Suplement Pena Shqiptare/ Mimoza Agalliu: Ndalo një çast Zonjë !

623
Sigal

Ata vinin një e nga një, pa e kthyer kokën pas. Poshtë palltove të tyre të grisura, zemrat përpëliteshin nga ngricat e indiferentizmit dhe ngjyrave mospërfillëse të realitetit vrasës. Bashkë me tretjen e panjohur e të ndërprerë të kohës, vinte edhe shumë pranë buzëqeshja e hidhur nga nxitimi i gjetjes së qetësisë së shpirtit. Mbi trupat e tyre dimërore hallet dhe mjerimi flenë prag-tretjen e
fundme. Emrin e lindjes! E dinin, e mbanin mend edhe mbiemrin, por shtëpitë i kishin harruar. Ishte kohë e gjatë, që flinin mbi hijen e tretjes. Ndoshta një natë, mund të ishte psherëtima e tyre e fundit, që askush nuk do t’i uronte “shëndet”. Loti do të ngrinte mbi asfalt për ta shkelur në mëngjes një ecje hijerëndë. Mund të ndodhte, po, po, që katër rrota do kalonin mbi të. Pa u ndalur për t’u zhdukur në errësirë bashkë me mëkatin.
Kaloj pranë tyre e turpëruar. Sytë e fshehur nën kapele më ndjekin hapat.
– Ndalo një çast Zonjë.
Zëri i dobët kapërcen ajrin, duke u përplasur me oshëtimë mbi memorjen e harresës.
– Dikur kam qenë Zotni, emrin tani e kam ndryshuar. Vij nga soj i mirë, kam patur shtëpi të madhe. Tani nuk më njeh askush më.
Koka i’u nder mbi gjoks dhe sytë rrodhën lotë kristali. Në dorë, një qeskë me ilaçe shtrëngohej pa
ngjyrë kohe.
U ulëm ballë përballë. Mori një cigare dhe u ngrit ta pinte në errësirën e acartë . Ai nuk e njihte ligjin, po kërkonte ajrin e munguar të vetmisë së tij. Gjella e ngohtë filloi të ftohej.
– Kam ngrënë.
Valëzohej zëri i mbytur, sytë depërtonin mbi vështrimin tim të përhumbur, duke më futur në një botë të panjohur, atje ku bënin duel dhimbja dhe dështimi human .
Mllef, zemërim, dashuri!
Në cepin tjetër të strehës “vorfnore” ishte shtrirë një trup, as i gjallë, as i vdekur.Dikush i kishte parë këmbët e tij të fryra, që rridhnin gjak. Plagët e rënda diabetike ia kishin rrëmbyer ecjen.
Ai nuk ankohej, nuk e dallonte dhimbjen nga qetësia. Vetëm kur erdhi nga spitali e zuri gjumi pa ngrenë. Ndoshta ka qenë dita e tij më e lumtur.
Mbi kolltukun e lëkurtë, një trup, as burre, as grua mallkonte botën, që nuk i kuptonte hallin dhe buzët i ngatërroheshin në gërma ligjesh. Mllef i përzier me mungesë Metadoni kapërcenin kufijtë e normales. Agresiviteti shtrihej mbi pllaka mermeri të bardhë, me shkulje flokesh deri në çmendinë.
Dëgjohet thyerja e një pulti dhe një vazo rrokulliset, duke derdhur dheun e zi. Hapa, që lëviznin e fshiheshin pas frikes së kësaj nate pa datë, pa emër.
Një çast heshtje!
Dikush vështronte skenën qetësisht duke buzeqeshur. Një zë afër meje u dëgjua. – Sa i mirë ky burrë, vetëm buzeqesh, është shumë i urtë. Vërtetë, sa shume njerëz të urtë, të buzeqeshur paskam njohur vetëm në një natë si kjo sonte!
Fjalë gjysëm shqip e gjysëm anglisht përziheshin në zhurmnajën me ajër të ndotur të hollit. Djali gjysëm bjond ardhur nga USA, kishte humbur një kitarë në lokalin, që nuk ia dinte emrin në “Street of Kavaja”. Vinte nga Serbia duke treguar dhëmbët e rregulluar atje fare lirë. Mbetur pa asnjë qindarkë, këndonte udhëve Ballkanike me kitare, duke përjetuar agime të njëjta. Shokët e grupit i kishin humbur diku, ku nuk kujtohej më …
As emrin e nënës nuk e kujtonte atë natë. Kërkoi një vend të qetë të lexonte një libër. Nuk kisha libra në gjuhën e tij. I ofrova një ngrohëse dhe një kulltuk. Duke nxjerrë librin nga çanta e tij, foli me zë të frikësuar.
– Ndalo një çast Zonjë! A mund të fle disa ditë këtu sa të çlodhem pak!?
Mes përgjigjës afirmative, pyeti përsëri.
– Ndalo një çast Zonjë!
– Si e keni emrin?
U largova përsëri e turpëruar mes pafuqisë time, duke dëgjuar pas krahëve emrin e shqiptuar në anglisht me vështirësi…
Ndalo një çast Zonjë! Ardhje – Ikje. Pritje – Përcjellje,fytyra të harruara. Sy të lodhur, buzëqeshje të paqarta përzihen në ajrin e ndotur nga harresa. Trupa të kalbur treten pa prekur. Përplasje lugësh, çasteve fatlume.
Ikje – ardhje përsëri.
Nën veladonin e heshtjes, rënkime pa zhurmë. Nuk dëgjohen si të tjerë…
Shtrëngim rreckash pranë shpirtit.
Ecja të zvarritura me thembra të çara, shtrirë dhe shqyer, ngritur dhe shtruar, asfaltit të heshtur
zgjatur një dorë. Krahë të thyer, qetësi e prishur, natës me ngrica, për një natë të ngrohtë.
Mes errësirës me drita, Promete i lidhur, fatit drithërues.
E nesërme e trishtuar skërmitet fatit të trazuar.
Të kisha fuqi perëndie ti jepja shkelmin Gjithësisë.