Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “Të jesh prodhimtar dhe cilësor”

607
Të botosh për çdo javë dhe prapë të jesh i lexueshëm. Kjo nuk ndodh me të gjithë ata që shkruajnë e krijojnë. Të publikosh shpesh është baras me “rrezikshmëri”. Sepse rrezikohemi prej mosleximit ose shterimit cilësor. Shkrimtarin Qazim Shehu e konsideroj si një ndër më prodhimtarët që vazhdimisht boton krijime, publicistikë, kritikë letrare, shkurt bën letërsi tërheqëse. Q. Shehu ngulshëm i ka sfiduar të dyja këto ekstreme dhe vazhdon të publikojë cilësisht. Ai ka botuar vepra në prozë dhe poezi si: “Fjalët e mëngjesit”, “Fund shpirti”, “Kush e shpiku dashurinë”, “Përmendore në shpirt”, “Në ndodhtë të duhemi”, “Zogu i lumit”, “A isha unë Adami yt”, “Ti më thërret dashuri”, “Fluturputhje”, “Syri i ditës”, “Sa kushton një legjendë”, “Një monument në ecje”, “Të jetë Ama”, “Rusianka” si dhe libri që më nxiti për këto radhë, “Një dritë që s’ndizet për këdo”. Ky libër me titull intrigues, na bën thirrje që të bëjmë sa më parë pjesë të bibliotekës, sepse nesër librin do ta kërkojmë e s’do ta gjejmë vitrinave. Dhe vërtet kështu ndodhi me librin, sapo doli në treg. Duhet thënë që në hyrje se autori e njeh mirë specifikën e procesit krijues dhe s’ka si të ishte ndryshe, pasi ai e ka letërsinë lëndën e zemrës në gjimnazin ku jep mësim. Q. Shehu e ka “hipotekuar” mënyrën e rrëfimit, me origjinalitetin dhe stilin vetjak, të natyrshëm dhe të pandikuar. Autori ia sjell kuptueshëm mesazhet lexuesit dhe e ndan saktë të dobishmen nga e dëmshmja, virtytin nga vesi. Herë me “barut për çifte” e herë me “pambuk” ai e drejton shigjetën e kritikës ndaj të metave të individëve, bartës të veseve duke kritikuar: mburrjen, burokracinë, servilizmin, thashethemexhinjtë, vjedhësit, bukëshkalët, politikanët, aventurierët etj. Z. Shehu i trajton bindshëm të dy llojet e tregimeve, si atë humoristik dhe të zakonshmin, të ardhur në tri kohë: para çlirimit, në diktaturë dhe në demokraci. Paradoks i kohës është mesazhi i tregimit “Klaudio Voght”, ku personazhi ka rrokur majën e suksesit, vetëm pasi vuri në kopertinë emrin e autorit të huaj. Le të sjellim në kujtesë këtu qindra shqiptarët që sapo kaluan kufirin dhe ndërruan emër e fe vetëm për të mbijetuar. Herë në rolin e rrëfimtarit në vetën e parë e herë në vetën e tretë, autori e bën më interesant fabulën e ngjarjes dhe e plotëson personazhin me cilësitë që meriton. Fatkeqësisht edhe pse jemi në shekullin e internetit, tingëllon aktuale shprehja e Shekspirit se “ka ardhur koha që virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit”. Shehu ka një satirë therëse, gjithë sarkazëm dhe alegori. Për të demaskuar falsitetin e raportit kuadër-masë, te “Ara e pavaditur”, me humor, ai u vë personazheve në duar; legena, kazanë, tepsi e kusi, ibrikë…se ndryshe kryeministri e shkarkon nga detyra kryetarin, kurse…në fakt kryeministri s’ia fërshëlleu fare, se e kishte mendjen te gjahu. Bukur është dhënë ideja e dramës së njeriut të dënuar të atyre viteve, ku edhe të afërmit distancoheshin si të ishe me kolerë. Është vlerë që artistikisht proza e shkurtër të të sjellë në sintezë paradoksin shumëvjeçar të një sistemi shoqëror. Autori vë përballë dy karaktere dhe ne ndjejmë mirënjohje për personazhin e sinqertë, i cili i shkon në burg huadhënësit edhe pse i ka një shumë minimale, kurse ai i përgjigjet: “Të tjerët më kanë borxh 10-fishin tënd e s’më kanë ardhur te dera e burgut”. Pesha e fjalës në dialogun e Shehut ka rolin e vet bindës. Një pjesë e tregimeve të Shehut janë në mbyllje me një batutë: “Mirë, i tha Meti, të gjitha i the bukur, po pse u lodhe duke më çarë kokën gjer tani?”, “Ç’është kjo që po proteston?” “Transvestite”! “Ç’domethënë transvestite?” “Politikë shqiptare”.Ose “Të jepja dhe fustanin…, por s’mund të zhvishem lakuriq këtu”. Autori synon që cilësitë e heronjve të dalin nga veprimet e tyre, në marrëdhënie me të tjerët. Nuk i shpëtojnë satirës së Shehut as politikanët, të cilët sapo marrin votën i kthejnë kurrizin popullit…ndërsa vet lahen në vaska floriri, tymojnë ekstra USA e shëtisin Evropën me dashnoret. Autori del në mbrojtje të Fishtës e të Nolit dhe duket se kryen një detyrim të nxënësit ndaj “përbaltjes” së mësuesit. Për: shprehjen “…s’jam më shqiptar…”, të Fishtës, autori thotë:O njerëz! “ai (Fishta), shprehjen…e ka vënë në gojën e personazhit”.Ai demaskon metamorfozën e tipave që politika i bëri lolo të saj. Këto të meta u rikthyen pas ’90-ës ndaj autori pyet i shqetësuar:vallë, po ecim përpara, vendnumëro apo prapa? E keqja para syve po na mbyt. Dhe shkrimtari bën detyrën e tij opozitare me çdo qeveri. Dhe kjo të kujton Kenedin i cili thoshte: “Mos pyet ç’ka bërë Amerika për ty, por ç’ke bërë ti për Amerikën”.Autori hyn thellë në botën shpirtërore të personazheve. Të gjitha rrëfimet kanë befasi e të papritura të këndshme që jo vetëm nuk e lodhin lexuesin, por i nxisin kureshtjen për lexim të mëtejshëm. Situatat zhvillohen natyrshëm, pa sforcime me një gjuhë të pastër letrare, me një dinamizëm në rritje, me konflikt ku vihen përballë vesi dhe virtyti. Subjektin autori e ndërton mbi bazën e një konflikti tërheqës: i shoqërisë me individin, e individit me shoqërinë ose brenda vet individit. Autori vë dorën në plagët e shoqërisë. Krijimtaria e Q. Shehut është e lidhur me hallet e popullit dhe autori mban qëndrim ndaj të metave. Në prozën e tij unë zbuloj një marrëdhënie shpirtërore shkak-pasojë ku shpesh në përditshmërinë tonë rutinë merremi me pasojën, në vend që të gjejmë shkakun. Shehu e zotëron teknikën e ndërtimit të tregimit dhe proceset, detajet kalojnë në filtrin e arsyes para se të fiksohen në letër. Në këto kushte ekonomiko-shoqërore autori zhbiron mbi prirjet e reja që shfaqen në psikologjinë e njerëzve duke na skalitur tipa e karaktere interesante e të besueshëm. Është art i suksesshëm të ndahesh nga libri me buzëqeshje.
Sigal