Mustafa Koçerri: Rrëfimi i Afrim (Raxhi) Alimuçit, Sazani ishte hekur dhe beton i papushtueshëm, sot fluturojnë sorrat dhe zvarranikët

130
Sigal

Rrëfimi i Afrim (Raxhi) Alimuçit, ushtarakut që shërbeu për shumë vite në ishullin e Sazanit

Shpesh dëgjojmë të flitet, të shkruhet, apo të pushtohen ekranet e televizionit si dhe faqet e shtypit me emra njerëzish me detyra e funksione të larta, për shefa, të pasur, të fortë, për njerëz ,që nuk e lëshojnë karriken, apo të tjerë që edhe pse kanë bërë zullume e të korruptuar duan të zënë poste deri në më të lartat, etj., modele të tillë. Por unë sot në këtë shkrim do të përshkruaj emrin e një njeriu të thjeshtë, i rritur me vështirësi, me shumë vëllezër e motra në një fshat të largët e malor në Vërmikun  e krahinës së Kurveleshit,një oficer që i ka shërbyer Atdheut në një nga frontet më të vështira të mbrojtjes, ku me ditë e netë të tëra , për disa vite është stërvitur, ushqyer, ka fjetur në një fjetinë e në një trashe me ushtarët kur e kanë dashur interesat. Ky është Afrim (Raxhi) Alimuçaj. I kërkova Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes,- tregon Afrimi në një takim, që pas mbarimit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve specialitetin, mundësisht të më emëronin sa më afër qytetit të Vlorës. Arsyeja ishte, sepse në fshat (Vërmik) kisha prindërit, tre vëllezër dhe dy motra që të mund të shkoja dhe të ndihmoja ekonomikisht sa të mundesha. Kërkesa m’ u mor parasysh dhe më 1 shtator 1984 u emërova komandant toge në Ishullin e Sazanit. Ishulli i Sazanit ka nje sipërfaqe afërsisht 5.7 km², dy majat e tija më të larta kanë lartësinë 342 dhe 305 m mbi nivelin e detit,vija bregdetare e tij është 15 km. Më 21 tetor 1944 ai çlirohet nga forcat e ushtrisë NÇL pasi ishte i pushtuar. Ishulli i Sazanit për ushtrinë e asaj kohe dhe për vendin tonë kishte një rëndësi të veçantë dhe shikohej me përparim në të gjitha drejtimet. Jeta në ishull, -tregon Afrimi megjithëse ishim të izoluar dhe nga të katër anët të rrethuar me ujë , ishte normale, si ushqimi , fjetja dhe trajtimi. Trajtimin financiar e kishim si repartet e tjerë të ushtrisë.  Përditë me efektivin ushtar, që ishin nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, bënim 6 orë stërvitje dhe e gjithë dita ishte e programuar. Pozicionet dhe vijën e mbrojtjes e dinim ku e kishim, ajo  ishte në vijën që bashkohet deti me tokën. Toga që drejtonte ai bënte pjesë në Batalionin e parë art mitralier. Në pjesën veriore të ishullit ishin vendosur dhe dy bateri bregdetare.  Rezervat ushqimore, ato të armatimit dhe municionit ishin llogaritur dhe përballonin deri në një vit luftë. Pas vitit 1983, Komanda e Ishullit varej nga  Komanda e Divizionit që ishte në Vlorë. Interesimi  i Komandës së Divizionit me Komandant Sulejman Abazi, por edhe ai i aparatit MMP dhe i shtabit të Përgjithshëm për gadishmërinë, jetën, stërvitjen, marrëdhënjet e në tërësi gjendjen morale e politike në Ishull ishte i vazhdueshëm. Ai përmend ardhjen e Shefit te Shtabit të Ushtrisë Halim Abazi, një ushtarak komunikues,model dhe i përgatitur. Në vitin 1989,  ai jo vetëm inspektoi por mori takim edhe me shumë efektivë të reparteve të Ishullit. Gadishmëria ishte shumë e lartë në rast nevoje efektivi i ishullit për disa orë dyfishohej dhe me rezervist nga qyteti  i Vlorës duke arritur në 6000 vetë. Por edhe fuqia e zjarrit të armëve, që dispononim ishte shumë e lartë. Në rast agresioni territori ishullit dhe ai i bregdetit dhe ujit në det mbulohej me 10 fishek për metër linear në minutë.

– 6 predha në minutë, artileria bregdetare 82 milimeter

– afërsisht 10 predha për kilometër katror në minutë, artileria kondra ajrore

– artileria k.tank  75 m/m 1-2 periudha për m² në minut.

Sa herë shkelej hapsira jonë ajrore ose ajo e detit në për pak minuta zinim pozicionet tona të mbrojtjes. Në vitin 1988 tregon Afrimi në bordin e një trageti turk kishte rënë zjarr. Ai ishte duke shkuar në drejtim të  Jugosllavisë, efektivat e Ishullit kaluan në gadishmëri duke ndënjur në pozicione për 72 orë. Duke filluar nga vija e ujit deri në majat më të larta i gjithë territori ishte i mbuluar me reparte me 7 vija mbrojtëse. Në rast agresioni të gjitha repartet hapnin zjarr duke filluar nga këmbësoria, artileria bregdetare dhe llojet e tjera të saj, anijet luftarake dhe katër sulmuesit. Secili nga ne shprehet Afrimi nuk kishte tërheqje pasi çdo pëllëmbë tokë do ta mbronim me jetën tonë, Ishullin e konsideronim Atdheun tonë. Pas ndërrimit të sistemit si pasojë e vështirësive që po kalonte vendi dhe në Ishull këto vështirësi u ndien. Jeta u bë më e vështirë si për efektivët e reparteve, por edhe për familjarët, si për ushqime dhe deri te ajo, që ishte më kryesorja uji. Në vitin 1991 ai martohet dhe merr bashkëshorten e tij në Ishull për të jetuar. Në kuadër të reformave në ushtri në 1 shkurt 1996 ai lirohet nga ushtria. Një moment të  vështirë të jetës në Ishull ai kujton atë të 9 gushtit 1992 kur autoritete të shtetit shqiptar donin të largonin familjet e disa oficërve pasi ishin shpallur dezertor, ata ishin larguar në Itali, por nuk e realizuan  dot në saj të mbështetjes dhe përkrahjes që u dhanë gjithë banorët e Ishullit dhe qytetarët e Vlorës. Në mars 1997 në trazirat e atij viti nuk kishte më reparte në Ishull. Me katër silursin e fundit ikën edhe familjet e fundit të ushtarakëvë për në Itali. Pas largimit nga ushtria ai si shumë ushtarak të tjere endet rrugeve pasi shteti nuk u interesua edhe pse kishte shërbyer në një vend të izoluar në Ishull, derisa me shumë mund e punë të palodhur hap një biznes të tij  vogël për të mbajtur familjen. Unë shprehet ai jam krenar që kam shërbyer në ishullin e Sazanit për shumë vite. Pasi lirohet nga ushtria ai ka shkuar disa herë për vizitë në Ishull dhe me keqardhje ka parë shkatërrimin e tërë atyre objekteve, si zyra, banesat e banorëve, magazinat, repartet dhe çdo gjë tjetër. Po flitet që ishulli i Sazanit do të kthehet në qendër turistike përfundon këtë tregim, më vjen mirë që do të kthehet në destinacion turistik pasi jo vetëm njerëzit që do ta vizitojnë dhe pushojnë do të kënaqen, por edhe vendit do t’i jepen të ardhura pasi u bënë vite që ai nuk po shfrytëzohet. Por vitet ikin shpejt dhe  ne 25 dhjetor 2024 ditën e Krishtlindjeve  ai mbushi 65 vjeç. Në shenjë respekti dhe dashurie ndaj tij bashkëshortja e tij Bardha dhe femijët Mario dhe Fatjona, organizuan një drekë me njerëzit e afërt në një nga lokalet e Rivierës në Radhimë. Dreka kaloi në një atmosferë të ngrohtë e gazmore dhe të gjithë pjesmarsit i uruan jetë të gjatë dhe shendet.

Historia e Sazanit

Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. maja e tij më e lartë është 342 m. Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe 5,7 km² dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km. Kjo është vijë bregdetare e thyer, me përbërje shkëmbore monolitike. Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së luftës së ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasuluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti më i vështirë për Ushtrinë Popullore ne rast lufte. Për këtë arsye njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe. Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare Shqiptare. Në vitin 2009 pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull dhe një lufte të suksesshme kundër trafiqeve të jashtëligjshme forcat detare Italiane largohen nga ishulli, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare do vazhdojë të shërbejë akoma si bazë detare.