Arben Imami, dorëzohet në Librazhd për 23 Qershorin

457
Sigal

 Disa nga krerët e komunave bojkotojnë takimin. Imami flet me duar në xhepa dhe nxiton për të ikur

Dukej se mezi priste të mbaronte takimin me elektoratin për t’i hipur makinës që do ta kthente në Tiranë. Nën një frymë indiferentizmi, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka mbajtuar një fjalim të rëndomtë, pa i hequr asnjëherë duart nga xhepat.“Themi t’i fitojmë edhe zgjedhjet e 23 Qershorit”, –  ka thënë ministri i Mbrojtjes Imami, në Librazhd, në përkujtim të 22 – vjetorit të krijimit të Degës së PD-së, së këtij rrethi.

Indiferenca

Ky ishte një takim, i cili i ngjante më shumë një homazhi, sesa një feste. Kjo për faktin se të pranishmit në sallë jo vetëm nuk tregonin atë entuziazëm e optimizëm, që kanë shfaqur në raste të tilla, ku në sallë, edhe pse gjendeshin tre-katër flamuj blu, por ata “rrinin” të mbështetur pas ndonjë karrigeje dhe askush nuk i merrte në dorë e t’i tundte, si përherë. Një ftohtësi e paparë, nga njëra anë, por edhe një indiferencë e lexueshme, karshi të deleguarve të qendrës, sikurse ishte ministri Imami, i cili mban edhe detyrën e kryetarit të grupit të punës për Qarkun e Elbasanit, pas largimit të zotit Lulzim Basha për në Bashkinë e Tiranës. Asnjë pjesëmarrës nga qarku Elbasan, qoftë prefekti, kryetari i Këshillit të Qarkut, apo Kryetari i PD-së së Elbasanit nuk ishte i pranishëm në këtë takim. Përpos kësaj, kryetari i degës së PD-së, në Librazhd, Luan Hasa nuk ka pasur kurajën të zërë në gojë as themeluesit e degës së kësaj partie në Librazhd dhe as të ketë në krah ndonjërin prej tyre. Më pas, ai ka ftuar në podium kryetarët e njësive vendore, ku drejton PD-ja në Librazhd, ku ka rënë në sy mungesa e kryetarit të Komunës Hotolisht,

Divorci me elektoratin

Fadil Alliu, për shkak të divorcit të tij me deputetin e zonës Rrahim Çota, të cilët jo vetëm janë nga një fshat, por deputeti ishte ai që e propozoi këtë për kryetar të Komunës. Nga ana tjetër, deputeti dhe zonja e tij, u ndje i braktisur edhe nga kryetarja e gruas, Xhuljeta Boriçi, që njëkohësisht është motra e Kryekomunarit të Hotolishtit. Ndërsa gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ministri Imami, përpara të pranishmëve në sallë, është treguar i pasjellshëm,  teksa fliste me duar në xhepa, duke lënë një shije jo të mirë tek demokratët e Librazhdit, për më tepër, kur ka pohuar se “Ne themi t’i fitojmë edhe këto zgjedhje…”. Një shprehje e tillë, jo vetëm shprehte një farë pesimizmi, por e linte të nënkuptohej që e thënë ndryshe, kjo do të thotë se rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit është “në dorë të Zotit”. Ose dikush, nënkuptimin e çon edhe më tej, duke thënë së Librazhdin nuk e ka në refene askush, pasi fajtor për shumë probleme  të  ndodhura kohët e fundit, me shkarkime e emërime pa kriter në këtë rreth, është vetë ministri Arben Imami dhe deputeti Rrahim Çota. Sepse vetëm një ditë më parë, është shkarkuar nga detyra nënprefekti Arjanit Leka dhe në vend të tij është emëruar nga zoti Flamur Noka, Kryetari i ri i Degës së PD-së, Luan Hasa. Po këtë ditë është shkarkuar përgjegjësi i Hipotekës, Fatmir Alla, i cili është zëvendësuar nga një ish polic. Dhe përgjigja është e thjeshtë. Për hir të këtyre lëvizjeve të panevojshme tre muaj para zgjedhjeve ,si dhe të shumë të tjerave të bëra më parë në arsim, mungojnë edhe ovacionet në sallë. Shifra e anëtarësisë prej 3000 anëtarë të PD-së, në një rreth me 80 mijë banorë, që përmendi kryetari i degës së PD-së, Hasa, vërtetë nuk të jep ndonjë kënaqësi. Ndoshta, vetëm deputeti Çota mund të ndjehet i kënaqur me lëvizjet që ka bërë, paçka se vetë njerëzit e PD-së mbeten të pakënaqur.