Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: “Shtëpia e vjetër”

1013
Ka një mall dhe peng në jetën e çdo njeriu; një dashuri që dhemb e që nuk shuhet kurrë! 
Vendi ku hedh hapat e parë dhe fillon të kuptosh dashurinë që të rrethon:
Shtëpia e vjetër
Këtu larg teje, sonte bie shi,
Mes dritave malli sytë m’i lan,
Shtëpizë e vjetër ç’m’u kujtove ti,
Atje ku malli sytë ty t’i than…
M’u shfaqe sonte e gjallë për çudi, 
Me tjegulla të thyera, strehëz e vjetër,
Ku fiqtë thaheshin në degë dhe ti
Më prisje tek dera si askush tjetër.
Më përcillje mëngjeseve gjithë merak,
Parfum trëndafilash më hidhje tek porta,
I dhembshur e i varfër ai prag,
Kështjellë ëndrrash, të mëdha sa bota…
Më prisje netëve me libra nën sqetull,
Me gjethe manash më puthje në faqe,
Mbi oxhakun e vjetër hëna si vetull,
Më luante syn’ e ndezur manushaqe.
Kur të iki nga kjo botë nën krye,
Të më shtrojnë si stoli, me vete të marr,
Një copë dru a gur nga ty,
Do të jetë më madhështori varr…


Sigal