Naxhi Kasoruho: Xhevair Spahiu- Jevtushenko dhe Galileu

728
Sigal

XHEVAHIR  SPAHIU- JEVTUSHENKO  DHE  GALILEU

Impresione në ditët e pandemisë

Në bisedë  Xhevahiri  më përmendi Jevtushenkon, poetin rus,  tw cilin tremebeshe ta çoje në mend

Nga: Naxhi Kasoruho 

Mjeshtër i Madh


Në kohë pandemie të stërgjatur kam kaluar para syve si në një film dokumentar, histori, kujtime, impresione, ngjarje të veçanta mbresëlënëse, që janë memorizuar në kujtesën time dhe që më impresionojnë sa herë i kujtoj. Me këtë ndjesi e kujtoj sot edhe ngjarjen e mëposhtëme:

Ishin vitet 70-të, të shekullit të kaluar, kur ne muzikantët e Gjirokastrës shkonim shpesh në qytetin e Përmetit, për të ndihmuar në aktivitetet artistike së bashku me artistët e atij qyteti, në një bashkëpunim kolegësh,  që rezultonte i suksesshëm e me nivel artistik.

Në ato vite në Gjirokastër, ishte krijuar Estrada Profesioniste, Teatri Dramatik, Banda Muzikore, shkolla e muzikës, duke e bërë Gjirokastrën një qendër të rendësishme kulturore, artistike në krejt rajonin e jugut. Muzikantët e dy qyteteve krijonin këngë që i dërgonin në festivalet e njeri- tjetrit, duke ndihmuar në vlerat artistike, si dhe në shkëmbimin e eksperiencave në krijimtarinë e tyre. Unë personalisht, kam patur fatin të kem këngët e mia në këto festivale në Përmet, që i këndonte me zërin e tij të kumbueshëm, baritoni i mirënjohur Muharrem Dino, dhe i shoqëronte kompleksi vokal i burrave të  Pallatit të Kulturës, i njohur në mbarë vendin.

Muzikantët e Gjirokastrës gjenin një pritje të ngrohtë e miqësore në Përmet, nga Drejtori i Pallatit të Kulturës, Sofo Tole, e deri tek muzikantët e talentuar Lefter Nurka, Sulejman Lame, Zini Dino, Ylli Zeqiri, Muharrem Dino, Gëzim Duralliu, Adem Daci e deri tek gjenerali i klarinetës, usta Laver Bariu me orkestrinën e tij. Ndonëse kanë kaluar 50 -vjet nga ato vite, dhe ai bashkëpunim kolegësh ka ngelur i pashlyer në kujtesën dhe shpirtin tim, prandaj i kujtoj me mall dhe nuk i harroj asnjëherë kur ulem të shkruaj për ta dhe Përmetin, qytetin e glikove, trëndafilave dhe Laver Bariut.

Dhe tani le të nis të tregoj se përse po e shkruaj këtë “Ese”.

Në atë kohë në Përmet, kishte ardhur nga Tirana, poeti Xhevahir Spahiu. Ndonëse ishte i ri si poet Xhevahiri ishte bërë  i dashur me lexuesit e brezit të ri. Poezia e tij, neve në atë kohë na dukej moderne si në strukturë, rimë, fjalor, si dhe mesazhet që përcillte, e ndryshme nga poezia tradicionale. Në ato vite me ndjenjë respekti të veçantë e kam ndjekur Xhavahir Spahiun dhe ndihesha i nderuar kur rrija pranë tij,  kur shkoja me kolegët e mi në Përmetin e këngës.

Kur mbaronim provat e aktiviteteve të ndryshme, muzikantët e dy qyteteve gjitonë, uleshim të pinim një gotë verë, aty tek klubi buzë Vjosës, që grugullonte në udhëtimin e saj. Vinte bashkë me ne në ato mbrëmje edhe Xhevahir Spahiu. Isha ulur pranë tij, kur në një moment, m’u drejtua: “Naxhi e ke lexuar poezinë e Jevtushenkos për Galileo Galileun?”. Unë u befasova dhe mendova se çdo ky që na përmend Jevtushenkon, poetin disident rus, që këtu tek ne, ishte herezi të lexoje poezitë e tij. Xhavahiri pa e ndjerë hutimin tim vazhdoi bisedën dhe më tha: “Po të recitoj disa nga vargjet e poezisë së tij. Unë fillova të shqetësohem dhe po mendoja se nëse na dëgjonte  ndonjeri e të kallzonte,  me siguri që do ta kalonim  natën  në  Degën e Brendshme.

Pavarësisht emocioneve të mia, Xhavahiri filloi të recitonte vargjet e poezisë,  që ndonëse kanë kaluar 50 –vjet,  mbaj mend dy vargjet e fundit që janë: “Njerëzit edhe para Galileut,/ E dinin që toka rrotullohej”. Por nuk e thoshin se kishim fëmijë.

Nga ajo kohë e largët e deri sot, këto vargje gjtihmonë më kanë tunduar për mesazhin që trasmetonin, duke formuar tek njerëzit guximtarë, një karakter pozitiv për t’i shërbyer shoqërisë edhe duke sakrifikuar pak nga vetja e tyre, dhe për këtë, në dekada e shekuj, ka patur figura që kanë guxuar për të treguar të vërtetën duke patur si simbol Galileun, kur  tha: “E’ pur’ si muove”- përsëri bota rrotullohet!. Me këtë guxim e shembull të Galileut ka shkruar edhe poeti disident rus Jevtushenko, i cili u dëbua nga Bashkimi Sovjetik  për idetë e tij  të  kundërta  me sistemin  komunist.

Nga ajo mbrëmje e largët buzë Vjosës,  e deri më sot e kam admiruar Xhevahir Spahiun, i cili ka qenë një shembull pozitiv për brezin e ri,  për kurajon, guximin, si vizionar, dashuria për njerëzit, për vendin, të shprehura këto në poezitë e tij nga ato liriket, epiket e patetiket. Akoma e kujtoj me habi atë mbrëmje, kur Xhevahir Spahiu më  recitonte vargjet e Jevtushenkos për Galileun këtë simbol të guximit njerëzor që e kemi aq të domosdoshëm edhe në ditët e sotme, dhe poeti e ka luajtur këtë rol, me integritet të lartë artistik, intelektual dhe qytetar të nderuar.

Për të gjitha këto sa herë që e shikoj në rrugë e takoj me respekt të veçantë dhe sjell në mendje gjithë krijimtarinë e tij poetike që e rendit atë, në panteonin e kulturës tonë kombëtare. Si muzikant sa herë që e shoh Xhevahir Spahiun më kujtohet kënga: “Këputa një gjethe dafine” me tesktin e tij, muzikën e kompozitorit të mirënjohur Limos Dizdari dhe kënduar me zërin brilant të “Princit të belkantos shqiptare”, tenorit Gaqo Çako, këngë që renditet në 10 këngët më të mira të këngës shqiptare, si “Për ty Atdhe”, “Dua më shumë Shqipërinë“, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Shqipëri, o vendi im” etj.

E kujtoj Xhevahir Spahiun edhe për poezinë e tij: “Ma ktheni borxhin” një përshkrim i lartë njerëzor, ku poeti merr përsipër gjithçka që ndodh në jetë nga njerëzit duke i shfajësuar ata dhe përgjegjësuar veten e tij, duke i qënë borxhli njerëzimit. Mbasi merr përsipër mëkatet dhe borxhet e njerëzimit, Xhevahiri, t’i shlyen ato: “Na jep dwrrasën e varrit” dhe këtu i ve pikw, thotë poeti dhe vazhdon: “Tani më ktheni borxhin që më keni mua”.

Mesazh i jashtëzakonshëm i një poeti vizionar e njerëzor që na bën të reflektojmë e ta ndjekim pas poetin në rrugëtimin e tij.