Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Besnik Mustafaj

970
Sigal

Nën lëkurë

 

T’i vinte një emër asaj njomështie

në errësirën e gojës femërore

e që Jakobit (mua) kur e puthi Rakelën

i zgjoi në fyt atë ulërimën e ujkut,

që ai vetë, burri i zbutur, nuk e dinte ta kishte.

Jakobi pastaj qau, por qau nga dëshpërimi

pse gjithë kjo mrekulli e mrekullive

do të mbetej fshehtë dhe vetëm për fajin e tij

që nuk e kishte ende fjalën për ta

shprehur.

 

Heshtje nuk ka për njeriun

 

Kaq e madhe kjo botë!

Gjallesat e saj të panumërta

Edhe vetëm me frymëmarrje

Një dridhje të pakëputur i japin ajrit të saj

ditë e natë

Njeriu që kam pranë më dëgjon

E për çka flas veç tund e tund kokën.

Unë ndalem një çast, e zë për supesh, e shkund:

– Sikur tërë njerëzit pohimin ta bënin

me një lëvizje të kokës,

Kjo botë me gjithë gjallesat e saj të panumërta,

 

Do të mbetej shkretë

Në atë dridhjen ajrore epileptike.

Kjo botë zërin s’e ka te peshqit, te lepujt.

Fol, që ta kuptoj se ke sy e ke veshë,

Fol, jo si papagalli i Robinson Kruzosë;

Dhimbja do zërin tonë prej njeriu për pohimin e vet.

Kaq e madhe kjo botë!

Dhe sa lehtë ne mund ta kthejmë në kufomë kohën e saj

Sikur, edhe sot si dje, të shkojmë rrugës duke përtypur

Vetëm monologë.

1987