Rrëfimet e Qemal Lames/ Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme tregon debatet me Ramiz Alinë, Hekuran Isain, Zylyftar Ramizin dhe funksionarët e PPSH-së. Ja të pathënat për Sigurimin e Shtetit

791
Sigal

 

-Situatë e vështirë, Zylyftari dhe Çapajevi  theksuan  se pushtetit duhej mbajtur me çdo kusht

– Hekuran Isai: Akuzat ndaj protestuesve të jenë të rrepta, të gjendet ligji siç thotë shoku Ramiz

– Sigurimi i Shtetit dhe policia pa të drejtë,  të pyesnin persona të ndaluar në dhomat e izolimit

– Sigurimi i Shtetit në vështirësi, pasi bashkëpunëtorët iu shmangen kërkesave për takime

Edhe në këtë çështje, po vërtetohej e njëjta praktikë që pasojat e rënda për rendin dhe të drejtat e qytetarëve kërkohej  të luftoheshin  me masat dhe me dhënien  e urdhrave  të detyrueshëm në zyrat e PPSh-së për ndalime, arrestime, gjykime dhe dënime masive. Shpesh në këto organe, bëhej edhe formulimi i akuzave për të dyshuarit, të ndaluarit, të arrestuarit, dënimi i të gjykuarve, si dhe përcaktimi i roleve që duheshin kryer nga drejtuesit e hetuesisë, prokurorisë, Gjykatës, Sigurimit, policisë dhe ushtrisë. Për këtë arsye, në këtë mbledhje, dhashë mendimin se:

– Për të ndaluarit dhe për akuzat që do të vendoset të bëhen në bazë të provave dhe të rregullave proceduriale, ka disa kritere ligjore që duhen respektuar detyrimisht. hetuesit të shqyrtojnë me përgjegjësi provat e të dhënat konkrete për çdo person të ndaluar dhe të vendosin sipas Kodit penal  dhe kodit  të  procedurës  penale.  Hetuesit  dhe prokurorët është e domosdoshme të bashkëpunojnë dhe të vendosin në bazë të ligjit, kur formojnë bindjen e tyre të brendshme juridike.

Zylyftari, e pas tij Çapajevi, reaguan dhe thanë menjëherë:

– Këtu të përcaktojmë ato se ju na i ndryshoni dhe i lehtësoni fajtorët. Jemi në komitetin e partisë dhe këtu japim llogari të gjithë. Asnjë njeri nuk ka të drejtë të veprojë ndryshe. Duhet të godasim fort. Po na ikën pushteti. Për të mos lejuar replika, Hekurani tha:

– Akuzat të jenë të rrepta. Gjejeni ligjin ju, siç thotë shoku Ramiz.

Unë plotësova mendimin tim, duke sqaruar:

– Ligji është i shkruar. Nuk ka se ç’të gjejmë. Ta zbatojmë.  Rreth orës 21.00, me kaq, mbledhja përfundoi.

U përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe secili shkoi për të kryer detyrat e tij. Dola me kryetarin e hetuesisë së rrethit. Ai më propozoi që të shkonim te hotel “Rozafa” dhe të hanim darkë.

– Më vonë, – i thashë. – Të shkojmë të shohim çfarë po bëhet në Degën e Punëve të Brendshme. Të kemi kujdes të mos bëhen shkelje ligji, se nuk na e fal populli. Sigurimi i Shtetit dhe policia nuk kanë të drejtë  të pyesin persona  të ndaluar në dhomat e izolimit. Të ruhemi nga pasionet e sëmura. Të mos bihet nën presionin e  Sigurimit dhe të policisë. Ka rrezik që në këtë situatë, ata të kthehen në metodat e vjetra, të mashtrimit e të dhunës, të cilat sjellin pasoja të rënda.

– Mos ki merak, – tha kryetari i hetuesisë.  – ata  kanë frikë nga ju, shoku Qemal, pasi nuk i bëni lëshime  Sigurimit  të  Shtetit dhe policisë. Zylyftari më tha sot se po të na mbështetë Qemali, mund  të kemi sukses me goditjen. Këtë ia thashë  në telefon  shokut Ramiz Alia. Prandaj u mendua mbledhja me kuadrot kryesorë. Për këtë u dha porosia të vijë edhe shoku Qemal Lame.

– Situata është e rëndë. Do shumë kujdes. Ne duhet të jemi këmbëngulës për respektimin e rregullave  procedurale dhe për të zbuluar të vërtetën. Zbatimi i ligjit  nuk mund të zëvendësohet me porosi. Në këto rrethana, kryetarit të hetuesisë së rrethit i tërhoqa vëmendjen me takt, për mendimet që ai parashtroi në mbledhje, të cilat ishin ndryshe nga ato që unë diskutova. Tani së fundi, po jepte mendime të tjera me nuanca që kuptohej se donte të më mbështeste dhe do të punonte për të zbatuar orientimet që do të jepja unë. Kështu,  ai donte që të kuptohej nga ana ime autokritika e tij për mbështetjen që u bëri në atë mbledhje qëndrimeve të padrejta të personave të tjerë për të dhënat agjenturore dhe masat për goditjen e personave të dyshuar nga Sigurimi i shtetit. Rrugës,  duke ecur në këmbë, më tregoi më gjerë për ngjarjen e ndodhur. Në demonstratë ka pasur shumë njerëz, më tepër se sa u tha në mbledhje. Sheshi ishte mbushur plot. Në fakt, po të flasim hapur, kanë qenë më shumë se 10 000 deri 15 000 persona të pranishëm. Gati plasi. Isha në zyrën e kryetarit të Degës së Brendshme me Zylyftar Ramizin, kur na lajmëruan me telefon: “Filloi”.

Zylyftar  Ramizi, u ngrit nga krevati ku ishte ulur dhe tha:  -“Iku pushteti. Ku është palltoja ime?” – ishte për të qeshur se pallton e kishte të hedhur krahëve. Nuk dinte çfarë të bënte. -“Hajde Kosta”, – më tha. Kur arritëm te sheshi, pamë se ai ishte akoma plot me njerëz. Oficerët e policisë dhe të Sigurimit filluan të marrin disa persona,  dhe  menjëherë filloi të shpërndahej turma. Po të mos ishte vepruar në ato raste nga forcat e Degës së Punëve të Brendshme, nuk dihej se çfarë do të kishte ndodhur.  E pyeta:

– Populli, çfarë mendon për këtë ngjarje? A përkrahet ajo?

–  Të  gjithë  e  dinin  më  parë  se  do  të  bëhej  demonstrata. Nëpër shtëpitë e  shkodranëve flitej hapur për këtë ditë, se do të demonstrohej te monumenti i Stalinit. Edhe Dega e Punëve të Brendshme ishte në dijeni të mendimeve që shpreheshin  lirisht kudo në popull. Sigurimi i Shtetit është në vështirësi, pasi agjentura  është tërhequr. Agjentët, bashkëpunëtorë iu shmangen kërkesave për takime, nuk kanë dëshirë të informojnë dhe të bëjnë kallëzime për personat e dyshuar.  Qytetarët në përgjithësi thonë se nuk duan të kenë probleme, nuk mbështesin veprimet e Sigurimit të Shtetit dhe të policisë. Po kështu, qytetarët nuk vijnë të bëjnë kallëzime as në hetuesi. Në heshtje, të gjithë janë solidarizuar me këtë veprim për të demonstruar. edhe komunistët në tërësi e kanë përkrahur demonstratën dhe nuk reagojnë. Ky reagim i gjerë popullor u duk edhe sot, në demonstratën në heshtje. Nuk pati ndonjë kundërvënie nga ndonjë komunist apo qytetar kundër demonstruesve. Nga drejtues të Degës dhe disa punëtorë operativë, thuhet me mirëbesim në biseda shoqërore se ka edhe nxitje për të dalë në demonstratë, me orientim nga lart, të bërë me anë të agjenturës nga Sigurimi i Shtetit. Sekretari i Parë e di më mirë se si është vepruar. Nxitja  dhe orientimi nga lart ishin një e dhënë me shumë rëndësi. Udhëheqja vepronte me mendjelehtësi, populli nuk duhej provokuar. Në udhëheqje diskutoheshin në rreth shumë të ngushtë, masat për të pasur situatën nën kontroll.  Ramizi  donte që në opinionin shoqëror të ruhej frika, të ndihej më shumë forca e organeve të rendit, të bëheshin demonstrime masive nga komunistët dhe populli,  në mbështetje të udhëheqjes. Nuk mund të diskutoja me kryetarin e hetuesisë për këtë temë, pasi nuk kisha të dhëna zyrtare, prandaj e pyeta në vazhdim: “-Çfarë mendohet për të ardhmen?”

– Do të bëhet prapë demonstratë.

Flitet hapur se ajo që nuk u arrit sot do të bëhet më 14 janar 1990,  ka vendosmëri, personat e dënuar më parë,  janë vënë në krye të këtyre veprimeve dhe nuk tërhiqen. Thuhet se sekretari i parë  ka orientuar,  që komunistët të  mos rrinë pasivë, të dalin për të parë se çfarë mund të bëhet dhe të jenë  të gatshëm  të ndihmojnë forcat e rendit. Duket se është ngatërruar shumë. Sigurimi i Shtetit  dhe policia kishin marrë me kohë urdhërin  nga drejtuesi i partisë dhe i shtetit që  “të veprojnë me dorë të lirë”.  Me këta urdhra nxiteshin forcat e rendit që të ushtronin dhunë të hapur dhe të reagonin me ashpërsi,  edhe në sheshet publike,  ndaj çdo kundërshtimi të shtetasve. Masat që zbatonin këto forca, ishin në tejkalim të detyrave ushtarake dhe të kompetencave ligjore që ato kishin. Në kundërshtim me kodin e procedurës penale, nga Sigurimi i Shtetit dhe policia, mund të ishin ndaluar ose ishin thirrur për t’u pyetur afro 600 persona të dyshuar,  këtë kompetencë ligjore e kishin vetëm organet e hetuesisë.  Në  afërsi të Degës së punëve të Brendshme,  pamë shumë njerëz të mbledhur  në trotuarin para hyrjes. Edhe gjatë ditës nuk ishte e zakonshme për një institucion të një rëndësie të posaçme të sigurisë,  dhe jo më në atë orë të natës. Kuptova se,  sipas porosisë së dhënë me kohë, menjëherë Sigurimi dhe policia,  duhet të kenë bërë ndalime e janë thirrur njerëz, veprime të cilat kanë shqetësuar familjarët e tyre dhe duan të dinë fatin e të afërmve të tyre. Kundërgoditja dhe hakmarrja  e pushtetit i shqetësonte për të mos ndodhur ndonjë tragjedi. Ngjarjet  akoma të freskëta me pasoja, si në vendet e tjera, si dhe përvoja e hidhur e së kaluarës,  për kundërvënien dhe gjakosjen e popullit, si në Kryengritjen e Postribës,  dënimet e rënda, internimet etj.,  nuk harroheshin dhe  rikthenin  ankthin e pasojave të hakmarrjes.

– Përse kaq shumë njerëz në këtë orë të natës para Degës së punëve të Brendshme, Kosta? – pyeta kryetarin e hetuesisë.

– Janë familjarë të personave të ndaluar, – tha. – ka edhe shumë persona që janë thirrur nga Sigurimi me në krye zëvendësministrin e punëve të Brendshme.  Kanë filluar që në drekë t’i thërrasin  e të pyesin shumë persona. Pyeta menjëherë  se sa persona mund të ishin ndaluar. Kosta nuk ishte në gjendje të më jepte shpjegime për numrin e saktë, pasi nuk ishin mbajtur procesverbale dhe lista të sakta për të ndaluarit.

– Ku e gjejnë këtë të drejtë të thërrasin e të pyesin në mënyrë masive njerëzit?  Ligji në fuqi nuk lejon që Sigurimi i Shtetit dhe policia të bëjnë veprime  proceduriale të hapta  me qytetarët? Punëtorët operativë  nuk kanë të drejtë të thërrasin dhe të pyesin personat që dyshohen për kryerjen e një vepre penale dhe ka filluar çështja hetimore.  Kompetente është vetëm hetuesia!

– Zylyftari më tha se kishte marrë  urdhër nga shoku Ramiz. Ai  ka autorizuar  të thërrasin e të pyesin personat që morën pjesë në demonstratë dhe të zbulojnë organizatorët. Këtë e thanë edhe në mbledhjen ku ishim. Prokuroria a është në dijeni, për të kontrolluar  zbatimin e ligjit? A po reagon prokurori për këto pyetje masive nga Sigurimi?

– Çfarë  të  bëjë  prokurori? Ata  po  pyesin.  Kuadrot  e  ardhur  nga ministria e Brendshme dhe të degës, kanë mbështetjen nga lart. Prokurori po pret për t’u bërë ndalimet nga  Sigurimi i Shtetit. Edhe ne si hetuesi,  jemi bërë gati për të bërë veprime, pasi të bëhen ndalimet. Kemi biseduar me prokurorin për veprimet  proceduriale  të nevojshme. Në shesh dhe në mjediset e Degës së punëve të Brendshme  ishin shumë njerëz të pranishëm dhe nuk mund të kaloje lirisht. Në çdo zyrë kishte dritë dhe dalloheshin  hijet e njerëzve. Punonjësit e Degës së Brendshme, oficerë dhe policë, rrinin të gatshëm e në heshtje,  në pritje të urdhrave nga eprorët e tyre. Në sytë e tyre kuptoje se ishin të gatshëm për të realizuar detyrën. Ata, në fakt, ndodheshin nën një presion për të vepruar.  Situata kërkonte  zgjidhje politike. Nuk ishte e drejtë të kërkohej që forcat e rendit të përballeshin direkt me popullin, për probleme që kishte ardhur koha për t’u zgjidhur  nga organet më të larta të partisë dhe të shtetit. Qytetarët e thirrur ishin të frikësuar e në ankth. Gjendja e tyre ishte për të ardhur keq. Ndonjë që ishte pyetur, kalonte i hutuar dhe nuk orientohej  dot dhe priste, shikonte dhe mënyra se si qëndronte i mbështetur në mur ose në gjunjë, të linte të kuptoje se ishte në ankth e donte të dinte sa më parë se çfarë do të bëhej me të. Shkallët ishin të mbushura me njerëz që prisnin  të pyeteshin. Kalova midis tyre dhe u ngjita drejt zyrës së kryetarit të  Degës. Atje gjeta Zylyftarin dhe një grua, që ishte ulur në stolin në anën  tjetër të tavolinës. Sapo hyra unë në zyrë, Zylyftari i tha asaj:

– Prit pak jashtë.  Kjo grua ka qenë në demonstratë, – sqaroi Zylyftari.

– E pyeta për ngjarjen, ajo dha shpjegime. Burrin e saj e pyetëm më parë, edhe ai dha shpjegime të njëjta, si e shoqja. Tani do t’i lëmë të ikin.

– Pse janë thirrur kaq shumë qytetarë në orët e vona të natës? – e pyeta.

– Tani do të sqarojmë situatën. Nuk do të vazhdojnë të pyeten më,  persona të tjerë, – u përgjigj. – Do të bëjmë ndalimet e atyre që kanë organizuar demonstratën. Këta persona i kemi pyetur dhe na kanë dhënë shpjegime me rëndësi. Veprimet do t’i kryejmë me kujdes. Kemi bashkëpunuar me hetuesinë. Kryetari i hetuesisë së rrethit, Kosta, ka qenë i gatshëm. Kemi koordinuar mirë. Tani do t’i kalohen hetuesisë materialet e të ndaluarve. Do të rrisim më shumë bashkëpunimin e Sigurimit me hetuesinë, është çështje e rëndë. Duhet të mbrohet shteti, o sot, o kurrë.

– Unë kërkoj të zbatohet ligji, – i thashë prerë. – Çdo veprim të kryhet në bazë të ligjit. Nuk është e drejtë të veprohet në këtë mënyrë me qytetarët. Kam mendimin se janë krijuar shqetësime në popull. Janë thirrur shumë njerëz, këtu në degën e punëve të brendshme. Pa u filluar çështja penale, nuk mund të bëhen veprime ligjore. Juve si organ i Sigurimit të Shtetit nuk keni të drejtë të thërrisni dhe të pyesni njerëz në këtë mënyrë të hapur e masive, kjo është shkelje ligji. Prokurori duhet të vihet në dijeni për këto pyetje që bën Sigurimi i Shtetit, në kundërshtim me rregullat proceduriale.

 

Nesër do të lexoni:

-Ramiz Alia  dërgon porosi të thërrasim personat që dyshojmë për t’i pyetur

– Zëvendësministri, Zylyftari, raporton  ministrin  Simon Stefani dhe Ramiz Alinë,  për qëndrimin tim për zbatimin e ligjit

-Në dhomat e izolimit,  Sigurimi  i Shtetit  kishte futur 12 persona, në kundërshtim me ligjin