Skënderbeun s’ka Kastriot që ta ndalë edhe në Krujë

500
Sigal

Flamurtari fiton, por renditet në fund të tabelës. Kuksianët në krizë të plotë rezultatesh

Skënderbeu ruajti hapin kryesues të Teutës, duke fituar 1-0 me Kastriotin në Krujë, falë një goli të sulmuesit Mario Morina. Suksesi minimal i kampionëve në fuqi erdhi pas një gabimi të mbrojtjes krutane, duke mos larguar si duhet topin në kufijtë e zonës së tyre. Formacioni i Mirel Josës ruajti traditën e fitoreve në Krujë, të krijuar në tre edicionet e fundit. Kësisoj, kreu i Kategorisë Superiore bëhet sërish me “dy koka”, por me Teutën që tani ndodhet në vendin e parë pas javës së 9-të, me po aq pikë sa korçarët, nga 19. Një fitore të merituar regjistroi Flamurtari, teksa përmbysi dizavantazhin me Kukësin, në takimin e fituar 2-1 dhe të luajtur në fushën asnjanëse të Beratit. Sokol Cikalleshi shënoi i pari për Kukësin në minutën e 39-të, por kuqezinjtë nga Vlora reaguan me anë të kapitenit Franc Veliu, që barazoi në minutën e 45’+1, ndërkohë që Gledi Mici i garantoi fitoren Flamurtarit në minutën e 73-të. Një tjetër goditje për nënkampionët e vendit, që tashmë dëshmojnë qartë se janë përfshirë nga një krizë rezultatesh, pavarësisht ndërrimit të trajnerit: largimit të Armando Cungut dhe ardhjes së kosovarit me pasaportë turke, Naxhi Shensojit. Ky i fundit kalon nga dy barazime radhazi në humbje, çka tregon trajektoren në rënie të verilindorëve të cilët sezonin e kaluar, jo vetëm që u shpallën nënkampionë, por dhe kaluan tre ture në Ligën e Europës, duke vendosur një standard të ri të në historinë e futbollit shqiptar arenën ndërkombëtare në nivel klubesh. Gjithsesi, në fund të javës së 9-të, është Flamurtari ai që e sheh veten në vendin e fundit me 8 pikë, po aq sa Besa. Të shtunën, Partizani humbi 1-0 klasiken me Vllazninë në “Qemal Stafa”, të vendosur nga goli i Shtubinës në minutën e 49-të. Dështimi i dytë radhazi për të kuqtë e Hasan Likës, që para një jave mundeshin 2-0 ndaj Lushnjës, në “Roza Haxhiu”. Dy javë kampionat pa asnjë pikë thonë shumë për situatën reale te Partizani, skuadra që krijon mjaft volum loje, por thuajse nuk ka fare sulm. Një “plagë” e rikonfirmuar tashmë javë pas jave, por që po i penalizon jo pak të besuarit e Likës. Teuta fitoi 2-1 me Laçin në “Niko Dovana” (të shtruar me tapeti të ri). “Djentë” e Gugash Maganit mundën fituesit e Kupës së Shqipërisë, me golat e Mancakut (26’) dhe të Muriqit (87’), të futur në pjesën e dytë, kanë superuar barazimin e përkohshëm të kurbinasve, me eurogolin e Veliajt (76’).

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA IX

Dje,

FLAMURTARI-KUKËSI 2-1

Veliu 45+1’, Mici 73’ / Cikalleshi 39’

KASTRIOTI-SKËNDERBEU   0-1

Morina 33’

BESA-TIRANA   1-0

Berisha 30’

Të shtunën

PARTIZANI-VLLAZNIA 0-1

Shtubina 49’

BYLISI-LUSHNJA 1-1

Izuçuku 55’ / Canka 17’ (pen)

TEUTA-LAÇI 2-1

Mancaku 35’, Muriqi 87’ / Veliaj 76’

RENDITJA

1    Teuta Durrës    9    19

2    Skënderbeu      9    19

3    Vllaznia        9    16

4    Partizani       9    14

5    Laçi            9    13

6    Lushnja         9    12

7    Bylis           9    10

8    Tirana          9    10

9    Kukësi          9    9

10   Kastrioti       9    9

11   Besa Kavajë     9    8

12   Flamurtari      9    8

Ish-legjenda bardheblu Indrit Fortuzi: “Federatë lëreni të qetë Tiranën”

 Gallo e nis me humbje, Thellohet kriza e Tiranës

 Edhe pse e zëvendësoi trajnerin Nevil Dede me Alpin Gallon, sërish Tirana bëri një prezantim të dobët në kampionat, duke humbur me Besën në Kavajë (1-0). Golin me vlerë tri pikë e shënoi kosovari Berisha në minutën e 30-të, ndërkohë që bardheblutë nuk gjetën forca në 60 minutat e mbetura për të barazua rezultatin, duke regjistruar kështu humbjen e pestë në nëntë javë kampionat. Një tregues shqetësues i forcës së dobët realizuese të 24 herë kampionëve, që kanë kështu edhe sulmin më të dobët në kampionat. Transferta kavajase nuk ishte e duhura për t’u bërë “derman” bardhebluve, që me një humbje tjetër ndaj Besës kanë treguar se e kanë tepër të vështirë të dalin nga “ujërat e turbullta” ku kanë “notuar” në këtë kampionat. Një Tiranë shumë kaotike në këtë sezon, me vetëm 10 pikë në 9 javë, në vendin e 8-të me 9 pikë larg Teutës dhe Skënderbeut. Indrit Fortuzi, një ish-futbollist legjendar bardheblu dhe anëtar i bordit të Tiranës, i bëri thirrje publike Federatës Shqiptare të Futbollit që “ta lerë të eci Tiranën”, pasi sipas tij ai po “shef shumë padrejtësi”.

 Gigs: “Januzaj, talent”

 Legjenda e Mançester Junaitid, Rajan Gigs, mendon se Adnan Januzaj është produkti më i mirë i viteve të fundit, duke e konsideruar si një fryt të punës së sistemit zinxhir të klubit.

“Adnani po ecën shumë mirë për momentin. Këshillat do mund t’ia jepja nëse gjërat nuk po shkonin kështu. Lojtarët e rinj kanë rënie forme dhe kjo është e pashmangshme. Le ta lëmë të qetë të shijojë atë që po bën. Po shijoj progresin e tij. I kam thënë të vazhdojë të luajë si në ndeshjet e fundit. Është talent dhe djalë i shkëlqyer dhe i dëgjueshëm”, deklaroi veterani i Junaitid, Raan Gigs.

  Jurgen Gjasula shënon në Bullgari për Liteksin. Të kuqe për Migjen Bashën dhe Andi Lilën

  Armando Sadiku, dopjetë në Zvicër

 Armando Sadiku shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Luganos ndaj Shafhazuenit në javën e 12-të të Challenge League (kategoria e dytë në Zvicër), duke konfirmuar formën e mirë të tij. Sulmuesi elbasanas, i cili nuk u thirr në katër ndeshjet e fundit të Komëbtares, realizoi golin e parë në minutën e 27-të, ndërsa dyfishoi shifrat në të 44’ me penallti. Shafhauzeni shkurtoi shifrat në 2-1 një minutë më pas me një penallti të realizuar nga Frontino, ndërkohë që kosovari me pasaportë zvicerane, Denis Markaj realizoi golin e 3-1, që e çoi Luganon në vendin e 8-të. Për Armando Sadikun, i cili është në sezonin e tij të dyte më Luganon, këta ishin golat me numër 3 dhe 4 në pesë ndeshje të luajtura. Po në Challenge League, shënoi edhe Gjelbërim Taipi në fitoren e Vilit kundër Vohlenit. Lojtari i Kombëtares U-21 realizoi golin e tij në minutën 15-të (goli i tij i tretë në këtë edicion), teksa ndeshja përfundoi 1-1. Një tjetër protagonist në Europë ishte dhe mesfushori Jurgen Gjasula, i cili vazhdon të shkëlqej në kampionatin bullgar. Lojtari i Kombëtares shqiptare shënoi golin e dytë në fitoren 2-0, që skuadra e tij Liteks i Loveçit fitoi në transfertën e Neftohimik. Tiranasi arrin kështu në kuotën e 4 golave të shënuara në elitën bullgare të futbollit, ndërsa që skuadra e Liteksit vazhdon të kryesoj renditjen pas 14 ndeshjeve të zhvilluara. Paraqitje të mirë në atë takim pati edhe mesfushori shkodran Armando Vajushi. Gjithsesi, gjatë ditës së djeshme nuk munguan as ndëshkimet me karton të kuq të lojtarëve shqiptarë. Kështu, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha, i rikthyer ne fushën e blertë pas dëmtimit që e mbajti larg dhe 2 ndeshjeve të fundit eliminatore kundër Zvicrës dhe Qipros, u fut ne fushë në pjesën e dyte ndërkohë qe skuadra e tij gjendej në disavantazh të dy golave. Në minutën e 87-të mori karton të kuq pas një faulli taktik si lojtar i fundit ne dëm te Goran Pandev. Me karton të kuq u ndëshkua edhe mbrojtësi Andi Lila, në barazimi 2-2 të PAS Janinës në transfertën me Verian. Kavajasi mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 69-të, kur rezultati ishte fiksuar. Në këtë ndeshje luajti si titullar edhe Emiljano Vila, por mesfushori durrsak u zëvendësua në minutën e 75-të.  Nw Azerbajxhan, Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit fitoi 3-0 nw transfertwn me Khazar Lankaranin.

 Sebasitan Fetel, Kampion i Botës në Formula 1

  Sebastian Fetel fitoi Çmimin e Madh të Indisë (i gjashti rresht), duke u shpallur kështu Kampion i Botës në Formula 1 kur kanë mbetur edhe tri gara nga përfundinmi i Kampionatit Botëror. Gjermani i skuderisë Red Bull, i cili fitoi edhe “pole position” (i 43-ti në karrierë), arriti fitoren e dhjetë në këtë edicion dhe të 36-të në karrierën e tij. Fetel la pas Rosbergun (Mercedes) dhe Groszhin (Lotus). Pas 16 garave, Fetel ka grumbulluar 322 pikë, ose 115 më shumë se Alonso i Ferrarit, kur në garë në mhetur edhe 75 pikë. Titulli i fituar në Indi e bëri atë pilotin e katërt më të mirë të botës përsa u përket titujve kampionë. Gjermani Mikael Shumaker ka fituar 7 kampionate, argjentinasi Manuel Fanxho (5), Alaian Prost (4) dhe Fetel (4), që lë kështu emra të mëdhenj të botës së automobilizmit si Sena, Lauda, Pike apo Stjuart. “Jam pafjalë. Unë nuk di e çfarë të them. Falënderoj të gjithë skuadrën. Të krahasohesh me legjenda si Prost apo Sena është thjesht e pabesueshme. Falënderoj të gjithë skuadrën”, ishin fjalët e para të Vettel, pas përfundimit të garës.