Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Qetësinë ta bëj të flasë

19
Sigal

Do të doja krahë të fluturoj,

po ja, nuk i gjej dot.

Mos mbeta ngulur pa përvojë,

i humbur në këtë botë?

S’e di nëse përpiqem kot,

kuptim në jetë mos t’kem!…

Më sheh në sy, më merr për Zot,

por Zot nuk mund të jem.

Me dhimbjen, të luftoj më fton,

me poezi, pa lot.

Më puth e fort më përqafon,

e prapë më quan Zot.

Por Zot, ta dish, unë s’mund të jem,

besomë, nuk të gënjej.

Veç nëse dhimbjen pas do të kem,

qetësia do t’më brejë.

Ndaj, nis e qesh, në krahë të marr

e humb në hapësirë.

Në sy, si ti, dhimbjen kam parë;

kjo më ka bërë të mirë.

Do të doja krahë të fluturoj

e lart, më lart të ngas.

E nëse rrotull ka qetësi,

qetësinë ta bëj të flasë.

 

Pa kushte

Në një klimë ku bëhet gjithçka

për të ndaluar çdo gjë,

më mbetet

t’i dorëzohem pa kushte dashurisë.

Më mirë

shpirtin dhe jetën s’do të mund ta stolis.

Po të doni, quamëni dhe Don Kishot,

madje dhe të dashurën ma quani Dylqinë.

Se vetëm ajo m’i jep oksigjen zemrës,

ma ushqen mushkërinë.

Ndaj, në këtë klimë

do të refuzoj të vdes,

gjersa dashurisë

t’ia gdhend emrin në kujtesë.