Vetëvritet polici, i ati: Nuk plotësonte dot dokumentet e vetingut

708
Kastriot Fafaj, polic në Drejtorinë e Policisë në Fier, vrau veten me armën e tij të shërbimit. Ende nuk janë zbardhur arsyet e kësaj ngjarje, por babai i tij fajëson procesin e vetingut dhe kërkesat për të plotësuar shumë dokumente. Ai thotë se i biri kishte frikën se mos humbte punën. “Kohët e fundit ishte shumë i ngarkuar emocionalisht, ishte i stresuar shumë, pasi i kërkonin të gjitha lëvizjet që bëheshin, kërkonin lëvizjet e mia në Greqi, sa pension merrja, ku i kisha dokumentet e tokës. Nuk e dimë nëse ka pasur ndonjë gjë tjetër, ishte njeri i pastër, por mendojmë se e ka pasur nga ngarkesa e shkaktuar”, tha Shyqyri Fafaj, i ati efektivit të vetëvrarë. Edhe familjarët e tjerë të policit mbrojnë këtë version për ngjarjen. “Po i kërkonin disa dokumente që ishin shumë të tepërta. Ishte shumë i shqetësuar se kishte frikën e heqjes nga puna, jo se kishte ndonjë pasuri, por kishte problemin e dokumenteve. Në mëngjes kishte fikur telefonin. Ai ishte njeri i drejtë. Nuk la asnjë mesazh, asnjë letër. Nuk kishte asnjë problem tjetër, se nuk po e bënte dot”, tha Hasan Zharaj, i afërm me Kastriot Fafajn. Problemin e ngarkesave me dokumentet për vetingun e kanë ngritur edhe sindikata e policisë. Ndërsa në të njëjtën ditë kur ndodhi ngjarja në Fier, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme shpjeguan se nuk duhet të paguajnë për të gjetur dokumentet.
Sigal