Tirana – Vllaznia, derbi i “heshtur” i Shqipërisë

490
Sigal

Dita e sotme në futbollin shqiptar i përket jo vetëm ndeshjeve të forta këtij sezoni, por edhe ndeshjeve që bënë historinë në futbollin shqiptar, siç është edhe ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë, dy skuadra që kanë luftuar gjithmonë për titull dhe kanë sjellë në kampionat gjithmonë vetëm sfida historike. Në fakt, këtë vit, duket se këto skuadra nuk janë në të njëjtin nivel, pasi Tirana është në krye dhe lufton për titull ndërsa Vllaznia vazhdon të mos shqitet nga humbjet rresht që ka pësuar. Ashtu siç dihet nga të gjithë kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, për shkak të vendimit që mori Komisioni i Disiplinës pranë FSHF në lidhje me dhunën që përfshiu tifozeritë e këtyre dy skuadrave në “Loro Boriçi” me 11.09.2014, situatë kjo që nuk favorizon asnjërën nga skuadrat. Kjo ndeshje është një shans i fundit për Vllazninë, që kanë 5 ndeshje që nuk e njohin fitoren në Kampionat dhe në rast se nuk ja dalin të marrin një rezultat pozitiv as këtu, situata do të bëhet edhe më e koklavitur, si për Vllazninë që shkon gjithmonë e më poshtë në renditje, ashtu edhe për trajnerin Raineri që mori një ultimatum nga drejtuesit që tu kthehej rezultateve pozitive brenda dy ndeshjeve. Një pikë kthese për kuqeblutë ishte fitorja në Kupë ndaj Kastriotit por që nuk merr të njëjtën vlerë pasi kampionati ka një tjetër nivel. Tirana nga ana tjetër kërkon të shkojë tek fitorja me doemos, pasi lënia e pikëve në këtë ndeshje do të ishte fatale për synimet që kanë për kreun e renditjes. Në ditën e sotme luhet edhe një ndeshje e tretë, Teuta – Elbasani, që në fakt hap siparin e javës pasi nis në orën 14:00. Ky takim flet, që pa filluar mirë, në favor të durrsakëve që po kalojnë një formë shumë të mirë aktualisht në kampionat, ku vijnë direkt pas fitores ndaj Vllaznisë në Shkodër, por edhe sepse përballë do të kenë një kundërshtar që nuk ka treguar asnjëherë, deri më tani, forcë në rezultate dhe se mund të jetë një kundërshtare problematike. Edhe dy ndeshjet e ditës së nesërme janë shumë të forta, me Kukësi – Laçi që luhet në ora 13:00, në një ndeshje që pritet të ketë gola pasi luajnë dy nga skuadrat me sulmin më të mirë në kampionat. Në fakt verilindorët janë shumë më në formë se kurbinasit, pasi ndeshjet e fundit kanë arritur të marrin vetëm rezultate pozitive dhe renditen në vendin e tretë, por me pikë të barabarta me Tiranën e vendit të dytë. Ndërkohë që Laçi, pas një ecurie pozitive nuk arriti ta ruante formën duke pësuar kështu disa humbje rresht si me Partizanin ashtu edhe me Skënderbeun. Takimi i fundit që mbyll këtë javë të 12-ë është mes Apolonisë dhe Flamurtarit, dy skuadra që kanë pretendime të ndryshme për këtë vit në kampionat, me fierakët që duan të qëndrojnë në Superligë dhe me vlonjatët që duan të rikthehen tek fitoret që të rivalizojnë përsëri për titull, ashtu si në fazën e parë.

Ndeshjet e ditës së sotme

Teuta 14:00 Elbasani

Tirana 17:00 Vllaznia

Skënderbeu 17:00 Partizani

Ndeshjet e ditës së nesërme

Kukësi 13:00 Laçi

Apolonia 16:00 Flamurtari

Kampionati në statistika

Mbrojtja më e mirë

Partizani (2 gola të pësuar)

Mbrojtja më e keqe

Elbasani (20 gola të pësuar)

Sulmi më i mirë

Tirana, Kukësi (14 gola të shënuar)

Sulmi më i keq

Apolonia (3 gola të shënuar)

 Ndeshja e fazës së parë mes Tiranës dhe Vllaznisë, në “Loro Boriçi” u përçua mes dhunës, ku shumë tifozë pushtuan fushën dhe u shkatërrua një pjesë e mirë e stolave të stadiumit. Vendimi që mori Komisioni i Disiplinës pranë FSHF në lidhje me këtë ngjarje ishte gjobitja e skuadrave në vlerë monetare, gjithashtu edhe dënimi i fushave, ku fusha e Tiranës u dënua me 15 ndeshje pa tifozë, ndërsa Vllaznia me 10 ndeshje pa tifozë. Vendimi që mori Komisioni u apelua, por pa arritur dot ne ndryshime për secilën palë, nga ku edhe në këtë ndeshje do të mungojë pjesa më e mirë e saj, tifozët.

Kategoria e parë/ Java e 6-ë luhet mes të mëdhave të të dy grupeve

 Sot luhen të gjitha ndeshjet e javës së 6-ë në Kategorinë e Parë, ku vihen re shumë takime që premtojnë lojë të bukur dhe shumë të luftuar. Në grupin A janë ndeshje shumë të ekuilibruara, ku dallojnë takimet mes Besës dhe Beslidhjes, me këtë të fundit që kryeson bindshëm kampionatin, së bashku me Mamurrasin që do të ndeshet ndaj Veleçikut të vendit të 4-t. Deri më tani, këto dy skuadra akoma nuk e kanë provuar humbjen në kampionat, duke grumbulluar secila nga 4 fitore dhe një barazim. Kjo ecuri i bën shumë të forta për skuadrat e tjera, por që gjithsesi nuk mbetet prapa edhe Tërbuni, që vjen direkt pas tyre, në vendin e tretë, dhe që këtë javë do të ndeshet me Adën, skuadër që do ta ketë shumë të vështirë ti nxjerrë probleme pukianëve. Ndeshja më interesante e këtij grupi në fakt është Kamza – Iliria, dy skuadra që ndodhen pothuaj në të njëjtat pozita në renditje e me synimet po të njëjtat. Kamza duket më e avantazhuar pasi luan në fushën e vet, e në rast fitoreje do të barazonte Ilirinë me pikë. Në grupin B Dinamo do të ndeshet me Shkumbinin e vendit të parafundit vetëm për të arritur fitoren që do e dërgonte në koten e 12 pikëve, ndërkohë që Butrinti i vendit të parë ndeshet me Lushnjën, në një ndeshje të vështirë për të dyja, nga ku pritet që sarandiotët mund edhe të lënë pikë ndaj këtij kundërshtari që ka një nivel shumë të mirë. Sopoti, skuadra e surprizave për këtë sezon, do të ndeshet sot me Pogradecin në një ndeshje që pritet ti përmbushë pritshmëritë e një loje të bukur nga të dyja. Tomori, humbësja e madhe deri më tani, do të ndeshet me Bylisin  që ka vetëm një pikë më pak se beratasit, ndërkohë që ndeshja e fundit është ajo mes Luftëtarit dhe Naftëtarit, skuadrat e fundit të renditjes që luajnë vetëm për ti shpëtuar zonës së rrezikut.

                                 Grupi A

Besa – Besëlidhja

Mamurrasi – Veleçiku

Kastrioti – Burreli

Kamza – Iliria

Tërbuni – Ada

Grupi B

Dinamo – Shkumbini

Butrinti – Lushnja

Luftëtari – Naftëtari

Tomori – Bylis

Sopoti – Pogradeci

Sot De Biasi shpall emrat e lojtarëve për miqësoret e luksit.

 Trajneri i Kombëtares tonë, Xhani De Biazi, del sot në konferencë për shtyp në ora 11:00, në sallën e konferencave tek FSHF. Gjatë konferencës pritet që të zbulojë emrat e futbollistëve që do të marrin pjesë në dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen me 14 nëntor ndaj Francës dhe me 18 nëntor ndaj Italisë. Pritet që De Biazi të thërrasë lojtarë të rinj për këto dy ndeshje, pasi është një mënyrë shumë e mirë testimi për të sapo grumbulluarit. Ndeshja me Francën do të zhvillohet sepse ne jemi skuadra pushim e grupit I që ka 5 ekipe në përbërje, dhe secili ekip ndeshet me Francën që është direkt e kualifikuar si vendi organizator në EURO 2016. Franca në fakt e ka bërë listën me futbollistët e grumbulluar, ku nuk mungojnë emrat e mëdhenj të kësaj skuadre, si Benzema, Pogba, Varane, Loris etj., Ndërkohë që, trajneri i Italisë, Konte, është shprehur se në ndeshjen ndaj Shqipërisë do të përdorë një formacion me rezerva pasi nuk mund të hedhë në fushë të njëjtët futbollistë si në ndeshjen me Kroacinë që e luajnë me 16 nëntor ashtu edhe në ndeshjen me Shqipërinë me 18 nëntor.

Shpallen çmimet e biletave për ndeshjen ndaj Italisë

Dje FSHF në një deklaratë zyrtare për shtyp, bëri të ditur çmimet e biletave që ka vendosur Federata Italiane e Futbollit për ndeshjen që do të luhet me 18 të këtij muaji, në Xhenova, mes Italisë dhe Shqipërisë. Çmimi i biletës është 10 euro dhe do të jenë në shitje për të gjithë tifozët që nga data 10 nëntor, ora 13:00 pranë zyrave të Federatës. FSHF, ashtu si në biletat e ndeshjes ndaj Francës, ka këshilluar të gjithë të interesuarit që ti blejnë biletat pranë zyrave të Federatës për të shmangur çdo shkelje që mund të bëhet me çmimet. Tifozët që do të duan të tërheqin një biletë duhet të paraqiten me dokument identifikimi dhe të japin informacione mbi emrin, mbiemrin, ditëlindjen, gjininë dhe vendbanimin. Kujtojmë që të gjitha fitimet që do të vijnë nga biletat, do të shkojnë për qytetin e Xhenovas që u përfshi nga përmbytjet muajin e kaluar.