Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Shitësi i synopseve

110

Ashtu i tretur, i bërë dyllë në fytyrë, me mjekër të pakrehur dhe me duar qe i dridheshin, Artur Miele e thirri të birin të ulej ngjitur me shtratin e tij në spital. Kishte ndër mend t’i thoshte diçka që e kishte bluar kohe me pare ne mendjen e tij.

– T ani dëgjomë mirë – i tha Kenit – Testament nuk do të lë. Ti dhe jot motër nuk keni pse të grindeni për çfarë do të lë pas. Por synopset e librave që kisha ndërmend të shkruaj je i lirë t’i shesësh. -Baba po unë as nuk e di ku i ke ato synopse. I ke shkruar diku apo jo?

-Ca i kam të shkruara, ca jo. Këto që nuk i kam të shkruara do të t’i tregoj me gojë. Në daç mbaji shënim, në daç mbaji mend.

Kaq tha Artur Miele dhe ia trazoi shpirtin të birit. Nuk ishte se po ëndërronte të vinte ndonjë pasuri kush e di se çfarë me shitjen e synopseve të të atit. Më shumë druhej se i ati kishte rrjedhur nga mendtë e kokës, sepse gjer më tani, ai nuk kishte dëgjuar që një shkrimtar, qoftë edhe nga ata të Nobelit, në prag të vdekjes të kishte shitur synopset e veprave të tij të pashkruara.

– Baba, unë nuk kam dëgjuar që dikush ta ketë bërë këtë që po më kërkon ti mua. Kam dëgjuar se ka pasur shkrimtarë që kanë ndërruar jetë dhe kanë lënë pa botuar pothuaj gjithë veprat që kanë shkruar. Por, më duket e çuditshme se si mund të shes unë synopse të tuat, domethënë vepra të pashkruara.

-O bir, ti paragjykon. Ti provoje njëherë.- tha Arturi me zë të mekur duke i kërkuar një gotë ujë Kenit.

-Baba, unë do ta provoj, po nuk dua të bëhem qesharak.

O bir, ti mos druaj se edhe nëse bëhesh qesharak do të bëhesh për emrin tim. Pastaj, në këtë botë ku njerëzit shesin gjithçka që kanë, pse qenka qesharake që ti të shesësh synopset e mia?!

-Sepse ato synopse me duken si skelete kufomash, baba, prandaj…

Po ndoshta dikush mund t’i marrë skeletet dhe t’u veshë mish dhe gjak e t’i bëjë njerëz…

-Po unë nuk kam asnjë ide se çfarë çmimi t’u vë. Ja si më thua ti, ku t’i gjej unë çmimet?

-Çmimet unë nuk t’i them. Po ti jep e merr me atë që do t’i blejë. Po i qeshën sytë blerësit, jepja .Se po i qeshën sytë do të thotë se thellë në zemër ka dashuri…

-Po kush do t’i blejë o baba, nuk ka shkrimtar që blen synopse. Nuk është e thënë të jetë shkrimtar. Mund të bëhet më vonë…Shkrimtar që blen synopse mund të mos ketë, por ka që vjedhin…

-E po mirë atëherë më thuaj ku i ke futur synopset?

-I ke tek blloku me kapakë blu, në sirtarin e fundit të bibliotekës. Janë dhjetë synopse. Gjithë gjithë pesë faqe të shkruara me shkrim dore. Por një do të ta them tani me gojë…

Artur Mielen e zuri një kollë e thatë, siç e zinte gjithmonë dhe gati sa nuk iu mor fryma aty në prani të të birit. Mund t’i kishte pushuar edhe zemra në çast edhe pa e nxjerrë nga goja atë synops, por lavdi zotit, shpëtoi paq falë një gote ujë që i dha i biri. Pastaj nisi të flasë përsëri ngadalë, thuajse e rrokëzonte çdo fjalë që nxirrte nga goja.

-Tani shkruaj- i tha Kenit.

I biri nxori bllokun e shënimeve dhe qe gati të shkruante çfarë i thoshte i ati.

-Unë dhe im vëlla. Vëllain e ka pushtuar frika. Do që ta ndajë friken e tij me mua. Do të ma fusë mua në gjak. Unë nuk e pranoj që frika e vëllait të bëhet edhe frika ime. Vëllai mban mëri për këtë shkak. Nuk do t’ia dijë për mua që jam në shtrat të vdekjes. Kur vëllai nuk kishte frikë ne qeshnim me njëri tjetrin. Atij tani i ka ikur e qeshura nga buza. Kur vëllai nuk kishte frikë ne shkonim bashkë tek varrezat e prindërve dhe vinim të dy tufa me lule të freskëta. Tani nuk shkojmë më. Unë dua t’ia them babait dhe nënës frikën që e ka pushtuar vëllain. Dua që ata të na dëgjojnë të dyve. Dhe dua ta dëgjoj prej tyre nga varret, se cili prej nesh ka të drejtë, unë që jam në prag të varrit dhe nuk dua t’ia di për vdekjen apo im vëlla që ka frikë nga jeta?

-Baba ky nuk është synopsis, ky është peng.

-Ti quaje si të duash, por unë nuk kam fuqi ta shkruaj, se do ta kisha shkruar vetë…

-Baba, këtë synopsis nuk e shes, këtë do ta shkruaj vetë… Kolla e thatë e Artur Mieles, e thatë si era në Qafën e Buallit, e mbushi dhomën e atij spitali me një të ftohtë prej kallkani… Por sytë, sytë e futur thellë në zgavra, ato sy te mavijosur si shegë të lëna në degë, ndritën çuditërisht. Artur Mieles, i shkoi nëpër mend, se të birit vërtet nuk i la ndonjë pasuri kush e di së çfarë, por ai mund të bëhej shkrimtar me kockat e skeletit të synopsit të tij..