Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Nëna ime rebele e vërtetë

253
Sigal

Nëna ime rebele e vërtetë

Ah, ta shihnit në çast nënën time,

kur vinte futën e zbardhur,

kur nxehej me duar në ije,

kur heshtte në këmbë e shtangur

dhe, merrte pamje kanosje dhe pamje habie!

Me nënën e gjitha kjo ndodhte përherë,

kur merrte vesh ndonjë ngjarje.

Në çezmën e fshatit agjensinë e lajmeve plot me poterë:

Lajme me zënka, çnderime e ndarje

të jetës së mjerë.

Ah ta shihnit në çast nënën time,

rebele e vërtetë!

Kishe dëshirë ta ngrije hopa

ashtu me grushtet e veckël përpjetë:

drejtuar me aq kërcënim tek zoti dhe bota.

1994

 

Nëse netët janë të gjata

Nëse netët janë të gjata,

duke pritur vdekjen mërzitesh

dhe s’vdes;

Lutju zotit të vijë e shkurtër nata ,

të vdesësh shpejt në mëngjes.

Atëherë çel trëndafili

në gonxhet e kaltra :

pastaj zë këndon një këndes …

 

Njeriu i lodhur

Njeriun e lodhur lereni të flerë në të errët,

mos zgjohet kaq shpejt nga shpimi i thikës së ditës,

se mjaft e shpuan me thika të tjerët.

Është ende herët:

ndaj le ta joshë edhe pak ëndërrimi mahnitës ,

me kokën në krah si zogu nën shpatin e pjerrët.

Janar,1995

 

Flutura e natës

Jam flutur e natës rreth llampës,

rreth llampës , se drita më fton…

Sërishmi rrëmbehem prej natës,

kur digjem, kur vdekja fillon.

Përhumbur çuditem me veten:

Me natën jetoj dhe pastaj

Mërzitem dhe dritës i kthehem,

që shpirtin ta vdes afër saj.

Janar , 1996

 

Nostalgjia e plakës

Po ai sënduk i drunjtë me letër të ngjitur.

Po ajo vazo e vockël me lule zëmbaku.

Po ai mulli kafeje me mbulesë të grisur.

Po ato tespihe – kujtim i vjetër nga plaku.

Jeton me këto pak gjëra e shkreta:

E prek sëndukun e drunjtë e të lashtë,

i ledhaton tespihet cipë sedefta,

e fshin vazon e vockël brënda e jashtë.

Dhe nusja e djalit e sheh dhe prish cepin e buzës

me kokën e bukur mënjanë;

Vështrimin plaka e ndjen me duart kryq sipër bluzës

Dhe thotë me vete:” Po ç’kanë me mua, ç’kanë”?

1991