Listat e deputetëve “mina me sahat” për kryetarët

564
Sigal

Biznesmenë, shoqëri civile dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare pritet të jenë kandidaturat e reja

Listat e deputetëve janë kthyer në “mina me sahat” për krerët e partive dhe sherri që pritet të plasë pas publikimit të emrave pritet të “hedhë në erë” atmosferën politike, parazgjedhore. Kjo sepse pas publikimit që i është bërë disa emrave, bie menjëherë në sy se ata janë biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në shumicën e rasteve, nuk kanë asnjë lidhje, me partitë. Madje, as familjarët e tyre nuk kanë pasur kurrë lidhje me selitë e partive, por aktualisht, ata janë gjendur si me “urdhrin e peshkut” në këto lista. Por reagimi pritet edhe për faktin se në listat partiake do të dalin edhe emrat e aleatëve, të cilët do të zënë vendet e të tjerëve. Duke filluar me Shkodrën për PS-në, mund të themi se, deri tani, vetëm 4 vende quhen të sigurta, ndërsa të tjerët po përfliten. Ajo që dihet është se në Shkodër, është liruar një vend në listën e 23 Qershorit, pasi kryesuesi Ilir Beqaj, do të kandidohet tashmë në Tiranë. Ndërsa, deputeti aktual Astrit Beci, nuk është më në planet e ardhshme, meqenëse nuk ka qenë aktiv sa duhet, jo vetëm në Kuvend, por as në strukturat e PS-së lokale. Nga ana e tij, deputeti i Pukës, Ndue Kola, tashmë ka zyrtarizuar divorcin me Edi Ramën, teksa edhe ish- pedagogia Paulina Hoxha nuk do të ruajë pozicionin që ka aktualisht. Një lojtar “i fortë”, por që nuk ka marrë akoma konfirmimin përfundimtar është Paulin Sterkaj, i cili u zgjodh me votat e PD-së në 2009-n, por tashmë quhet i pesti i PS-së në Shkodër. Në Qarkun e Lezhës situata është edhe më e rënduar. Gjithashtu, ka plasur një luftë e hapur në mes ish- deputetit, ish- kandidatit për Kryebashkiak Gjok Jaku dhe kryetarit aktual të KB Lezhë, Agostin Marku. Jaku akuzon Markun që bashkë me deputetin Kadeli kanë sabotuar fitoren e tij në zgjedhjet e 8 Majit. Problematik në këtë qark është edhe deputeti Armando Prenga, i cili kërkon me çdo kusht rikandidimin më 23 Qershor. Gjithashtu, në Qarkun e Lezhës, lista mund të kryesohet nga Preç Zogaj dhe e dyta mund të jetë Lindita Nikolla, në qoftë se Rama zgjidh problemin e Minibashkisë nr.1 në Tiranë. Por Ajo që dihet është se, emri i Spartak Ngjelës do të jetë në krye të listës së kryeqytetit. Gazeta ka zbuluar disa prej tyre, të cilët tashmë kanë marrë “detyrat” nga Kryetari i PS-së dhe kanë nisur punën në terren. Vexhi Muçmata, ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës, tani prokuror i thjeshtë, është caktuar nga Kryesocialisti për të kandiduar në Qarkun e Kukësit. Ylli Ziçishti, shefi i Urgjencës Kirurgjikale në QSUT, do të jetë kandidat i PS-së në Qarkun e Korçës, në zonën e Devollit. Një tjetër emër në listën e kandidatëve socialistë është Genc Guga, biznesmen, anëtar i Asamblesë Kombëtare, i cili do të jetë në listën e Qarkut të Gjirokastrës, për të mbuluar rrethin e Tepelenës. Ndërkohë, mësohet se, anëtari i Kryesisë socialiste, Shkëlqim Cani, do të kandidohet në Qarkun e Dibrës, ku është dhe i deleguar. Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, do të kandidohet në Qarkun e Korçës, Keti Bazhdari në Qarkun e Shkodrës. Por, lista e Partisë Socialiste do të pësojë lëvizje, ku deputetët do të lëvizin nga qarku, ku janë aktualisht. Ndërsa Arben Ahmetaj, ikën nga Qarku i Korçës, për në Tiranë, ose në Qarkun e Gjirokastrës.

Konfirmimi

Gjithashtu Rama, sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf”, brenda PS-së, u ka konfirmuar zonat e kandidimit deputetëve aktualë, Vasilika Hysa, Ermonela Felaj, Eglantina Gjermeni, Artan Gaci, Xhemal Qefalia, Luiza Xhuvani, Arben Isaraj, Ditmir Bushati, i cili do të kryesojë listën në Qarkun e Shkodrës, së bashku me Keti Bazhdari, Fidel Ylli në Berat, Ervin Koçi  e Arion Muçaj në Fier, Klodiana Spahiu në Durrës. Deputeti Sadri Abazi do të kandidojë në Tiranë, në vend të Eduart Shalsit, ndërsa Pirro Lutaj është në diskutim për të qenë në renditjen e vendeve të sigurta që dalin deputetë në Qarkun e Fierit. Deputeti Anduel Xhindi, përfundimisht, do të jetë në renditje më poshtë se vendet e sigurta, ndërsa deputeti Bashkim Fino do të largohet nga Fieri, për të kandiduar gjetkë, sikurse edhe deputeti Albert Çaçi nuk e ka të sigurt renditjen fituese në listën zgjedhore të Qarkut të Fierit. Flitet që Paskal Milo të futet në listat e Qarkut të Korçës, ndërsa Gjinushi flitet për në Qarkun e Vlorës. Jashtë listave ka shumë mundësi që të mbeten Arben Çuko dhe Alfred Dalipi. Me shumë dyshim shihet edhe emri i Armando Prengës, në Partinë Socialiste Gjovalin Kadelit në këtë parti, ndërsa demokratët duken disi më të shqetësuar. Sepse përveç Jozefina Topallit dhe Edi Palokës, kandidatët e tjerë vihen në pikëpyetje të madhe. Kështu, Mark Marku, Pavlina Hoti, Rrajmond Hoxha dhe disa të tjerë nga Qarku i Lezhës janë krejtësisht të pasigurt për 23 Qershorin.

Dhe duke kaluar nga veriu në jug, një burim i selisë rozë konfirmon se, në këtë listë do të jenë si emra kryesorë:

Skënder Gjinushi, Arta Dade, Arben Ahmetaj, Et’hem Ruka dhe Anastas Angjeli. Kështu, emrat e Arta Dades dhe Et’hem Rukës janë të garantuar, ndërsa të tjerët ndodhen në pritje të vendimit të fundit të kryetarit. Nga ana tjetër, deputeti aktual i PD-së, Genc Pëllumb Ruli ka marrë premtime për rikandidim, por janë dëgjuar edhe disa zëra për ndërrimin e zonës së tij.  Edhe Spiro Ksera, i cili i duhet PD-së për zonën minoritare, duket se aktualisht po gjendet përballë një rreziku, nga një minoritar tjetër, i cili po fiton çdo ditë e më shumë pikë, brenda selisë blu. Ndërsa, Vangjel Llambi Tavo do të kandidojë për LSI-në.

Në Vlorë

Ndërkaq, PS-ja, ose koalicioni i majtë në Vlorë po përgatitet të hedhë në Vlorë këto kandidatura: Paskal Milo, Fatmir Xhafa, Luiza Xhuvani, Eltar Deda, Fatmir Toçi, Ilmi Kasemi dhe Ruzhdie Stefa. Kështu duket qartë se Arben Astrit Isaraj do të qëndrojë në pritje, ndërsa Arben Qamil Malaj, është krejtësisht në kompetencën e Edi Ramës. Këtu përflitet nga të djathtët, se Koço Barka do të përfaqësojë përsëri Partinë Demokratike, por ka zëra që e nxjerrin atë jashtë liste. Ndërkaq, Astrit Hiqmet Patozi do të kryesojë përsëri listën, ose mund të ndryshojë zonën  e përfaqësimit. Këtu do të jetë edhe Dashamir Tahiri, i PDI-së, ndërkohë që emrat e tjerë do të diskutohen përsëri edhe për ca ditë. Natyrisht, ekziston një mundësi për Eltar Deda, Fatmir Toçin, Kreshnik Çipin, Luiza Xhuvanin dhe Shpëtim  Idrizin.