten rrogat në 10 vitet e fundit

384
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Blerina Hoxha

Në dekadën e fundit, rritja ekonomike ka qenë më e fortë se sa rritja e pagave. Gjatë periudhës 2010-2018, produktiviteti në ekonomi u rrit me 7%, ndërsa paga reale mesatare u rrit me vetëm 3%. Pothuajse të gjithë sektorët i kanë rritur fitimet, por kanë hezituar t’i ndajnë në mënyrë të drejtë me punonjësit. Shqipëria ishte ndër të paktat vende në Evropë dhe në Azinë Qendrore që, në dekadën e fundit, e rriti produktivitetin më shumë se pagat, ndërsa në vende të tjera në zhvillim, ndodhi e kundërta. Por vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale me 15%, në kulmin e krizës ekonomike, në vend që të jetë një shpërblim i drejtë për punonjësit, e rrezikon më tej rimëkëmbjen e bizneseve dhe rritjen e punësimit, sidomos në rrethe. Sugjerimet e ekspertëve për pagën e dinjitetit. Në kulmin e një krize të paprecedentë ekonomike dhe shëndetësore, qeveria vendosi të aplikojë rritjen më të madhe të pagave në 12 vitet e fundit si në shtet, ashtu edhe në sektorin privat. Rritja e menjëhershme me 15% e pagës minimale, e cila shënoi nivelin e 30 mijë lekëve në janar të këtij viti, deri më tani, ka pasur efekte nul, për shkak të vështirësive që po kalon tregu i punës. Vitin e kaluar, ekonomia ra me 3,3% dhe numri mesatar i personave që humbën punën në sektorin privat jo bujqësor ishte më shumë se 22 mijë. Produktiviteti në ekonomi ka rënë në mënyrë drastike, duke e bërë joefektive rritjen e pagave, sidomos në sektorin privat. Ekspertët e njohur të ekonomisë, Selami Xhepa dhe Ardian Civici, pohojnë se në dekadën e fundit, shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave është thelluar dhe se ekonomia dhe produktiviteti janë rritur më shumë se pagat. Ato kanë përllogaritur se në periudhën 2010-2018, produktiviteti në ekonomi u rrit mesatarisht me 7%, ndërsa paga mesatare reale mesatare u rrit me vetëm 3%. Ecuria tregon se bizneset i kanë rritur fitimet e tyre, por nuk i kanë shpërndarë një pjesë të tyre me punonjësit. Një studim i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) raportoi se Shqipëria dhe 7 vende të tjera të Evropës dhe Azisë Qendrore i kishin rritur pagat me ritme më të ulëta se produktiviteti në ekonomi.

Një dekadë, pagat në vendnumëro

Rritja e pagave ishte anemike në dekadën e fundit, në fakt që pas krizës së vitit 2008. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin privat arriti në 47 mijë e 532 lekë në fund të vitit 2019, me një rritje 13.2%. Por duket se rritja në vlerë, në realitet është konsumuar nga inflacioni. Në të njëjtën periudhë, niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit me 12.1%, duke bërë që paga reale mesatare në sektorin privat të rritej me vetëm në 1%. Në periudhën 2014-2020, paga minimale në sektorin privat u rrit me 18% në vlerë, por duke shuar efektet e inflacionit, rritja reale e pagës minimale ishte vetëm 6%. Gjatë këtij viti, qeveria vendosi të rrisë me 4 mijë lekë pagën minimalë, duke e çuar atë në nivelin e 30 mijë lekëve, ose 15%. Kjo ishte rritja më e madhe në përqindje që nga viti 2008, kur qeveria e asaj kohe aplikoi rritje me 21%. Në të njëjtën periudhë, paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit me 19.5% në vlerë, duke hequr ndikimin e inflacionit, paga reale në sektorin shtetëror u rrit me 7.4%. Rritja ishte me ritme më të larta se në sektorin privat. Për pasojë, paga mesatare në sektorin shtetëror ishte 24% më e lartë se në sektorin privat në vitin 2019. Në realitet, diferenca është më e ulët, pasi në sektorin privat ka ende informalitet të lartë në deklarimin e plotë të pagës dhe në shumë sektorë, pagesa me “zarf” në dorë vijon të aplikohet masivisht. Në fillim të këtij viti, qeveria aplikoi një rritje jo të zakontë të pagave në sektorin shtetëror dhe pagën minimale në privat edhe pse, zhvillimet në ekonomi dhe të ardhurat buxhetore nuk e mbështesin këtë rritje. Paga minimale më 1 janar 2021 u rrit me 15%, ndërsa pagat në sektorin e mjekësisë u rritën deri në 40% dhe në arsim, deri në 15%. Edhe pse Shqipëria ofron pagat më të ulëta për administratën publike në raport me vendet e tjera të rajonit, nuk ka hapësira fiskale për rritje të mëtejshme, për shkak të kapaciteteve të dobëta të arkëtimeve buxhetore (10% të PBB) më pak se mesatarja rajonale.

Në dekadën e fundit, fitimet në ekonomi u rritën më shumë se pagat

Në dekadën e fundit, shumica e sektorëve në ekonomi i kanë rritur fitimet me ritme shumë më të larta se sa pagat. Gjatë periudhës 2010-2018, në rafinerinë e naftës, industrinë plastike dhe kimike, produktiviteti u rrit me 36%, ndërsa paga mesatare reale për të njëjtën periudhë u rrit me vetëm 2%, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT (produktiviteti në këtë rast është përcaktuar si raport i vlerës së shtuar që prodhon sektori me numrin e punëtorëve të atij sektori). Diferenca mes rritjes së pagave dhe produktivitetit në këtë sektor është 34 pikë përqindje. Aktivitetet e publikimeve dhe prodhimi i programeve panë rritje të produktivitetit me 33%, por paga reale mesatare në këtë sektor u rrit me vetëm 3% gjatë periudhës 2010-2018. Në sektorin e hotelerisë, të ardhurat janë rritur me ritme më të larta se pagat. Produktiviteti në këtë sektor u rrit me 22%, ndërsa pagat reale vetëm me 5%. Gjithashtu, produktiviteti u rrit me ritme më të larta se pagat në sektorët e furnizimit me ujë (16%), prodhimit të energjisë elektrike dhe gazit (12%), tregtia dhe riparimi i automjeteve (12%), shërbimet profesionale 11%, industria nxjerrëse (9%), aktivitetet e pasurive të paluajtshme (9%). Edhe në sektorin e fasonit, në të cilin pagat zënë një pjesë të konsiderueshme të kostove, produktiviteti është rritur 8% më shumë se pagat në këtë sektor gjatë periudhës 2010-2018. Në dekadën e dytë të tranzicionit 2000-2010, pagat janë rritur me ritme më të larta se produktiviteti. Ekspertët Xhepa dhe Civici, në një shqyrtim që i kanë bërë ecurisë së prodhimit në ekonomi dhe rritjes së pagave, arrijnë në përfundimin se në shumë sektorë të ekonomisë, mundësitë për një rritje më të fortë të pagave, të bazuar thjesht mbi rritjen e produktivitetit, janë plotësisht të motivuara. Sipas tyre, fakti që produktiviteti ka pasur një rritje dukshëm më të lartë, do të thotë se përfitimet e ekonomisë nga rritja e produktivitetit kanë shkuar në favor të të ardhurave mbi kapitalin. Sipas tyre, mosshpërndarja e të ardhurave me punonjësit rrit pabarazitë sociale dhe mund të jetë kërcënim për stabilitetin social. Një anketë që profesorët bënë me konsumatorët zbuluan se vetëm 2.5% e popullsisë besojnë se sistemi po funksionon mirë në aspektin e shpërndarjes së të ardhurës kombëtare. Pothuajse gjysma e popullsisë (45%) e besojnë parimin e individualizmit dhe faktin se shoqëria funksionon më mirë kur individi mendon fillimisht për veten. Por kur kjo nuk funksionon në bazë të meritës, përbën rrezik. Pyetjes nëse të pasurit e kanë krijuar pasurinë me meritë, vetëm 8.8% i janë përgjigjur pozitivisht, më pak se 1 ndër 10 persona.

25.6% e punonjësve paguhen më pak se paga minimale

Struktura e të punësuarve me pagë zyrtare tregon se një pjesë e madhe e tyre punon me paga më të ulëta se paga minimale zyrtare. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që pagunin sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në pagën minimale, 26 mijë lekë, ndërsa 12% e totalit të të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë. Pjesa tjetër e të punësuarve, rreth 52% e totalit, paguhen me paga mbi 30 mijë lekë në muaj. Të dhënat mbi pagat tregojnë modelin në të cilin po zhvillohet ekonomia shqiptare, ku gati 38% e të punësuarve marrin nivelin më të ulët të pagës, më pak se 30 mijë lekë në muaj. Shqipëria ka informalitet të lartë në tregun e punës. Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, përllogariti se punësimi informal në Shqipëri është gati 60% e atyre që raportohen në punë. Mbulimi i ulët me kontribute i popullsisë në moshë pune në Shqipëri ka qenë historikisht i ulët. Sipas të dhënave të ILO-s, në vitin 2019, vetëm 44.5% e popullsisë në grupmoshën 20-64 vjeç paguan sigurime shoqërore. Pjesa tjetër prej 55% e kësaj grupmoshe punon në të zezë, në punë të nëndeklaruar, ose nuk aktivizohet në tregun e punës. Punonjësit në sektorin publik (rreth 170 mijë në vitin 2019) janë 100% kontribuues në sistemin e sigurimeve shoqërore, por vetëm 42% e të vetëpunësuarve paguajnë sigurime. Anëtarët e familjes që punojnë në bizneset familjare janë të përjashtuar tërësisht nga pagesa e kontributeve, edhe pse marrin të ardhura. ILO vëren se pjesëmarrja në forcën e punës e të rinjve të moshës 15-24 vjeç është më pak se 40%, pasi një pjesë janë duke ndjekur arsimin, duke u marrë me punë dhe përgjegjësi në shtëpi, ose të dekurajuar për të kërkuar një punë. Një anketë e Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të familjeve në rreth 1200 familje, ka gjetur se në gjysmën e parë të vitit 2020, rreth 22% e familjeve të anketuara kishin shpenzuar deri në 20 mijë lekë në muaj, për shkak se, edhe të ardhurat i kishin në këto nivele. Familjet e anketuara përfshijnë edhe pensionistë edhe të punësuar.