Roza Angnosti, artistja më e adhuruar e ekranit të madh të filmit
Angjelina Xhara Papalilo, kineaste
Në mozaikun artistik të krijuar nga interpretimet në ekranin e madh të kinemasë, Roza Anagnosti zë një vend të veçantë e të padiskutueshëm. Ajo u lind për ekranin filmik, duke zbritur nga bjeshkët e lartë, me role të para, ku spikati thjeshtësia dhe origjinaliteti i vajzës së re, të talentuar e të guximshme. Mjediset ku lëvizi ajo në ekran ishin të egra e patriarkale, ku krahas dëshirës për të mësuar germat e gjuhës shqipe, ishte edhe kërcënimi i krismave të pabesa të pushkëve….
Rolet e spikatura
Figurat e skalitura në rolet e para unikale të saj, si Filja, tek filmi “Toka jonë”, apo Dafina tek “Komisari i dritës” e bëjnë shumë të prekshme një epokë të paharruar të luftës vigane për emancipimin e shoqërisë shqiptare, nga errësira drejt dritës. Figurat artistike të skalitura prej saj, me një interpretim mbushur me ndjeshmëri të thellë, vijnë në ekranin e madh të filmit përmes një porteti të ëmbël, me dy sy shprehës si diamantë, me një zë melodioz të spikatur, për të shqiptuar siç di vetëm Roza, gjuhën e bukur shqipe, me theks të dialektit verior…Ajo hyn në ekran me guximin e një shpirti të pastër, si vetë burimet e kulluara të ujërave malore. Fillimisht ajo ka përkrah aktorin e madh, Rikard Ljarja, i zbritur edhe ai nga dekori madhështor verior, për të krijuar të dy së bashku figura ikona të filmit shqiptar. Silueta e Roza Xhuxhës shpaloset në këto role të parë me episode emblematike të filmit shqiptar. Spektatori e ndjek vajzën e re malësore me tension e me pathos. Ajo të merr me vete me një lojë tepër emocionale e dinamike. Në rishfaqjen e bukur nëpër vite të këtyre filmave të parë, figurat e saj janë bërë edhe më të afërta, edhe më sugjestive. Kjo është logjika e artit të vërtetë, që buron nga jeta dhe ushqen vetë jetën në vijueshmërinë e saj. Skenat, pranë maleve madhështorë me gjyshin, me fëmijët që janë të etur për dije, skenat e sinqerta të dashurisë së saj për mësuesin, të rishfaqura kushedi për të satën herë në ekran, përmbajnë sekretin e artit të madh e të pavdekshëm.
“Komisari i dritës” dhe martesa
Gjatë xhirimeve të filmit “Komisari i dritës”, dashuria me regjisorin Dhimitër Anagnosti, do të kurorëzohej në martesë dhe në një jetë të gjatë bashkëpunuese krijuese artistike, duke u bërë një çift ideal kineastësh.
Roza Anagnosti e Dhimitër Anagnosti, janë dy personalitete të kinematografisë shqiptare, që kanë një trajektore të suksesshme në një garë të heshtur e të bukur bashkëshortore krijuese. Duke i parë në vijueshmërinë e gjithë jetës së tyre, mua më duket sikur çiftin ANGNOSTI e mban të lidhur enigma e krijimit magjik të filmit, sa dhe veçoritë e përbashkëta të karakterit .
Të dy këta krijues të mëdhenj të filmit flasin pak e me fjalë të zgjedhura me kujdes. Më shumë flet vepra dhe sytë e tyre.
Shkrimi im do të vazhdojë, duke folur vetëm për Rozën, sepse ajo është në prag të 70- vjetorit të lindjes, që përputhet me një kontribut gjysmë shekullor, në rrugën e vështirë të artit…Për kontributin e veçantë në rrugën e suksesit në art, Roza Anagnosti së fundmi ka marrë dhe çmimin e madh “MJESHTRE E MADHE” akorduar nga Presidenti i Republikës, duke u renditur në një radhë me artistet e mëdha të skenës e filmit, ARTISTET E POPULLIT, Marie Logoreci,Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Violeta Manushi.
Roza Anagnosti, është aktore e tipit emocional,aktore e tipit dramatik, me një diagramë krijuese të brendshme shumë të ndjeshme për t’ja transmetuar spektatorit. Syri i saj, lëvizja e saj para kamerës, frymëmarrja e saj, veshja e saj në role të ndryshme, janë te fiksuara në kuadrot e filmit me përsosmëri artistike. Sigurisht, suksesi i saj është i lidhur me bashkëpunimin e ngushtë krijues me regjisorët përkatës të filmave të saj, si dhe të bashkëveprimit artistik me partnerë të denjë.
FILMAT që u ngjizën në ekran përmes interpretimit të saj të dridhshëm e tepër emcionant, spektatori i kujton me sy mbyllur…Mbas filmave të parë vijnë rolet te saj të spikatur në një periudhë ngritjeje e konsolidimi të filmit shqiptar me filmat “Plagë të vjetra’ ”Detyrë e posaçme”, ”Besa e kuqe”, “Ndërgjegja”, “Fije që priten”.
Lëkundjet e brendshme shpirtërore
Lëkundjet e brendshme shpirtërore, Roza Anagnosti i jep në ekran përmes një dinamike të brendshme me mjeshtëri profesionale, duke ngjitur me guxim sekretet e krijimit të figurës në film. Ajo sjell të veçantat e personazheve të ndryshëm në filma me tematikë tepër të larmishme. Tek “Bote e padukshme” Roza Anagnosti jep figurën e një shkencëtareje që nuk do të përkulet para intrigave, tek “Besa” në filmin “Fije që priten” ajo jep figurën e dridhshme të një gruaje, që fiton mbi grackën me zgjuarsinë e saj, e me mbështetjen e burrit të saj…Rolet e saj të mësueseve, ajo di t’i ngjizë me bukuri mendimi e detaje të veçanta që nuk ngatërrohen në sytë e spektatorit. Le të kujtojmë filmat “Kryengritjet ne pallat”, “Në shtëpinë tonë”, “Taulanti kërkon një motër” etj..
Roza Anagnosti quhet nga kritika si simboli i suksesit ne artin kinematografik, sepse kudo ku ka vënë dorë interpretimi i saj, ka lenë gjurmë të dukshme të një aktoreje të adhuruar të ekranit të madh.
Kryevepra e saj mbetet krijimi në ekran i figurës së Dafinës, në filmin “Mësonjëtorja”. U bashkuan në realizimin e këtij roli dy personalitete grash: Roza Anagnosti dhe Natasha Lako, për të sjellë në gjuhën e artit kinematografik, të paharruarat motrat Qiriazi, mësueset e para të shkollave shqipe.
Regjisori i njohur Muharrem Fejzo gjeti emblemën e figurës rilindëse tek portreti, pastërtia, sinqeriteti i lojës aktoriale të artistes së madhe, Roza ANAGNOSTI. Pikërisht, për realizimin e këtij roli aktorja nderohet dhe me Kupën e Festivalit të Filmit, për rolin më të mirë si aktore femër.
Më shumë role
Duke analizuar rolet e krijuara në kinematografinë shqiptare, Roza Anagnosti është aktorja që ka realizuar më shumë role kryesore se të gjitha koleget e saj. Arti i saj me sekret të veçantë në shprehjen e një larmie të plotë interpretative në film, ka bërë të flasin bukur në ekran vajza, gra e nëna shqiptare, me shpalosje të ndjenjave të thella të individualitetit shpirtëror femëror.
Ndërsa përgjithësisht figurat e grave në kinematografi, shprehen me njëtrajtshmëri, figurat e krijuara nga Roza Anagnosti kanë patur shprehje më të veçanta të transmetimit të psikologjisë shpirtërore femërore, siç janë dilema, frika, pasiguria, ulje-ngritjet emocionale, ndjenja e lodhjes e stërmundimit, etj..
Natyrisht ndjenjat pozitive, si dashuria, respekti, besnikëria, misioni njerëzor për të ecur përpara, janë ato që i venë vulën interpretimeve me vlera të veçanta artistike të figurave, që kjo zonjë a madhe, ka dhënë me shume bollëk në artin e filmit artistik shqiptar.
Në këtë shkrim të shkurtër nuk mund të lemë pa përmendur edhe një kryerol tjetër të saj: “Plakën Nice” tek filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Duke u shprehur për realizimin e këtij roli vetë Roza Anagnosti, në një intervistë të saj ,thotë:
‘”Askush s’mund të hyjë në skutat më të thella të botës shpirtërore të një nëne! Nëna Nicë i ka për mua të gjitha virtytet, cilësitë dhe enigmat e një nëne…Ky rol për mua ka qenë më i vështiri, por edhe më i bukuri…”
Roza Anagnosti është një figurë e adhuruar kudo, në ekran, në teatër, në shoqëri, në familje. Ajo është ikonë e bukur e gruas shqiptare, është veçanërisht ikonë e suksesit të gruas artiste. I urojmë asaj në 70- vjetorin e lindjes jetë të gjatë të mbushur me gëzime familjare e suksese të tjera në art.
Dje në Teatrin Kombëtar u festua 70-vjetori i lindjes së “Mjeshtres së Madhe” Roza Anagnosti. Në këtë festim morën pjesë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, aktorë, akademikë, studiues arti, pjesëtarë të familjes, miq e të afërm të aktores së madhe. Në fjalën përshëndetëse Ministrja Kumbaro theksoi se, “unë ja rritur me imazhin e teta Rozës, pasi e kisha në lagje dhe e shihja me admirim”. Në këtë ceremoni folën aktorët Robert Ndrenika, Tinka Kurti, regjisori Gëzim Kame dhe shumë aktorë të tjerë.