/Gazeta TELEGRAF
Barazimi me gola 1-1 në ndeshjen e shumëpritur Partizani-Laçi mbylli javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Një barazim ky, që nuk kënaq asnjë prej të dyja skuadrave . Pas kësaj jave duket se gara për titullin kampion është bërë më e bukur pas humbjes së kryesuesve të Vllaznisë përballë Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi”. Humbja e katërt, kjo për shkodranët , që rikthet në rezultat negativ pas tre javëve kampionat, ku në Shkodër më 5 Shkurt 2021, skuadra e Laçit fitonte me rezulatin 1-2.
Kësisoj rikthet humbja në kampin e shkodranëve, por nuk është shfrytëzuar maksimalisht nga rivalët e Partizanit, Laçit dhe Teutës, të cilët u mjaftuan me barazime këtë javë. Me barazimin 1-1 ndaj Laçit, ekipi i Partizanit shkon në kuotën e 38 pikëve, 3 më pak se Vllaznia kryesuese. Teuta dhe Laçi vijnë më pas me pikë të barabarta nga 37 secila. Durrsakët nuk ia dolën të fitonin me Kukësin pas atij barazimi 2-2 në fushën e tyre, duke shpërdoruar një mundësi të mirë për t’iu afruar Vllaznisë. Kukësi renditet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa ndiqen nga kampionët në fuqi të Tiranës me një pikë më pak, pra 29 pikë. Edhe pse barazoi pa gola me Apoloninë, Kastrioti qëndron komod në vendin e shtatë me 25 pikë, 7 më shumë se Bylisi në vendin e tetë, që për shumë javë ka prekur zonën “play-out”. Ballshiotët janë rikthyer tek fjala fitore në dy javët e fundit duke grumbulluar 6 pikë me aq shumë vlerë. Gjithsesi skuadra e Bylisit e sheh veten jashtë zonës së rënies nga Kategoria Superiore. Ndërkohë Apolonia dhe Skënderbeu mbyllin klasifikimin e Superiores në vendet 9-të dhe 10-të, respektivisht me 14 dhe 13 pikë. Përtej këtij komenti të kësaj jave të Superiores që është e 21-të në numërin rendor të 36 javëve kampionat, kanë filluar që tani të bëjnë llogaritë e tyre. Dhe llogari kanë filluar të bëjnë të gjithë ata që kërkojnë vendin e parë , të tjerë që synonjë zonën evropiane , por dhe ata që kërkojnë mbijetesën. Kjo i jep bukuri garës , që edhe pse ka një vit që i mungojnë tifozët, përsëri mbetet e bukur dhe tërheqëse.
Këto detaje i konstaton dhe në rezultatet e kësaj jave dhe klasifikimi që janë si më poshtë:
Kategoria Superiore – Java 21
Teuta 2 – 2 Kukësi
(Bregu 35′, 72’/ Eze 70′, Tsintsadze 86′)
Partizani 1 – 1 Laçi
(Çinari 45`/ Harmon 64`)
Vllaznia 1 – 2 Tirana
(Dilaver 3`(11m)/ Batha 5`,Kale 51`)
Bylis 1 – 0 Skënderbeu
(Bej Anthony 56`)
Kastrioti 0 – 0 Apollonia
KLASIFIKIMI KATEGORIA SUPERIORE
1. Vllaznia 21 41 pikë
2. Partizani 21 38 pikë
3. Teuta 21 37 pikë
4. Laçi 21 37 pike
5. Kukësi 21 30 pikë
6. Tirana 21 29 pikë
7. Kastrioti 21 25 pikë
8. Bylisi 21 18 pikë
9. Apollonia 21 14 pikë
10. Skënderbeu 21 13 pikë
Gola, raste, penallti dhe spektakël, por që mungon fituesi. Kjo është ajo çka prodhoi ndeshja mes Teutës dhe Kukësit, e cila u mbyll në një barazim spektakolar 2-2. Durrsakët humbasin kështu mundësinë për t’u afruar me kreun e renditjes, që mbahet nga Vllaznia. Vendasit dominuan gjithë pjesën e parë, teksa arritën të shënojnë edhe golin e avantazhit, me Dejvi Bregun, që një penallti të fituar vetë e ktheu në gol në minutën e 35’. Pjesa e dytë ishte dhe më e bukur, ku u realizuan 3 gola. Goli i parë vjen nga skuadra e Kukësit, që barazoi shifrat në minutën e 70’ me Eze nga penalltia. Dhe ky barazim zgjati vetëm 2 minuta, pasi Bregu realizoi një “gol manual” në minutën e 72’ duke kaluar përsëri durrsakët në avantazh. Gjithsesi skuadra e Josës nuk u dorëzua dhe në minutën e 86’ barazon shifrat me Tsintsadze. Teuta ndalet kështu pas 3 fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Kukësi merr një pikë, pas humbjes me Partizanin. Teuta shkon kështu në kuotën e 37 pikëve, një pikë më pak se Partizani dhe 4 pikë më pak se Vllaznia, ndërsa Kukësi ngjitet në kuotën e 30 pikëve në vendin e pestë. Është mbyllur pa fitues 1-1, supersfida mes Partizanit dhe Laçit e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Një rezultat ky që nuk i kënaq të dyja ekipet pas hapit fals të Vllaznisë ndaj Tiranës, sepse një fitore do thoshte ngjitje e kërkuar ndaj kryesuesve të klasifikimit. Partizani ka kaluar i pari në avantazh në fundin e pjesës së parë, falë golit të Çinarit në minutën 45’. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Partizanit, ndërkohë që në pjesën e dytë të ndeshjes, Laçi gjeti barazimin me sulmuesin Harmon. Pavarësisht tentativave, të të dyja skuadrave rezultati final mbeti në shifrat 1-1. Me këtë barazim, Partizani e ngushtoi diferencën në 3 pikë nga Vllaznia kryesuese, ndërkohë që Laçi ka 1 pikë më pak se partizanasit e Dajës.
Tirana ka rrëmbyer tre pikë në stadiumin “Loro Borici”, duke fituar me përmbysje 1-2, ndaj Vllaznisë në një ndeshje të vlerësuar tashmë si një “klasike” e futbollit shqiptar. Shkodranët realizuan të parët me Dilaverin në minutën e 4-t, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Gëzimi i avantazhit për kuqeblutë zgjati vetëm 2 minuta, pasi Batha vendosi baraspeshën në minutën e 6-të me një gjuajtje nga goditja e dënimit. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e dytë ishte Kale, i cili i hedhur në fushë si zvendësues, përmbysi rezultatin duke i siguruar 3 pikë të arta kampionëve në fuqi të Superiores. Një shërbesë kjo edhe për Partizanin, Teutën dhe Laçin që janë ndjekësit e Vllaznisë. Për sa i përket skuadrës së Brdariç, pas kësaj humbjeje duhet thënë se Vllaznia ka humbur diçka nga distanca e krijuar me ndjekësit, por dhe nga mënyra dhe dëshira për të luajtur futbollin e bukur rezultativ. Bylis 1-0 Skënderbeu! Një ndeshje që fitues kanë nxjerr vendasit ballshiot që me 3 pikët e marra në këtë ndeshje, duket se po i largohen fundit të klasifikimit. Goli i Bej Anthony në minutën e 56` ishte gjithçka në këtë ndeshje, që konfirmoi dhe krizën që po kalon Skënderbeu. Kastrioti 0-0 Apollonia ! Në pamje të parë duket se rezultati i ka kënaqur të dyja skuadrat, kur në fakt vetë ndeshja ka pasur një kronikë me raste të shumta nga të dyja skuadrat.
Por ajo çka thamë më sipër dhe që e zgjodhëm dhe si titull të këtij shkrimi do të duket më qartë, më me shumë rivalitet dhe shpirt gare dhe në ndeshjet e javës të 22-të që do të luhen ditën e mërkurë , më 3 Mars 2021 sipas këtij kalendari :
Tirana – Bylis ora 13:00
Apollonia – Partizani ora 13:00
Skënderbeu – Kastrioti ora 13:00
Teuta – Vllaznia ora 16:00
Kukësi – Laçi ora 16:00