Media italiane: Misteri i pendesës së financierit të Habilajve

582
“Meridionews” shkruan se Nazer Seiti ndodhet në qelitë e burgut në Romë dhe nuk është transferuar në Katania
Media italiane bëri të ditur se Nazer Seiti, i njohur si financier i bandës së Habilajve në trafikun e drogës, dosje për të cilën hetohet në Shqipëri edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk është penduar për të bashkëpunuar me autoritetet. Në një shkrim, pas zërave se Seiti do të pendohej dhe do të bashkëpunonte me prokurorët, “Meridionews” nënvizon se i ekstraduari nga Shqipëri ndodhet në një burg të Romës dhe jo në Katania. 

Shkrimi i plotë
Bashkëpunoi apo jo? Hetimi për operacionin “Rosa dei venti” pasurohet me një tjetër mister në aksin Shqipëri-Itali. Protagonist këtë herë është Nazer Seiti, 41 vjeç, i ekstraduar nga vendi i Ballkanit në fillim të vitit 2018, pasi u arrestua në mesin e tetorit të vitit të kaluar nga policia shqiptare. Sipas të dhënave të pakonfirmuara, njeriu në fjalë sot (dje) duhet të kishte takuar magjistratët e prokurorisë së Katanias. Të njëjtët magjistratë, të cilët bashkë me forcat e “Gico” të Guardia di Finanza, kanë hetuar prej vitesh për bandën e krijuar nga vëllezërit Florian dhe Moisi Habilaj. Emra këta pak të njohur në Itali, por që në Shqipëri, pas arrestimit të tyre, dhanë të dhëna të mjaftueshme për një krizë qeveritare për shkak të lidhjeve farefisnore me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Politikani në fjalë, i përmendur në disa përgjime telefonike dhe mjedisore, përfundoi më pas nën hetim me një mandat të hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Seiti, i konsideruar nga hetuesit si financieri i grupit, sipas të dhënave të mbledhura nga “MeridioNews”, momentalisht mbahet në Romë, në burgun e Rebibias. Nuk është transferuar në Katania, siç zbuloi nëpërmjet një postimi në “Facebook” edhe gazetari Basir Çollaku, lajm i përhapur më pas në të gjitha mediat. Për Seitin, si dhe për të dyshuarit e tjerë, prokuroria e Katanias ka mbyllur dosjen e hetimeve dhe së shpejti Habilaj dhe partnerët, duke përfshirë disa grosistë italianë të cilët operonin në Katania, do të dalin në gjyq. Seanca e parë dëgjimore ka shumë gjasa të zhvillohet brenda pak javësh, edhe pse data nuk është caktuar zyrtarisht.

Policët shqiptarë e arrestuan Nazer Seitin gjatë një operacioni antidrogë në Babicë, pranë Vlorës. Procedurat për ekstradimin e tij nuk ishin të thjeshta, madje u shoqëruan me shumë polemika politike. Në ballë të tyre u vu Partia Demokratike, parti e djathtë e kritike ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas opozitës, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kishte dhënë dritën e gjelbër për transferimin në Itali të Seitit për të shmangur përfshirjen në dosjen e Prokurorisë së Tiranës. Seanca e sotme (djeshme) hetimore, që thuhej se ishte planifikuar të niste në orën 14:00, u mohua nga avokati mbrojtës i të hetuarit Seiti, Maurizio Catalano, për “MeridioNews”. Qëndrim në të njëjtën linjë me atë të homologut shqiptar, Detar Hysi. “Seiti nuk ka shprehur ndonjë dëshirë për t’u penduar,” shpjegon avokati.
Sigal