Rregullorja e Kuvendit, mazhoranca jep “OK”, Paloka do flasë sa Rama

511
Sigal

TIRANE – Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar ndryshimet në rregullore, duke pranuar kështu kërkesën e opozitës, dhe duke i dhënë në këtë mënyrë, kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka të njëjtën kohë bisede me kryeministrin Edi Rama.

Gjithashtu nga këto ndryshime, dhe bazuar në kërkesën e e PD, deputetët e Kuvendit do të jenë anëtarë vetëm në një Komision të Përhershëm Parlamentar.

Kështu Këshilli i Rregullores dhe Mandateve u mblodh nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Këshilli diskutoi propozimet për ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, të paraqitura nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Paloka dhe Bylykbashi, si dhe deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Propozimet e PD konsistonin në dhënien e të drejtës për të bërë komente Kryetarit të Grupit Parlamentar më të madh të opozitës menjëherë pas fjalës së Kryeministrit, si dhe që deputetët e Kuvendit të jenë anëtarë vetëm në një Komision të Përhershëm Parlamentar.

Pas diskutimeve nga anëtarët e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, ata dhanë dakordësinë për ndryshimet siç ato janë paraqitur nga propozuesit, dhe në frymën e kërkesave të propozuara më parë për këto çështje në rregullore. Në përfundim anëtarët e Këshillit u shprehën për vijimin e procedurave për miratimin e tyre në seance plenare.