Suplementi Pena Shqiptare/ Hajrie Rondo. Ishe yll dhe yll do mbetesh

164

Mimoza Çobo

Janë mbushur plot dy vjet që kur u nda nga jeta ”Mjeshtrja e Madhe” e artit skenik shqiptar, Hajrie Rondo. Aktorja e shquar Hajrie Rondo, lindi më 1 mars 1951 në Delvinë dhe ndërroi jetë në të njëjtin qytet, më 9 Shtator 2017, pas një beteje të ashpër kundër kancerit. Hajrie Rondo ishte një ndër aktoret më të spikatura të skenës shqiptare,por teatri, për të cilin Ajo shkriu gjithë energjitë dhe potencialin e rrallë si artiste, ishte teatri”Bylis” në Fier.
Hajrie Rondo ka interpretuar në të gjitha gjinitë e artit skenik. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma. Hajrie Rondo mban titullin “Aktore e Madhe e Myzeqesë”, dhënë nga Shoqata Social- Kulturore “Myzeqeja”. Qyteti i saj i lindjes, Delvina e nderoi në vitin 2008 me titullin e lartë “Qytetare Nderi” e këtij qyteti. Për merita të veçanta në fushën e artit skenik i është akorduar Urdhri “Naim Frashëri i Artë”, si dhe titulli i lartë “Mjeshtre e Madhe”.
Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta njoh jetën dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur”.
Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë” (Hajrie Rondo

I përjetshëm kujtimi dhe vepra madhështore, që aktorja ikonë Hajrie Rondo, la pas për brezat !

Ti ishe yll dhe yll i pashuar do mbetesh,
o artiste zëhyjnore që gjunjëzove perënditë!
Shpirti yt fëshfërinë stinëve mes gjethesh,
frymonë tek lulekambana e muzgut sërish.

Dëgjoj zërin tek oshtin në këtë qiell vjeshte
dhe befas shfaqesh në qiell imazh i rrallë,
dhe pse qyteti të nderon e derdh lot në heshtje,
udhëve ndihet zëri yt, si të jesh akoma gjallë.

Yjet fiken e ndizen duke lënë pas një spektër,
në gjirin e tyre, yll qiellor, u pagëzove ti,
mes erërave yjore tingëllon zëri yt, si askund tjetër,
duke përcjellë imazhe, me tinguj jete në gjithësi.

Ti ishe ikonë dhe ikonë përherë do mbetesh,
o Hajrie zëhyjnore, që gjunjëzove perënditë!
Ike duke lënë gjurmë në një qiell të zymtë vjeshte,
gjurmë të arta që asnjë stinë nuk i fshin.

Lamtumirë Hajrie Rondo.

Më lindi nëna rreth vatrës zjarr ndriçuar,
Përreth ish errësirë,
Në terr e qara ime u dëgjua,
Në këmbë u ngrit si një ditë mugëtirë.
Por diellin në sy ma la të shkruar,
Me dritën do të vdes e dashuruar.

Dikush ma hodhi portretin në zjarrin e rrufeve,
Po tretej pikë – pikë si pika e lotit,
por zjarri u shua
dhe unë u bëra puthje në buzët e zotit.

Kur shuhen yjet në qiell,
Humbasin e më s’ndriçojnë,
Epitafet kur shkruhen,
në cilat varreza i çojnë ?
U dalin përpara yje e yje,
Ua mbushin varret plot dritë,
Kur shuhen yjet
pse s’vdesin perënditë?!