Fitnete Duro:Numrat më të bukur i jepnim në Pallatin e Brigadave para udhëheqjes

1043
Sigal

INTERVISTA/ Flet artistja e cirkut të Tiranës Fitnete Duro

Cirku me madhështinë e tij dhe me numrat e vështirë kudo ndiqet me interes. Dikur Cirku i Tiranës ka qenë një cirk që konkurronte me ato europianë. Pas përmbysjes së diktaturës prej tij, u larguan shumë artistë dhe cirku sikur u tkurr. Kalimi në vartësi të Bashkisë, e zbehu rolin e tij pasi askush nuk kujdesej për bazë materiale. Tashmë kur ka kaluar sërishmi nën vartësi të Ministrisë së Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve sikur ka marrë frymëmarrje.

Kur ke filluar për herë të parë në cirk?

Unë kam filluar në vitin 1976, pasi kam bërë stërvitje në studio për rreth katër vjet. Pastaj kam kaluar si profesioniste në Cirkun e Tiranës. Kam 35 vjet  që e ushtroj këtë profesion.

 Në ç’moshë ishit atëherë kur e filluat profesionin?

Isha tetë vjeç. Shihja gjithmonë cirk, kur mundja dhe zemra aty më rrinte. S’e mendoja se do të bëhesha dhe unë pjesëtare e cirkut. Më dukeshin njerëz të tjerë të veçantë ata.

 Si ju zbuluan?

 Atëherë na vinin nëpër shkolla dhe na shikonin aftësitë që kishim dhe pastaj na ftonin në Shtëpitë e Pionierit. Prej andej, n.q.s kishe të dhëna na merrnin në Cirk.

 Kush ka qenë mësuesi juaj i parë në këtë profesion?

 Ka qenë mësuesi i shkëlqyer Bashkim Caslli në Pallatin  e Pionierëve. Ai më stërviti me durim që më vonë të kaloja në Cirk.  Pastaj në Cirk gjeta mësuesin Arjan Miluka, që ishte një mjeshtër i vërtetë i cirkut. Ai ishte një talent i rrallë dhe zor se mund t’i vijë më cirkut. Ai tashmë është profesor cirku në Belgjikë.  Ai na ka stërvitur dhe sot kujtohen dhe mbahen mend numrat që kemi përgatitur me të.

 Çfarë ke realizuar në shfaqjen e parë?

Numri i parë ka qenë shkallë në ekuilibër.  Pra, mbaja shkallën si bazament, ku lart hipte një vajzë plastike. Shkalla ishte shumë e rëndë, kur unë ende isha 15 vjeç. Vajza që lart ishte më e rëndë se unë, por profesori duke parë këmbët e mia të forta ma besoi mua këtë rol. Pastaj është luajtur në trapeza fluturues, me  Silvana Dumin. Unë isha e angazhuar në gjithë shfaqjen, por jo në rol direkt.

 Keni luajtur para udhëheqësve të regjimit monist?

Po, kemi luajtur në Pallatin e Brigadave dhe në Pallatin e Sportit me numra të zgjedhur, pra jo e gjithë trupa e cirkut.  Ishte nder i madh atëherë që të luaje para udhëheqësve. Disa herë në Pallat të Brigadave vinte dhe Enver Hoxha.

 Ke pësuar ndonjë aksident në shfaqje apo gjatë përgatitjes?

Po, unë kam pësuar. Kisha numrin “bambuja”, ku ishte një shkop i gjatë, 10 metra që e mbante në sup një mjeshtër i cirkut  dhe bambuja ishte konsumuar dhe u thye dhe ne dy vajza që ishim lart,  ramë në shesh megjithëse isha e siguruar me rrip. Dhe në fakt numri ashtu ishte, apo titullohej rrëzimi. Rashë keq dhe u dëmtova në kurriz. Ndenja shtrirë rreth një muaj. Mendova se nuk do të bëhesha më për cirk. U tmerrova. Por jo, me kohën u shërova.  Më pas këtë shkop bambuje e zëvendësuam me tub hekuri. Edhe sot ashtu e kemi sepse jemi më të sigurt.

 Ky ishte ushtrim i vështirë?

Po dhe unë ja kam mësuar apo kaluar vajzës time Klaudias që hipën në një bazament tjetër, ku mbajtës është Rubin Zuna (bazament) dhe me vajzën time është dhe një vajzë tjetër.

Cirku ynë a bën  numra që përafrohen me cirqet më të mirë në Europë?

Po, disa numra janë me shumë nivel, njëlloj si ato të huajt. Ne kemi vertikalist si Ibrahim Selishta, që kanë po atë nivel sa ata të huajt.

 A mbushej në sistemin komunist cirku?

Mos e fol. Plot, në çdo shfaqje. Radhë kishte dhe respekti ndaj nesh ishte i madh.

Cirku jonë sot, a është me aq artistë sa në regjimin komunist?

Së pari, dua të them se numri i artistëve në cirk është tre herë më pak nga 90 veta besoj se s’jemi as 30. Në atë regjim ne ndaheshim në dy grupe për stërvitje dhe për shfaqje. Një grup jepte shfaqje në veri, një tjetër në jug. S’kemi lënë fshat pa vajtur për qytete nuk diskutohet. Me ardhjen e demokracisë shumë artistë ikën në mërgim. Në atë periudhë na u ça dhe çadra dhe detyroheshim të jepnim shfaqje tek piramida.

 Si do ta cilësonit cirkun në regjimin komunist?

Në atë kohë vlerësoheshim shumë sepse ne atëherë vareshim nga Ministria e Kulturës. Gjithmonë na jepnin Fletë Lavdërimi. Shpërblim material jo, por moral na jepnin.  Pra, paga ishte qesharake…. Në periudhën e demokracisë ne na kaluan në varësi të Bashkisë. Kështu për ne s’u kujdes asnjë më. Na kanë në dorë të fundit. Tani po përjetojmë shansin më të madh që na mori Ministria e Kulturës, pasi jemi bërë Cirk Kombëtar. Më duket se po marrim vlerësimin që duhej.

Cilat janë problemet e cirkut sot?

Së pari, s’kemi shumë bazë materiale. Pra, nuk kemi shumë vegla. Shumë janë të vjetra. Duam një rrethrrotullim. Vertikalisti le të jetë i përgatitur sa të dojë n.q.s s’ka një bazë materiale, një vegël të sigurt apo të mirë bie cilësia. Ne sot kemi vetëm një mekanik për veglat Kujtim Zunën, ndërsa më parë kemi pasur tre mekanikë një inxhinier, sado të bëjë ai këto janë shumë të vjetra. Një mekanik e mbajmë si ujët e pakët.

 Ju keni dy vajzat tuaja që po përgatisni?

Klaudia dhe Era janë dy vajzat e mia, të cilat po i përgatis vetë. Klaudia ka kohë që është pjesë e cirkut, ndërsa Era po përgatitet si pjesëtare, megjithëse, nuk është pjesë e cirkut në karrierë. Klaudia ka bërë numra në bambu në zhongler, ka bërë shtangën si spirancë, ka bërë numër magjie bashkë me Erën, ku numrat e magjisë, deri tani nuk kanë qenë pjesë e cirkut, ku ato ndërrojnë 6 ngjyra fustani. Këtë numër ua bëri mjeshtri Kujtim Dule.

Sa profile janë në cirk?

Janë shtatë profile, zhonglerët, kafshët, vertikalet, prestigjatori, akrobacia, klounët.

 Kush kanë qenë klounët më të mirë?

Kanë qenë Ben Shaka dhe Met Selimi.  Ishin dy mjeshtra, të cilët janë zëvendësuar me çuna të rinj.

Kush mbizotërojnë në cirk vajzat apo djemtë?

Them se janë të barabartë, por vajzat fitojnë më shumë pikë në shfaqje, pasi janë të bukura, janë delikate, të vogla, të brishta dhe publiku me to ndihet më i afruar. Pra, femrat marrin më shumë duartrokitje.

Po meshkujt, ku dallohen në cirk?

Në ushtrimet e forcës, këtu ata dallojnë nga femrat shumë. Varet nga profilet. P.sh vajza ime Era, bën një numër të veçantë si fjongo.

Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Jo, aspak. Edhe nga ana ekonomike ndihem mirë, pasi bëj një jetë të thjeshtë pa shumë pretendime. Nuk më iket nga cirku edhe kur jam e sëmurë vij prapë.

Po të ishe jashtë do ishe më e vlerësuar?

Po mbase do kisha më shumë vlerësim nga ana ekonomike, por ndihem më mirë këtu, pasi jam në vendin tim.