Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Dashamir Uruçi ve dhimbjen e shpirtit në vargje

276
Sigal

 

                 (Rreth librit poetik “Në dritë të vetëtimës”)

Mund të ketë shumë nga ata që nuk mbajnë mend ndonjë poezi, por nuk besoj se ka nga ata që nuk i njohin vargjet e famshme të Çajupit për gruan e tij: “Që ditën që vdiqe, që kur s`të kam parë / Lotët që kam derdhur, s`më janë dhe tharë”. Dhe ashtu në heshtje, gjithkush nga ne ka vajtuar me lot shpirti për dhimbjen e pashërueshme të poetit. Këtë emocion e gjendje trishtimi më solli miku im Dashamir Uruçi, kur kohë më parë më dhuroi albumin, kushtuar gruas së tij të mrekullueshme Esmeraldës, që ashtu sikurse e shpjegon dhe etimologjia spanjolle, me gjithë jetën e saj të shkurtër, mbeti përherë një gur i çmuar me shkëlqim smeraldi për të gjithë shqiptarët. S`më mbetej tjetër veçse të shkruaja rreth këtij albumi, ku midis të tjerave thoshja: “…qysh kur njerëzit krijuan mitologjinë, fantazisë së tyre nuk u shpëtoi pa trajtuar lidhja e fortë bashkëshortore, ndarja e gëzimeve dhe hidhërimeve të jetës mes tyre dhe dëshpërimi i pa anë kur njeri prej tyre u largua nga kjo botë. Mjaft të kujtojmë fatin e Orfeut në kërkim të Euridikës në mbretërinë e nëntokës, ku me ndjenjat e tij të fuqishme për të, zbuti edhe më të urryerin e perëndive, Hadin dhe qenin e tij Cerberin e tmerrshëm”. Dhe më tej vazhdoja: “Ky album do të mbesë poema dhe kënga më e bukur për një njeri që dha shembullin se mes nesh duhet të ketë vetëm dashuri, mirëkuptim dhe buzëqeshje, dhe se Orfeu mitologjik që ende këndon atje në Lemnos, na kujton se sot fare mirë mund ta bëjë punën e orakullit edhe një album si ky i Dashamirit tonë”. Por Dashi nuk e la me kaq; dhe ja tani, ky bashkëshort i plagosur, vjen me volumin poetik të larë në lot zemre “Në dritë të vetëtimës”, kushtuar 60 vjetorit të lindjes së njeriut të tij më të dashur. Herman Hesse një herë pati shkruar se “Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë”. Pra, në raste të tilla, vajtimi i burrit nuk është dobësi, por forcë karakteri, ndjenjë dhe dëshmi e sinqertë besnikërie. W. Shakespeare duke u ndalur në këtë çështje është shprehur se “Ata që nuk e tregojnë dashurinë, nuk ndjejnë dashuri”. Kanë kaluar shumë vite, qysh kurse të futur nën një çadër, për t`u ruajtur nga shiu që binte me tërsëllimë, dy të rinjtë shkëmbyen puthjen e parë, dhe zjarri i atij afrimi njerëzor, ka mbetur i pashuar, ashtu sikurse e pohon vetë poeti: “Don Zhuan i krisur, / Pas teje kam mbetur, / Deri sa të vdes, / E dheu të m`ketë tretur”. Joseph Addison e quante martesën të lumtur, pikërisht se ka brenda saj gjithë kënaqësitë e miqësisë, gjithë gëzimin e ndjesive dhe arsyes, dhe gjithë ëmbëlsinë e jetës”. Të gjitha këto ata i kishin dhe i shijuan, por rasti fatkeq ua rrëmbeu pa mëshirë. Ndaj është plotësisht i përligjur trishtimi i poetit për humbjen e tyre tek elegjia “Post mortem” (dhe jo “Post mortum” sikurse është shkruar në libër gabimisht), dhe ku ai shprehet: “Kam shumë, shumë mall,/E nga malli vuaj,/Të lutem e dashur,/Nga varri më shkruaj”. Apo te “Dy rrënjë trëndafili” që Zef Çoba, Shpëtim Saraçi, Sokol Marsi dhe bilbili Frederik Ndoci, ashtu si dikur Glinka me “Ana Kern” të Pushkinit e kthyen në muzikë të pavdekshme dhe ku gjejmë vargje që edhe gurin do e bënin të lotonte: “Endem si i ngratë,/Rrugëve pa u ndalur,/Qaj i zhburrëruar,/E t`kërkoj të falur.” Të falur se nuk e shpëtoi dot se s`mundej, dhe që ngushëllimin e gjen te ata dy trëndafilat e oborrit që dikur i kishte mbjellë dhe ujitur me dorën e saj, ajo e bukura nga fytyra dhe nga shpirti, Esmeralda, që ai e quan drita që çan retë. Dash Uruçi është një intelektual i mirëfilltë, të cilin kështu e kam konsideruar qysh kur jemi njohur mbi gjysmë shekulli më parë, ndërsa ishte ende student universiteti. Ai e ka treguar këtë si në disa libra që ka shkruar, ashtu dhe si veprimtar atdhetar i spikatur. Por gjithsesi, desha të theksoj se ai ka mbetur një përfaqësues tipik i vlerave të larta të një shkodrani të mençur, vlera këto që ja shtojnë atij qyteti rëndësinë dhe nderimin para gjithë kombit tonë. Dhe kjo duket te të gjitha ciklet e tjera që plotësojnë këtë libër dhe ku autori shfaqet sikur brengat i ka hedhur pas krahëve. Madje, ai arrin të bëjë edhe humor të hollë, nga ai traditës së asaj treve për të cilin kanë folur njëri më mirë se tjetri, në reçensat e tyre profesori Nasho Jorgaqi, poetët Agim Bajrami, Petrit Ruka dhe Ermir Nika. Vargjet reminishente kushtuar prindërve të tij të mirë, fëmijëve Enis e Besmira, nipave Hermes dhe Arbër, e mbesës Diora, dhe shokëve me ato hidh e pritjet, marrë në tërë larminë e tij, ky libër vërteton thënien e Marcel Proustit se “…është dhimbja që i zhvillon fuqitë e mendjes”. Dhe mendja, duam, s`duam si gjithë ne të tjerëve edhe atij, i thotë se jeta vazhdon. Dhe tek e fundit, meqenë se më lart citova autorin e romanit shtatë volumesh “Në kërkim të kohës së humbur”, lejomëni ta mbyll me psikanalistin e dinamikës sociale Erich Fromm që kishte mendimin se “Të vdesësh është hidhëruese, por ideja që duhet të vdesësh pa jetuar është e padurueshme”. Dhe duhet pranuar se aq sa ishte gjallë, Esmeralda Uruçi me mundësitë që i krijoi jeta familjare dhe ajo shoqërore, por edhe me sjelljen, edukatën, kulturën dhe detyrat e larta që ju besuan, arriti t`i gëzojë të gjithë të mirat e jetës dhe të lërë një emër para të cilit përkulet me respekt të madh çdo shqiptar, qofshin ata që e njohën nga afër, qofshin ata që e panë nëpër veprimtari social – politike apo ekrane. Dhe mbi të gjitha, ajo do të kujtohet përherë si modeli i rrallë i politikanit të ndershëm e atdhetar që mbi gjithçka vë interesat e popullit që e ka zgjedhur dhe që nuk i ndryshoi asnjëherë ajo buzëqeshja e çlirët, si kur ishte vajzë e dashuruar, grua besnike, nënë e përkushtuar, pedagoge dhe gjersa arriti atje lart, ku kanë mbetur aq pak si ajo. Se është ashtu siç i shkruan vetë Dash Uruçi mikut të tij në Bolzano, se: “Se ke rrisk s`kam ça me t`ba, / T`fala shumë keni prej Shkodret, / Ka tret nderi për hava, / Ka hyp horri maje kodret…!”