Arrestohet polici në Durrës, i dehur dyshohet se aksidentoi një person dhe u largua

219
Sigal

Një oficer i patrullës së përgjithshme në Durrës, P. P., 52 vjeç është arrestuar nga SHÇBA pasi akuzohet se ka aksidentuar një person dy ditë më parë.

Në njoftimin për media thuhet se mbrëmjen e 6 qershorit ai ka aksidentuar një 33-vjeçar i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Nga hetimet ka rezultuar se oficeri 52-vjeçar ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes dhe pasi ka kryer aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës-Kavajë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, referoi materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të policisë, i arrestuar në flagrancë, Inspektor P. P., 52 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”;

“Drejtim i mjetit motorik në mënyrë të pa rregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor P.P. u krye pasi më datë 06.06.2021, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 18, rruga “Sulejman Pitarka”, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar rëndë një shtetas 33-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se punonjësi i policisë P. P. ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe pasi ka kryer aksidentin është larguar nga vendngjarja.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.