Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “Pastaj erdhën të paudhët”

815
– Rreth romanit “Gjerana” të Petraq Kotes-
“…Dikur instinkti dhe logjika kanë qenë në raporte shoqërore krejt të ndryshme, tani ato po fillojnë edhe të ngjasojnë. E tmerrshme! Rikthime lashtësie. Kemi shekuj që ndjekim instinktin, po injorojmë, po kundërshtojmë, po vrasim gjithçka dhe këdo, deri te më i afërmi në gjak, apo atë njeri që nuk është si ne…por po të ndjekim me kujdes informacionin e jashtë kufijve tanë shtetëror që na sjell deri ditëve tona historia e njerëzimit, do të përfundojmë së menduari se nuk jemi dhe nuk do të ngelemi kurrë të vetëm në këtë “crash”, kundra njerëzor…Natyra ia paska dhënë njeriut inteligjencën jo si ndihmëse e së mirës së tërë njerëzimit, por si mallkim, për ta shkatërruar çdo çast e hap atë…”
Vetëm duke lexuar këtë paragraf të romanit më të ri “Gjerana” të shkrimtarit myzeqar, bashkëkohor, Petraq Kote, del në përfundimin se kjo do të jetë stuhia ndijesore që do të të mbërthejë furishëm deri në mbarim të librit. Kisha lexuar më përpara nga Petraqi, si: “Mirë se erdhe, Lamtumirë!”, “Këngë e marrë”, “Humbja”, “Muza”, “Ngjarje ndër Muzakë”…etj, por “Gjerana”, më plotësoi bindjen se Petraq Kote i ka hyrë një rrugëtimi të ri stilistik dhe vazhdon të na befasojë me profilin e tij letrar. Që në faqet e para të bie në sy një fillim ndryshe, një fillim veprues, një fillim i zhdërvjelltë sa gjuhësor e letrar. “Gjerana i përket letërsisë së ekzistencializmit, absurdit” Si një fenomen fizik në lëvizje që dëshiron të ruaj gjendjen e mëparshme, ngjarjet e Gjeranës të shfaqen si atavizma të diktaturës. Prurjen ndryshe në letërsinë e shkrimtarit Petraq Kote e shikojmë më spikatur te “Gjerana”, që nga pamja ballore, paraqitjen gjuhësore e stilit të autorit në 14 faqet hyrëse, shmangien e fabulës klasike, tradicionale, panoramën kompozicionale me kulmet e burimeve informative, paradokset e shoqërisë dhe letërsisë soc-realiste gjatë transformimit të sistemit shoqëror, me analizën e guximshme dhe kritike që i bëhet jetës dhe (zh)vlerësimit të inteligjencës njerëzore në tranzicion, marrëdhënieve e dasive (me veten) në veprimin e personazheve, për mbështetjen dhe orientimin autentik të trevës nga vjen autori, qëndrimin ndaj figurës së gruas, uzurpimin e lirisë së njeriut nga “vello” demokracie, për informacionin e kulturën e autorit, përdorimin e detajeve si element kërshërie e gjetje subjektive plotësuese, nga mënyra e përshkrimit të tregimit bazë e deri në marrëdhëniet e personazheve me veten, njeri-tjetrin e sigurimin (diktaturën), ku ata (shumica) në fund të romanit, humbin tragjikisht.

Fabula e romanit kërkon një lexim të vëmendshëm për t’u zhbiruar. Hasani, një mësues kosovar, pasi divorcohet nga gruaja e parë, (sepse e ka kapur “mat”), dashurohet me Pranverën, vajzën myzeqare. Ai ndiqet nga UDB-ja e sigurimi… dhe jeton nën presionin e rikthimit në Kosovë, duke e etiketuar “spiun serb”. “Njeriu i zi”, sigurimsi, përfaqësuesi i zbatimit të diktaturës, ia nxin jetën Pranverës… “Nga dosja hetimore informohemi se Hasanin e mbytën në lum, Pranverën e burgosën, vajzën e tyre, Gjeranën, e çuan në shtëpinë e fëmijës, në Sarandë, e ku më pas e shesin në Itali. Ajo rritet, edukohet e arsimohet jashtë shtetit dhe të duket se jeta e saj survejohet nga “shoqëruesi”. Ajo rifillon jetën me prindër të rinj dhe të pasur, në një vilë në kryeqytetin më të famshëm të botës… Gjatë studimeve në Romë ajo zbulon vendlindjen e saj shqiptare. Artani, shoqëruesi i Gjeranës, bie në dashuri me Gjeranën. Në tentativë ta shpinin Gjeranën të njihte vendlindjen, Shqipërinë, makina ku ndodhej Mario e Livia, (birësuesit), karambolohet me një “iveco” dhe këta vdesin. Nga monologu i Artanit, marrim vesh se babanë dhe nënën e Gjeranës i kanë vrarë… me qëllim që të fshihej një krim i shumëfishtë. Gjerana niset me Artanin për në Nju Jork, në vilën e prindërve, ku edhe do të vazhdojë studimet në universitetin e Harvardit. Gjerana bie në dashuri me Artanin. Kur Gjerana parkon makinën në Durrës dhe zë vend në traget, nuk e dinte se do të gdhihej e lidhur dhe e mbytur në det. Në vdekje e sipër ajo i lë amanet Petritit: “…Mos ma lër vajzën në duart e … “Por edhe ky përfundon në fund të Adriatikut. Sepse autori na e bën të ditur se vrasjet ishin skenar i programuar, rrjedhojë e sistemit ku edhe në kalendar survejonte Partia. “Kush i vret këta njerëz?, proteston vjehrra dhe vajton me Këngën e Dhoqinës /Ditën e pashkës në drekë…/ “Sa shumë të infiltruar në organet e sigurimit të shtetit komunist paska pasur në radhët e shkrimtarëve!”…Romani vërtitet rreth një grupi njerëzish veprues dhe autori ia lë lexuesit të zbulojë tiparet karakteristike të secilit, përmes bëmave të tyre. “Gjerana” është një krijim artistik, sajim i fantazisë së autorit ku raporti art-realitet anon nga arti. Vihet re një tendencë në ilustrimin e rrethanave me ndërthurje poetike, frazeologji popullore, perla të letërsisë gojore apo të autorëve kombëtarë e botërorë. Petraq Kote i vendos ngjarjet në qytetin e Fierit, të Fierit të fierakëve autoktonë shumëshekullorë. “…Fierin e krijuan fierakët, o lalë! Kur erdhën ata me shpata… a me dhen e dhi… ne ishim këtu, proteston autori. Pak, pak, por ishim…” Dhe e drejta e mbrojtjes së autoktonisë myzeqare na vjen bindshëm nëpërmjet toponimisë së trevës: “…e shkuli këmbën”, “duke rënë në gjunjë si buajt e Tod Dëngos”, “rrëzë Rrapit të “Skelës së Semanit”, “fjala e Bush Kotes para kosovarëve”, “prejardhja e fjalës “lalë”, “Gropa e manofit” etj. Romani ka befasi e intrigë çka e bën atë tërheqës, bashkë me elementët plotësues si: retropektiva, kaosi, koha, ironia, cilësi të dukshme të letërsisë moderne e postmoderne.“Gjerana” nuk i qëndron besnik përvijimit të linjës narrative tradicionale klasike, por kalon nga e tashmja në të shkuarën, nga retrospektiva te ekrani, apo si veprime filmike që bëjnë ta mbajnë në tension lexuesin. Ai proteston që të mos vlerësohen njerëzit nga preferencat politike. “Gjerana” është edhe si revolta e brendshme e autorit teksa ndërhyn me jetën e tij si një intelektual publik e produktiv, i flakur padrejtësisht nga puna dhe pse e ka fituar të drejtën me gjyq… “Oh! Ç’sistem poshtërues për vlerat e njeriut!” Po qëndrimi parimor i autorit?

“Jemi shumë pak për të mos u dashur me njeri-tjetrin dhe shumë e shumë më pak për ta urryer”. Autori ngre lart figurën e gruas në përgjithësi dhe të myzeqares në veçanti. “Fytyra e tyre mbeti e bardhë, e shenjtë e hyjnore, nuk ka në botë si vajzat, gratë, nënat shqiptare dhe ato myzeqare…Gratë myzeqare e zbukurojnë Adriatikun” shkruan autori.. Peteri shpërthen, kur vëren përdhosjen ose tentativën për ta ulur dinjitetin e njeriut. “Kur do të përfundojë zhvlerësimi i të aftëve, heshtja e të drejtëve, stepja e guximtarëve?” Kjo na kujton shprehjen e Martin Luter Kingut: “Jo veprimet e gabuara të njerëzve të këqij, por heshtja e njerëzve të mirë është ajo që prish një komb”. Në kuptimin metaforik, “Gjerana” është fati i vajzës, fati i Shqipërisë së shumëvuajtur me ulje-ngritjet e saj ndër shekuj, por edhe sot e kësaj dite. Një personazh i vendosur në detyrimet shtetërore dhe tipareve të tij vetjake në zhvillim e sipër, mbetet Artani, mbrujtur me urrejtjen dhe inatin që shteti i trajtonte opozitarët, ata që nuk ecnin me hapin e tij. Autori na sjell pika kulmore paradoksale të sistemit në tranzicion që i nxjerrin liderët si deti mbeturinat … “…Firmat rentiere po i brenin qytetarët, kurse kryeministri i shqiptarëve deklaronte fjetjen gjumë të depozituesit popull, se depozitat ishin “më se të sigurta”, a thua se dhe vet ai kishte mbyllur lekë në to.(?). Autori operon me detajet e vargjeve të këngëve e teksteve të poezive të të tjerëve dhe të vetat, duke krijuar aforizma interesante “Kur jemi ne nuk është vdekja, kur është vdekja nuk jemi ne”, “Njeriu e shëmtojnë veprimet që bën, jo fytyra që ka”, “I miri rron sa do i ligu”, “Natën mbyll portën, ditën mbyll gojën” etj. Siç e thamë më lart, “Gjerana” paraprihet nga një 14-faqësh ku autori e njeh lexuesin me ekzistencializmin, absurdin,…na shpërfaq një pasqyrë të ngjarjeve, konkluzione vlerësuese e krahasimore të autorëve në vitet 60. Një qëndrim të prerë mban autori për letërsinë dhe shkrimtarët, me vlerat dhe antivlerat e tyre. Sot Fieri ka një plejadë të tërë poetësh prozatorësh, bashkëkohorë, që relatojnë po aq suksesshëm në artin letrar kombëtar…” Fjalët e reja (emër+folje, mbiemër+emër etj) që krijon autori ia zbukurojnë frazën. Ja disa syresh: at-mëmëdheu, dreq-botën, gjum-ëulje, shtrat-lotit, breg-lumin, gjëmim-klithmën, të vetë-gjendurit, peshk-zënësit, mbarim-ligjërimi, fikt-rënie, emrator, fytyrë-nxirje, ndërbuzje, etj… Për “Gjerana” do të dëshiroja më tepër kujdes që poezia të mos “fuste hundët” kaq dendur në prozë. E dyta, të ishte shmangur përdorimi i pakuptimtë i mjaft fjalëve të huaja si: regjionin, destin, silogjimin, asortimente, alkimon, obsesion, predominant, nuk e trand., subversionizmit… edhe pse kjo justifikohet prej autorit që në hyrje të librit. Heronjtë e “Gjeranës” edhe pse jetojnë e veprojnë mes civilizimit evropian trysnohen dhunshëm nga pushtetet e pavotuara diktatoriale në fuqi, për t’u vënë në shërbim total të pushteteve, por dinjiteti dhe personalitet racor, vetjak, bënë që ata t’i mbijetojnë denatyrimit …edhe të vdekur. Autori nuk e kursen armën e vetme të penës së lirë, për të kaluarën diktatoriale dhe “demokracinë diktatoriale” ,“…kohë e marrë…erë e marrë..dhe udhëheqës të marrë”. Si përfundim:Shkrimtari P. Kote ka besim te e ardhmja, te njerëzit që do të bëjnë këtë vend dhe se ka ende shpresë. “… Shqipërisë do t’i shtohen të diturit, do t’i shtohen të shquarit, do t’i shtohen poetët, do t’i shtohen prozatorët,këngëtarët,shkencëtarët…do t’i shtohen trimat, burrat, luftëtarët, do t’i shtohen prijësit”. Do ta mbyllja këtë paraqitje modeste me vlerësimin e Prof. Agim Vincës “…Kote është mjeshtër i peizazhit myzeqar, të cilit i jep një dimension universal….ai preferon fjalën e gjallë e të frymëzuar…ku nuk mungojnë gjetjet interesante, ritmi dinamik dhe figura, herë-herë sureale”.
Sigal