Titulli kalon nga Korça, Skënderbeu – Partizani bëhen gati

452
Sigal

Sot, në Korçë zhvillohet ndeshja më e fortë e sezonit, me Skënderbeun që synon kreun dhe me Partizanin që synon të mbajë përsëri vendin e parë në renditje. Këto dy skuadra, së bashku, kanë treguar me të vërtetë një nivel të lartë loje, ku “demat” tashmë janë të dalluar për mbrojtjen e tyre të “hekurt”, por nuk rrinë larg as korçarët që në mbrojtje janë shumë mirë duke pësuar vetëm katër gola, gjithashtu edhe në sulm kanë treguar javët e fundit se janë rizgjuar, pas asaj periudhe të fazës së parë që reparti sulmues nuk funksiononte si duhet. Ky takim, në fakt nuk njeh asnjë pretendent kryesor, me të dyja skuadrat që janë në gjendje ti shkaktojnë dëm njëra – tjetrës duke parë edhe përbërjen e lojtarëve që zotërojnë secila. Partizani shkon në Korçë me titullin e kampiones së fazës së parë, ndërsa Skënderbeu e pret në shtëpi për ti rrëmbyer “kurorën” dhe gjithashtu, për t’i shënuar gol, pas plot 9 ndeshjesh që nuk pësojnë. Skuadrat vijnë direkt pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, me tiranasit që morën një fitore minimale dhe korçarët që u ndalen në një barazim pa gola. Kjo ishte një taktikë e skuadrave, ku në fushë hodhën futbollistët rezervë për të ruajtur formacionin bazë nga lodhja por edhe nga dëmtimet e mundshme. Në fakt, tek Partizani do të ketë dy mungesa të rëndësishme, portieri Alban Hoxha, (që mungon për arsye personale) dhe mesfushori Trashi që mungon për shkak kartonësh. Këto mungesa i ka cilësuar si shumë të rëndësishme edhe vetë trajneri Duro, që gjithsesi është shprehur se në Korçë shkojnë vetëm për të marrë fitore. Ndërsa Skënderbeu nuk do të përballet me asnjë mungesë të rëndësishme, pasi trajneri Josa do të ketë në gatishmëri të gjithë futbollistët. Kujtojmë që në ndeshjen që u luajt fazën e parë në Tiranë, Partizani arriti të merrte një fitore të vyer 1-0, e duket se ndeshja e kthimit vë përballë dy skuadra shumë më ndryshe se ç’ishin në fillim kampionati.

Partizani 24 pikë

11 javë
7 fitore
3 barazimi
1 humbje
10 gola të shënuar

 2 të pësuar

Skënderbeu 21 pikë

11 javë

6 fitore

3 barazime

2 humbje

12 gola të shënuar

4 gola të pësuar

 Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro

“Mungesa e portierit Alban Hoxha do të na penalizojë shumë në ndeshjen ndaj Skënderbeut, pasi portieri ynë po kalon një gjendje shumë të vështirë psikologjike dhe sigurisht ndikon edhe te skuadra edhe te stafi që i kanë ndenjur pranë gjatë këtyre ditëve, për ta kaluar këtë situatë jo të mirë. Zëvendësuesi i tij, Dashamir Xhika, është në lartësinë e duhur dhe jam shumë i bindur që do ta justifikojë praninë e tij në katërkëndëshin e portës. Rikthehem pas plot 3 vitesh në Korçë, skuadër me të cilën fituam edhe titullin kampion. Skënderbeu ka shumë vlera si skuadër dhe ka një organikë të mirë lojtarësh, ku duhet dhënë maksimumi dhe duhet vlerësuar shumë si kundërshtar. Theksoj se ky takim nuk është vendimtar për titullin, pasi kampionati është i gjatë dhe ka plot ndeshje të tjera. Në përballjet me ekipet rivale për titull, çdo rezultat është i pranueshëm, por sigurisht që ne ikim drejt Korçës për rezultat pozitiv dhe me synim tre pikët. Kam shumë besim te skuadra që po tregon një formë mjaft të mirë dhe nuk është aspak rastësi që ndodhemi në krye të renditjes.”

Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica

Për mbrojtësin e korçarëve, fitues i vetëm i superiores në fund të këtij sezoni do të jetë vetëm Skënderbeu, pasi kanë kontingjentin më të mirë në çdo repart. Sipas Jashanicës, “Partizani ndodhet në mënyrë rastësore në krye të kampionatit” dhe nuk ka ngurruar të bëjë një deklaratë edhe për mbrojtjen e mirë të Partizanit që kanë 9 ndeshje pa pësuar gol duke thënë se “do të pësojnë në ndeshjen ndaj nesh pasi kemi një sulm shumë më të mirë”. I pyetur gjatë konferencës për shtyp, Jashanica tha se, nuk e shikon Partizanin që të luftojë deri në fund të kampionatit pasi i mungon forca për ta bërë një gjë të tillë, duke përmendur vetëm Tiranën dhe Kukësin të afta që ti ndjekin, por që gjithsesi, u shpreh ai, titulli do të mbetet në Korçë.

 Alban Hoxha, mungesa e madhe e Partizanit

Kur pritej që portieri Hoxha të ishte prezent në fushë ditën e sotme që të vazhdonte ecurinë pozitive pa pësuar gol, në fakt një gjë  e tillë nuk ka ndodhur. Kjo erdhi e konfirmuar dje pasdite, nga vetë klubi Partizani që në një komunikatë për shtyp, deklaroi se portieri Hoxha nuk do të jetë i grumbulluar me skuadrën për shkak të problemeve familjare që ai ka. Më tej në komunikatë thuhet se bashkëshortja e Hoxhës nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pasi solli në jetë djalin e tyre.  Klubi kërkon që të gjithë ta mbështesin Hoxhën dhe familjen e tij në këtë kohë shumë të vështirë për ta.

Sot luhet edhe ndeshja tjetër e ditës së sotme, mes Teutës dhe Elbasanit.