Presidenti Meta merr pjesë në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë “Një Politikë e Jashtme e Re”

429
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ftuar në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”, vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballen rendi botëror dhe institucionet ndërkombëtare. Presidenti Meta, nënvizoi se: “pas më shumë se 70 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe gati tre dekada pas Luftës së Ftohtë, sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt”. “Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore”, – u shpreh Presidenti Meta dhe solli në vëmendje të auditorit dhe rolin e Shqipërisë, që për herë të parë bëhet pjesë e projekteve strategjike energjetike përmes korridoreve të gazit TAP dhe IAP. “Këto projekte kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe pozitivisht rolin e Shqipërisë në rajon, e më gjerë”, – u shpreh Presidenti Meta.