Presidenti Nishani dekoron me urdhrin ‘Mjeshtër i Madh’ artistin Ermir Dizdari

822
Sigal

Dirigjenti i njohur dhe Drejtori i Klubit të Artit dhe Kulturës SIGAL UNIQA Group AUSTRIA nderohet si një nga figurat e shquara durrsake

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi pak ditë më parë disa nga figurat e shquara të qytetit të Durrësit, ndër të cilët Dirigjentin e mirënjohur, njëkohësisht Drejtorin e Klubit të Artit dhe Kulturës SIGAL UNIQA, z. Ermir Dizdari. Në veprimtarinë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” morën pjesë Kryetari i Bashkisë, z. Vangjush Dako; Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, deputetë dhe qytetarë durrsakë. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur para qytetarëve durrsakë, Presidenti Nishani u shpreh se qyteti i Durrësit ka qenë teatër i ngjarjeve nga më dramatiket dhe më të rëndësishmet për fatet e Shqipërisë, duke u shquar për lashtësinë e tij, shembullin e bashkëjetesës mes besimeve fetare, si dhe për personalitetet e shquar që i ka dhënë vendit. Në fjalën e tij, z. Nishani theksoi se nderimi dhe respektimi i punës së çdo profesionisti në fushën e tij, është jo vetëm një detyrë e shtetit por edhe një nga shtyllat që një vend të ecë përpara dhe zhvillohet nga puna e çmuar dhe e dobishme e secilit qytetar. Në këtë vlerësim janë përfshirë artistë si dirigjenti i aq shumë festivaleve folklorike dhe festivaleve ndërkombëtare, z. Ermir Dizdari.

Dirigjenti Ermir Dizdari

Në vitin 1966, pas mbarimit të Konservatorit emërohet në qytetin e Durrësit. Ishte kuadri i parë i këtij rrethi, më shkollë të lartë, i kompletuar, në profilin e muzikës, por edhe me eksperiencë pune nga veprimtaritë e ndryshme muzikore dhe artistike që kishte drejtuar gjatë kohës si student.

Që në fillim caktohet Shef–muzike dhe dirigjent në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Tetor 1966 iu besua drejtimi i Ansamblit Artistik të Durrësit në Takimin kombëtar të ansambleve artistike, që u zhvillua në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Vazhdoi të drejtojë Ansamblin Artistik të Durrësit në takimet kombëtare të ansambleve artistikë në Prill 1969, në Vlorë; në Tetor 1974, në Durrës; në Tetor 1984, në Durrës. Në këto veprimtari ansambli është vlerësuar me çmime të ndryshme.

Janar 1968 vetëm një vit e gjysmë pas mbarimit të Konservatorit ndonëse në rrethin e Durrësit kishte një ekip muzikantësh me përvojë dhe shumë të afirmuar, Ermir Dizdarit iu besua një tjetër veprimtari tepër e veçantë: drejtimi i operës së parë në Durrës: “Bijtë e Skënderbeut”, kompozuar nga A. Grimci, me libret të M. Gjelucit. Me vënien në skenë të kësaj opere, u bë për herë të parë rreshtimi i kompletuar i formacionit të orkestrës simfonike dhe, më vonë, brenda tij si formacion më vete edhe i orkestrës së harqeve.

Për shumë vite me radhë ka dhënë një ndihmesë të madhe në drejtimin e Bandës muzikore të qytetit, duke e plotësuar me elementë dhe repertor të ri. Në këtë periudhë drejtoi disa nga Festivalet e Këngës për Fëmijë dhe Pionierë, organizuar nga Shtëpia e Pionierit, si dhe Festivalet për të rritur, të organizuara nga Pallati i Kulturës “A. Moisiu”, Durrës.

Krahas punës si përgjegjës muzike dhe dirigjent është marrë edhe me organizimin e veprimtarive të shumta të trashëgimisë shpirtërore. Më një punë të madhe të tij dhe një ekspeditë që zhvilloi në fshatrat e thella të rrethit të Durrësit, u ngrit Ansambli Popullor “Durrësi”, që mori pjesë në Festivalin e Parë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në Tetor 1968, ku fitoi çmimin e tretë, i vetmi çmim i marrë nga Durrësi në të gjitha edicionet e Festivalit të Gjirokastrës. Me krijimin e shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku” në Durrës, emërohet drejtor artistik dhe jep një ndihmesë të rëndësishme në hapjen e degëve të reja, që u mungonin formacioneve muzikore të qytetit të Durrësit si: flaut, oboe, fagot, violë, kontrabas, etj. Si dirigjent i orkestrës së shkollës së muzikës , me nxënës dhe pedagogë, përveç veprimtarive të tjera muzikore ka marrë pjesë në disa  takime kombëtare të shkollave të mesme artistike. Në një nga këto takime, me këtë formacion u arrit të ekzekutoheshin vepra muzikore, si Simfonia në Re Maxhor të J. Hajden, etj. Në vitin 1986, pas një eksperience të gjatë si drejtues i drejtpërdrejtë i shumë veprimtarive muzikore në Durrës, transferohet në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe më pas, në Komitetin e Kulturës dhe Arteve me detyrën specialist muzike në drejtorinë e Arteve. Më vonë ka kryer detyrat: Drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas, drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike. Gjatë kësaj periudhe ka drejtuar disa veprimtari muzikore si koncert me rastin e 100-vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe, në Korçe; koncert me rastin e 75-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë; Festivali Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Ka drejtuar herë pas here Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit, atë të Radio Televizionit Shqiptar, orkestrën e muzikës së dhomës të Institutit të Lartë të Arteve, duke ekzekutuar vepra të kompozitorëve Ç. Zadeja, T. Daija, P. Gaci, Bach, Vivaldi, Moxart, Bethoven, Shubert, etj., si dhe mjaft vepra orkestrale dhe simfonike në shoqërim të instrumentistëve të ndryshëm si: Muharrem Denisi, Gjergj Antoniu, Anton Berovski, Arjan Paço, Vangjush Papadhimitri, Pandush Gjezi, Renato Ripo, Edmond Malolli, etj. Në këtë periudhë u kushtohet në mënyrë të veçantë trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë dhe veprimtarive të shumta në këtë fushë. Që nga viti 1968, punon për sistemimin dhe institucionalizimin e veprimtarive folklorike kombëtare, rajonale dhe lokale, duke i vendosur sipas zonave përkatëse etnografike, mbi bazën e rregullave dhe kritereve organizative dhe shkencore, duke krijuar strukturat e grupeve sipas trashëgimisë së secilës zonë etnografike.Mbi këtë bazë drejtoi punën për organizimin dhe zhvillimin periodiket edhe ta 4 Festivaleve Folklorike Kombëtare: ai i Sazeve në Korçe; i Polifonisë në Vlorë; i Rapsodëve dhe Instrumentistëve në Lezhë; dhe Festivali i Këngës Qytetare në Elbasan. Kontribut kryesor ka dhënë në organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Ka qenë drejtor i Festivaleve Folklorike Kombëtare në Gjirokastër të viteve 2000 dhe 2004. Edhe pas daljes në pension në vitin 2006, Ermir Dizdari nuk e ndërpret punën e tij plot pasion në fushën e artit muzikor dhe folklorik, por vazhdon të japë ndihmesën e tij në veprimtari të ndryshme folklorike brenda dhe jashtë vendit. Ka qene drejtor i Festivalit Folklorik Mesdhetar, në Vlorë; i Festivalit Folklorik “Bylipolifonia”, në Mallakastër; i Revistës së Folklorit Burimor të Drenasit në Kosovë, në vitet 2006 dhe 2010. Ka dhënë dhe jep ndihmesën e tij në promovimin e trashëgimisë shpirtërore të shqiptare, si këngëve, valleve, melodive, kostumeve dhe instrumenteve popullore përmes veprimtarive të ndryshme në shumë vende të botës.Ka marrë pjesë në diskutime, konsulta, intervista të ndryshme, duke dhënë mendime për probleme të muzikës, në përgjithësi, dhe të folklorit në veçanti. Ka botuar në shtyp, artikuj me karakter informues ose problemor. Ka botuar dy libra për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës të viteve 2000 dhe 2004. Për përvojën që ka, prej më shumë se 10 vjetësh është anëtar i Këshillit Artistik, si dhe i bordit të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku vazhdon edhe sot. Prej 12 vjetësh kryen aktivitet pedagogjik, duke dhënë mësim si pedagog i jashtëm në Universitetin e Arteve ku vazhdon edhe sot.

Vlerësime të mëparshme

Për këtë veprimtari të gjerë dhe shumëplanëshe është vlerësuar me mirënjohje, diploma, fletë nderi,etj. Nga shoqata “Durrësi” dhe nga Bashkia Durrës është nderuar me titujt “Mirënjohje e Qytetit” dhe “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Ka disa medalje dhe urdhra, si: medaljen “Naim Frashëri”, urdhrat “Naim Frashëri” të klasit të III, II, I. Nga Presidenti i Republikës ka marrë dekoratën “Naim Frashëri i Artë”.

Klubi i Artit dhe Kulturës SIGAL UNIQA Group AUSTRIA

Inauguruar që prej 4 vjetësh në një prej zonave kryesore të Durrësit, Klubi i Artit dhe Kulturës SIGAL UNIQA është një risi dhe unik për nga lloji. Klubi i Artit ndërthur muzikën, letërsinë dhe artet figurative në një vend të vetëm dhe si i tillë është shumë i preferuar nga artistët për organizimin e ekspozitave të pikturës (përfshirë të skulpturës dhe fotografive), promovimin e librave dhe muzikën e dhomës. Vetëm në 2 muajt e fundit, në Klubin e Artit dhe Kulturës janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme kulturore të tilla si ekspozita personale e piktores së mirënjohur Lume Blloshmi, Koncerti i trios akademike (me instrumentistë Fatos Qerimaj-klarinetë, Merita Rexha-piano dhe Arben Llozi-violë) si dhe promovime librash dhe ekspozita pikture të artistëve të njohur dhe të rinj. Në javët në vijim, Klubi i Artit dhe Kulturës, nën drejtimin e z. Dizdari do të organizojë ekspozitën e piktores kosovare Agnesa Muharremi, portret artisti të pianistes Rudina Ciko, promovimin e librit të poetit Ruzhdi Gole, mbrëmje muzikore me pedagogë dhe instrumentistë të Universitetit të Arteve etj.