Suplementi Pena Shqiptare/ Haxhi Dikolli: Dhimbje-dashuri

158

Ti nuk ke akoma një portret tëndin
megjithëse prej shekujsh ta premtojnë
e kush do guxonte, të merrte penelin
edhe të të jepte ty, ndonjë formë !

Ti je dita me Diell, je nata me Hënë
je shiu që rrëzohesh nga re të nxira
ti, je ëndrra që na vjen çdo mbrëmje
dhe zhgënjimi që buron nga errësira

Je qeliza dhe germa që na lumturon
shigjeta edhe zëri që shpirtin na çan
je fjala që botën tonë përditë rrotullon
pranga prej çeliku je, që lidhur na mban

Po pyes veten: – Kë duhet të pikturojmë
dhimbjen e egër apo vetë dashurinë?
Të dyja njësoj na kanë bërë të vuajmë
prandaj të dyja, pa portret le të rrinë.