Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga : Vojsava Nelo 

107

VOJSAVA NELO 

Alaska ime

Ai horizont aty, miniera ime.

Prej andej nxjerr mineralet e çmuara.

Alaska ime, ajo e viteve të para,

sot e në vazhdim,

Alaska ime me thesare të rralla.

 

Ai horizont aty, ku perëndon dielli mbrëmje më mbrëmje.

Për të lindur një i ri të nesërmen.

Mëngjes për mëngjes.

Duke ndezur imagjinatën time,

imagjinatën time, që nuk e bëj dot zap.

Nuk e frenoj dot.

 

Sapo vjen mbrëmja e zhytem aty,

në minierën time të artë,

në Alaskë.

Ai perëndim dielli aty, në Sarandë.

 

Prej andej nxjerr thesare: vargje, poezi.

Të gjitha të arta, thonë,

me një shkëlqim që vezullon kraharorëve,

shpirtrave të njerëzve,

duke I tallazitur.

Duke I dehur.

Duke I çmendur, ndoshta,

sikur t’u jetë bërë magji atyre dhe mua

nga ai horizont I flakëruar,

ndërsa dielli varet për të perënduar…

 

KËNGA KA FOLENË NË GJOKSIN TIM  

Kënga ka folenë në gjoksin tim.

Hapsirat e saj, të pamata, gjenden këtu.

Rrezet e para që shkrepin e farfurijnë.

Këtu, është qielli blu.

 

Në frymëmarrjen e pavdekshme të poetit.

Në ëndërrimet që nuk sosen kurrë.

Në ujrat që grugullojnë, ndërsa zbresin,

të kristalta, e gjarpërojnë tatëpjetë, nëpër gurë.

 

Këtu ka folenë kënga.

Në gjoksin që gumëzhin.

Në gjoksin ku vlojnë ndjenja të zjarrta,

që ndizen e shuhen,

duke shkrumbuar shpirtin tim.

 

Ndjenja të vjetra, ndjenja të reja.

Ndjenja të fshehta,

që s’i di njeri.

Që lindin e vdesin si ushtarë të panjohur,

tutje, në dhera të largëta, nën një qiell pus të zi.

 

Në gjoksin tim lodron pranvera.

Kënga ka folenë në gjoksin tim.

Po lidhen gonzhe të reja.

Oh, si do shpërthej një lulëzim…!

 

Në gjoksin tim kënga ka folenë.

Hapsirat e saj, të pamata.

Rrezet e para që shkrepin e farfurijnë

deri sa diejt, të kuq flakë,

bien në amshim!