Jam njeri pa emër,
jetoj në balada.
Ç’është ai që kalon? – pyesin njerëzit në rrugë.
Si e quajnë? Si?
O shok!
O burrë i dheut!
O njeri!
Unë eci dhe kokën s’e kthej,
jam njeri pa emër dhe në ç’kohë jetojmë nuk e di:
Emrin ma kanë kyçur në dosje dhe zyra,
ia shtrëngojnë qafën me rrathë kuqalashë,
ia shtojnë pikëpyetjet si kosa kërcënuese,
tmerrohen kur unë dhe emri im jemi bashkë.
Jam njeri pa emër,
jam emërharruar.
Mos njerëzit kanë harruar të flasin, të shkruajnë?
O zot, më keq akoma:
kanë harruar të duan.
Ku shkoi emri im,
ma tregoni pak varrin?
Kam frikë se ndonjë ditë do të dal si i çmendur,
të kap cilindo për mënge në rrugë
e ta pyes:
Më thuaj, o njeri:
Si quhem unë?
25 gusht1985






















