Suplementi Pena Shqiptare/ Kadri Tarelli: Ndodh që rakia bëhet ujë…!

Kasemi, burrë i zgjuar dhe shumë i shkathët, kishte festë në familje, andaj ftoi miq e shokë në gëzimin e tij. Mes të ftuarve kishte edhe një mik nga qyteti, me detyra të larta në pushtetin e kohës, që ja thoshte vençe rakisë dhe muhabetit. Kështu që duhesh edhe raki speciale, nga ajo që shkonte në Tiranë për të “mëdhenjtë”. Raki të tillë “Perla”, kishte veç shoku i tij Ceni, kuzhinier në mensën e kooperativës. Raki që mbahej e shërbehej vetëm kur vinin kuadro të lartë nga rrethi. Kasemi i dinte mirë këto punë, ndaj përgatiti tri shishe qilloshe, i futi në një trastë dhe ia dha Sokolit, djalit, që po bëhej gati për në shkollë, duke e porositur: Ja ku i ke shishet, këtu ke edhe lekët, çoi që tani te mensa dhe i thuaj Cenit t’i mbushë me raki nga ajo e mira. Pas mësimit, kur të kthehesh merri dhe silli në shtëpi. U tha dhe u bitis kjo punë. Djali i uroi Cenit mirëmëngjesin, ia dha trastën, duke i thënë: Është porosi e babës, shishet mbushi me raki “Perla”, këtu ke edhe paret. Në mesditë, pas shkolle po vi dhe i marr. Si urdhëron shoku shef, – bëri shaka Ceni. E vuri trastën në një qoshe dhe po merrej me punët e kuzhinës. Në mesditë u kujtua për porosinë e Kasemit. I hoqi tri shishet nga çanta, më pas nxori edhe lekët. I hapi dhe po i numëronte, ishin për dy kile jo për tre sipas shisheve. – Epo kjo pikë e zezë…, – mendoi me vete. Mbushi dy shishet me raki të zgjedhur, ndërsa të tretën jo, e la mënjanë. Pas pak u kujtua dhe e mbushi me ujë. E morri vesh hilenë e shokut…. I futi shishet në trastë dhe po kënaqej me veten, për zgjidhjen që gjeti. Në mesditë Sokoli erdhi, ndërsa Ceni po e priste të dera me një buzëqeshje të lehtë, duke përfytyruar Kasemin të thartuar në fytyrë, kur të pinte ujë në vend të rakisë. Sa qejf kishte të ndodhej aty, që ta shijonte në vend shakanë. Ceni dhe Kasemi bënin shpesh lojëra mes tyre: kush t’ia hidhte njëri-tjetrit, e më pas t’i rrëfenin nëpër muhabete mes shokësh. S’kaloi më shumë se dy ditë‰ dhe në derë të mensës u duk Kasemi i xhindosur, gati për t’u rrahur me Cenin, që po qeshte me vete. Të dy, pa folur e kuptuan njëri-tjetrin. Ceni bëri të paditurin, por buzëqeshja nuk i shqitej nga fytyra. I erdhi mirë kur mendoi, se shakaja paska shkuar shumë lart. Ç’ke që je bërë furtunë dhe nuk përmbahesh? Kush të ka mërzitur që në pikë të mëngjesit? Më thuaj se ia ndreqim samarin së bashku…! – Po i thotë Ceni, me gjoja shumë seriozisht….  Ç’më bërë more Cen… belaja…‼? Të mbaj edhe për shok të ngushtë! Më turpërove me miqtë, madje edhe me të madhin që kisha në tavolinë. Unë po mburresha dhe po lëvdoja rakinë e vreshtit tonë, por për dreq, si i thonë fjalës, miku e provoi i pari, kur unë po mbushja gotat për miqtë e tjerë. Nuk e desha veten kur na tha me zë të lartë, që ta dëgjonin të gjithë: – Ore Kasem! Që kur ke filluar të presësh e të sajdisësh miqtë, me ujë në vend të rakisë? Kjo është ajo e famshmja “Perla”, që prodhohet nga vreshti këtu në Kodër. Miku nga qyteti e kuptoi menjëherë se nuk ishte keqkuptim, as shaka e të zotit të shtëpisë, por një lojë e pastër mes shokësh. Kështu që u zgjat edhe muhabeti me të qeshura që s’pushonin, kur shijonin “Perlën” e shisheve të tjera, duke ngritur dolli me vargje të goditura në çast: “Nga ky ujë ndizet prushi…/ pikë mjalti, nektar rrushi”. Askush nga miqtë e tavolinës nuk u ankua, madje u gajasën sa mbajtën ijet me duar: – Rrallë ndeshim të tilla ndodhi. Po… sa mirë që vajti kështu‼ E qeshura zgjati deri në mesnatë, kur u mbyll darka. Kasemi, si i “kapur në faj”, duke qeshur tregoi, si kishte ndodhur ngjarja: – Desha t’ia hidhja Cenit, por ai u tregua më i shkathët. Shaka të tilla pa zarar, dalin shpejt dhe marrin udhë për te njerëzit, përsëriten e përcillen në breza dhe gjejnë rastin të rrëfehen nëpër gosti apo festa familjare, sidomos kur është stina e vjeshtës, kur piqet rakia dhe shtrydhet vera. Besoj se edhe sot, miqtë që u ndodhën në atë gosti, qeshin me vete.

 

Sigal