Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “Kjo grua”

2424
Sigal

Në kulmin e përqafimit masiv të realizmit socialist, Dritëro Agolli, që atëhere ishte vetëm 27 vjeç, pra në vitin 1958, ka shkruajtur këtë poezi, që nuk ishte normale për atë sistem:

Kjo grua

Kjo grua që bie erë çokollatë

Me mua ra dikur në dashuri ;

Tani jeton me burrin në pallat,

Që ngritëm vjet në bulevard të ri.

 

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,

Me burrin zemërbardhë e shtatlartë?

Qëndroj ta përshëndes, t’i them ca fjalë

Si kalimtar, si mik e shok i largët.

 

Po kokën nuk e kthen ajo nga unë ,

Trak-trukun e sandales më lë pas;

Atë në djalëri e desha shumë

Betoheshim të pritnim çdo tallaz!

 

Po bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,

Se desh apartament e telefona,

Ndërsa unë ikja natën me gazetën

Dhe flija redaksive mbi poltrona.

 

Po unë e di, akoma natën në ëndërr

I shfaqem, e hap derën bojë hiri,

I shfaqem dhe i futem drejt në zemër,

Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.

 

Kjo grua që bie erë çokollatë ,

Që desh nga unë apartament të ri,

Tani jeton me burrin zemërbardhë;

Jeton e lumtur?

Nuk e di!

1958