Unë s’e kisha parë.
Por dita kishte çelë.
Një ditë e bardhë
E larë me diell.
Mbi trupin sorkadhe të hardhisë,
që nga gazi i kishte shkarë një pikë lot.
Mbi krahët e stërmunduar të zogjve shtegtarë
që lanë kilometrat e fundit
e hyn në kraharorin tim,
sot.
Dhe unë s’e kisha parë?!
Po ti më thirre vetë.
Zë bukur si një e njohur e vjetër.
Më thirre në emër.
Vrap u çova.
U zgjata në eter:
– Kush thirri poshtë dritares sime?!
Ajo afrohej.
Më kapte duart.
Më lëmonte flokët.
E pashë. Pastaj e ndjeva.
E tëra brenda qenies sime.
Si brenda rrënjëve.
Si brenda sythave.
Pëllëmbë për pëllëmbë të këtij dheu.
Unë e ndjeva…
Pranvera SHPËRTHEU
Çorovodë, 1988