Suplementi Pena Shqiptare/ Fatos Kongoli – Pse romani im u quajt më i miri

607
Sigal


Takimin e parë me artin e shkrimtarit “pa emër” e mbaj mend mirë edhe pse kanë kaluar vite. Ishte libri i parë në përpjekjet e mia të leximit “serioz”. Më vonë do të mësoja se “Ne te tre”, libri që kishte mundur të më vinte në mendime edhe ditë të tjera më pas, mbante emrin e Kongolit, i cili shënonte edhe fillimet e tij drejt letërsisë. Atëherë, me naivitetin e kapjes së ngjarjeve nuk i pata kushtuar shumë rëndësi mbajtjes mend të emrit të autorit. Vetëm më vonë nën dëshirën e marrë për të shijuar një tjetër roman si atë, u interesova të mësoj për autorësinë e këtij libri. Tani mbas kaq vitesh, kur “Ne të tre” është pasuar me rradhë të tjerë tituj librash nga ky autor, pata emocionin e veçantë të të shkruarit për të. Një bisedë që nis çlirët, duke marrë formën dhe stilin e një rrëfimi interesant, siç ndodh natyrshëm me mënyrën e të shprehurit të një shkrimtari. Një bisedë që nis me të tashmen, atë të një ngjarjeje jo pak të rëndësishme. Çmimi “Balkanika” 2002 ka zbritur këtë vit në Shqipëri pikërisht me emrin e Kongolit, autorit të librit “Ne të tre” të cilin e pasojnë më pas vepra të tjera deri tek “Ëndrra e Demokleut” që e bën fitues të këtij çmimi, pas shumë çmimesh të tjera. Ka marrë pjesë dhe herë të tjera në këtë edicion të rëndësishëm letrar. Në vitin 1997 me romanin “Kufoma”, nga ku arrriti deri në finale dhe në 2001, me “Dragoi i fildishtë”. Ky vit vjen për të me përmasa të tjera duke e bërë atë fitues ndër të gjithë pjesëmarrësit e tjerë ballkanikë me romanin “Endrra e Domokleut”. Ky eveniment nuk sjell thjesht vetëm efektin e një vepre fituese. Ai është po kaq i rëndësishëm sidomos për njohjen e shkrimtarëve dhe letërsisë bashkëkohore në vendet ballkanike. Një çmim që jepet sipas kritereve të caktuara të fondacionit dhe vepra fituese botohet në të gjitha gjuhët e vendeve ballkanike. Manifestohet çdo vit në një nga qytetet e vendeve ballkanike. Këtë herë u organizua në Sofie, me pjesëmarrjen e një jurie ndërkombëtare me përfaqësues ndërballkanikë. Një ceremoni madhështore do të ishte padyshim një stimul më shumë qoftë për organizatorët apo për të gjithë pjesëmarrësit, të nderuar gjithashtu edhe nga Presidenti i Republikës Bullgare. Prani mediash, gazetarësh, shkrimtarësh…, kanë përcjellë një tjetër vizion për Shqipërinë e vogël që prezantohej tashmë me një shkrimtar të madh. Ja pse u ndalëm pikërisht në këtë eveniment për të sjellë diçka më në detaje rreth shkrimtarit që solli një çmim ballkanik në vendin e tij, ku letërsia është ende në kërkim të pozicionimit të saj.

– Sa realitet ka brenda ngjarjeve të përshkruara në veprën tuaj?
– Ka shumë realitet. Unë si shkrimtar nuk mund të bëj pa realitetin. Çdo gjë që lexohet në librat e mi është shumë e vërtetë në pikpamjet e këtij realiteti. Dhe pikërisht në këtë pikpamje mund të mendohet se aty s’ka asgjë të vërtetë.
– Sa shumë ndjeheni vetja juaj tek përshkruani personazhet tuaja?
– Unë jam në të gjithë personazhet e mi në thelb. Shpesh njerëzit mendojnë se janë romane autobiografike. Unë nuk e mohoj se në librat e mi ka shumë elemente autobiografike, të përjetimeve të mia, përvojës sime. Por vetë letërsia ngrihet mbi çdo realitet dhe mbi çdo përvojë vetjake.
– Ndjehet një humor i hollë gjatë leximit të veprës suaj… Intuitë?
– Humori vjen nga natyra e personazheve të mi që janë në përgjithësi nga personazhet më të zakonshëm të jetës të cilët janë jo vetëm vëzhgues të hollë të realitetit, por shpesh e shohin këtë realitet dhe vetveten me një humor të hidhur. Këto janë personazhe që tallen shpesh në jetën e vet. Këtu humori lind vetë.
– Ka ndonjë sekret për të zbuluar nga mënyra e punës suaj?
– Nuk kam ndonjë të fshehtë në mënyrën time të të shkruarit. Unë letërsinë e shoh si një bisedë. Jam i prirur të futem në atë që quhet Universi i të zakonshmes. Shoh anët e rëndomta. Ndoshta kjo e bën më të prekshme. Pikërisht në këto mjedise zhvillohen romanet e mi.
– Dhe si përpiqeni ta ruani këtë bisedë për të patur një ‘dëgjues’ të vëmendshëm?
– Përpiqem që sa herë filloj të bëj një bisedë të re, të krijoj gjendje që me anë të saj t’i them lexuesit diçka që s’ia kam thënë më parë, në mënyrë që biseda të ketë interes. Nëse unë bashkëbiseduesit tim do filloj t’i përsëris gjëra që ia kam thënë më përpara, ai me siguri do mërzitet, nuk do më dëgjojë më dhe s’do ketë më dëshirë të takohet me mua. Mendoj se pak a shumë kështu ndodh dhe me letërsinë. Është parim i një bisede që ngjall interes. Ajo që mbetet është… puna.
– Erotizmi zë një vend të konsiderueshëm në veprën tuaj. Si arrini t’i shpëtoni banalitetit?
– Erotizmi në gjithë librat e mi është i pranishëm, sepse është pjesë e jetës. Por nuk është qëllim në vetvetes sepse po të jetë e tillë sjell një zhvendosje të objektit që ke. Është pjesë e jetës së personazheve dhe i shërben pikërisht vendosjes së këtyre personazheve. Librat e mi sigurisht nuk janë libra erotikë, por kjo ndienjë është pjesë përbërëse…Dhe sigurisht ky është një aspekt shumë i hollë që nuk mund të pranojë në vetvete kurrfarë teprimi pasi kërkon shumë finesë.
– Si organizohet linja e të shkruarit brenda veprës suaj?
– Në librat e mi ka një gërshetim apo thyerje të kohëve. Pëlqej të luaj shumë me elementin kohë dhe hapësirë. Por sigurisht të gjitha këto duhet t’u nënshtrohen logjikës së brendshme të librit dhe organizohen në një strukturë shumë të rreptë. Përndryshe libri shkërmoqet dhe bëhet i pakapshëm, i paqëndrueshem siç është e tillë vetë koha.
– A i lexoni librat e më të rinjve?
– Lexoj shpesh libra autorësh të rinj dhe të them të drejtën kam kureshtje dhe kënaqësi kur i lexoj. T’i lexosh dhe të njihesh me autorë të rinj është një përvojë shumë e çmuar.
– Jeni fitues i disa çmimeve. Sa rëndësi kanë ato për ju?
– Marrja e një çmimi është një kënaqësi sepse në një moment verifikimi kompensimi, është dhe një shtysë, një nxitje. Ka raste që dhe materialisht ndjehemi të shpërblyer…
– Sa i pasur ndjeheni nga profesioni juaj i shkrimtarit?
– Të shkruarit të jep shumë pak kënaqësi. Të shkruarit është një punë e vështirë dhe e mundimshme. Kush mendon se mund të bëhet i pasur me të shkruarit, është më mirë të mos i futet fare kësaj pune sepse do zhgënjehet shumë shpejt.
– Ju a jeni ndjerë shpesh kështu?
– Është një zgjedhje që e kam bërë vetë dhe nuk mund të ankohem…