Suplement Pena Shqiptare/ Novruz Zejnati: Shpendi Topollaj dhe libri i tij i ri me kritika “Po thahet shpirti”

503
Sigal

NOVRUZ ZEJNATI

SHPENDI TOPOLLAJ DHE LIBRI I TIJ I RI ME KRITIKA “PO THAHET SHPIRTI”
Sot, që po hedh në letër këto radhë për mikun tim, shkrimtarin Shpendi Topollaj e di fare mirë se është e tepërt të shkruaj ndonjë analizë të mirëfilltë, pasi atë si poet, tregimtar, novelist, romancier, publiçist dhe kritik letrar, autor i dyzetepesë librave, tashmë e njohin kudo nëpër Shqipëri e më tej. Për krijimtarinë e këtij superprodhuesi të suksesshëm, siç e quan me shumë të drejtë i nderuari Kopi Kyçyku, është folur gjatë e gjerë, ndër gazeta, libra, radio, televizione dhe auditore nga më prestigjozet. Por, duke qenë se ky libër, i pesëmbëdhjeti me kritika letrare, botohet në prag të shtatëdhjetë vjetorit të tij, nuk mund të rri pa u shprehur për vlerat e tij të larta njerëzore, natyrisht të pandara nga dashuria e tij e pashuar: letërsia. I lindur dhe i rritur në një familje luftëtarësh e demokratësh antifashistë, që dhanë gjithçka kishin për lirinë e vendit, jeta e tij, ashtu si vetë koha e çmendur prej nga erdhëm, qe e trazuar dhe e mbushur me zhgënjime e peripeci. Por ai, oficer nga më të talentuarit, nuk u përkul asnjëherë, aq sa po t`i hedhësh një sy librit “Skënderbegasit ndër vite” do konstatosh se emri i tij qëndron në krye të atyre që u bënë krenaria e ushtrisë tonë dhe e shkollës famëmadhe ku studioi. Lypsen cilësi të rralla dhe karakter shumë i fortë që të shkëlqesh si ai edhe kur injoranca dhe zemërligësia partiake, për të mos thënë edhe zilia e mediokërve, hidhnin baltë pa pushim mbi figurën e tij rreptësisht të pastër, duke mos e lënë për asnjë çast të qetë në atë detyrë të rëndomtë ku e kishin caktuar në atë humbëtirë, për njëzet vjet rresht. Njësoj si oficerin e ri Mihail Lermontov që e degdisën në Kaukazin e largët, edhe cari Nikolla i Parë shqiptar nuk i duronte kuadrot e kulturuara që guxonin sado pak të kishin dhe të shfaqnin mendimet tyre të lira. Shpendi kishte kryer edhe studimet universitare në Fakultetin Juridik dhe nga ana tjetër lexonte e lexonte pa rreshtur. Vartësit e donin me gjithë zemër, aqsa Luan Lazja edhe pas mbi 35 vjetësh thotë sinqerisht se Shpendi më bëri shkrimtar dhe kur jam liruar, në vend që të gëzohesha, më ka ardhur shumë keq se po ndahesha prej tij. Por vetë ai, nuk mund të botonte asgjë. Regjimi carist në Rusi, të paktën nuk e pengoi gjatë atyre viteve Lermontovin që të shkruante veprat e mrekullueshme “Tre palmat”, “Shkëmbi”, “Tamara”, “Dal i vetëm në rrugë” e sidomos “Një hero i kohës tonë” etj. Vetëm ardhja e demokracisë, të cilën Shpendi si në Kavajë ashtu dhe në Durrës e përkrahu pa rezerva dhe me guxim, i krijoi mundësitë të shpërthejë letrarisht. Krahas detyrave të rëndësishme funksionale si shef i Mbrojtjes Civile të Rrethit, asaj të shefit të Mbrojtjes Shoqërore apo më pas në Gjykatë dhe Zyrën Përmbarimore, ai gjeti kohë të shkruaj e botojë breshëri librash në gjini nga më të ndryshmet, shumë nga të cilat janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. U zgjodh anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kryetar i kësaj Lidhjeje për Durrësin, ku është dhe drejtues i shoqatës “Skënderbegasi” etj. dhe vështirë t`i gjendet shoku si organizator i veprimtarive promovuese kushtuar kulturës, letërsisë, sporteve, ngjarjeve dhe figurave të ndryshme të spikatura në vite. Kudo e ftojnë dhe kudo ai do ta thotë fjalën e tij të mençur, plot dije dhe kulturë dhe gjithmonë me preokupim atdhetar. Me virtytet që e dallojnë, ku bije në sy ndershmëria, dashuria për të mirën, respekti për njerëzit, kurajua për të stigmatizuar të keqen e kanë bërë vetë atë, njësoj si oficerin – poet Lermontov, të duket si Peçorini. Dhe është shumë domethënës që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë, pas botimit atje të katër librave të tij, i ka akorduar Shpendit çmimin e lartë “Pushkin” me motivacionin: “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Kjo bukuri fjale dhe mendimi është lehtësisht e kuptueshme edhe në trajtesat e përfshira në këtë libër, ku pa frikë mund të pohoj se më kujtojnë atë që kanë thënë për shkrimet e Salustit se “Gjatë tregimit të ngjarjes (ai) fut shumë sentenca dhe, duke dashur të bëjë një përshtypje të thellë (te lexuesi) në shpirtin e bashkëqytetarëve të tij, ai nuk flet, por godet, ai nuk vizaton, por gdhend. Ai ka dhuntinë të mbajë zgjuar gjithë kohës vëmendjen tonë, duke mos e lënë të kotet asnjëherë.” Edhe te shkrimet e Shpendit do gjeni plot citate e referenca deri edhe nga mitologjia që ai e njeh si s`ka më mirë, të vendosura në vendin e duhur, pra me qëllimin për ta bërë sa më të argumentuar dhe sa më të besueshëm atë ç`ka ai thotë. Është e kuptueshme se zgjedhja e tyre tregon nivelin sipëror të njohurive të tij; por ajo që më ka bërë përshtypje është fakti se ai këtë e bën duke u mbështetur kryesisht te kujtesa e tij e jashtëzakonshme. Duke njohur si pakkush krijimtarinë e poetëve më të shquar botëror, duke i deklamuar krijimet brilante të tyre edhe në biseda tavoline duke pirë kafe, por edhe duke qenë vetë një poet i afirmuar, ai edhe në prozë u jep rëndësi të madhe ndjenjave, aqsa në këtë pikë mund ta krahasoj me A. Bllokun që besonte se vetëm përmes tyre mund të shkohet drejt harmonisë së përbotshme. Ky vlerësim për fisnikërinë e ndjenjave bie në sy menjëherë jo vetëm te tregimet, novelat dhe romanet e tij tronditëse, por edhe në kritikat letrare. Në librat që janë shkruar për të, jo rrallë mund të konstatosh se mjaft firma autoritare të letrave tona i kanë quajtur kritikat e Shpendit një risi në historinë e letërsisë. Kritikat e Shpendit që rrokin një gamë të gjerë veprash dhe autorësh me shtrirje gjeografike të pamasë, nuk janë thjesht analiza, por krijime të njëmendëta, ku kupton menjëherë mendjen e mprehtë dhe shpirtin e tij të madh. Janë këto cilësi të vyera të tij që e shtyjnë t`i dojë me gjithë zemër njerëzit, pavarësisht diferencave mes tyre dhe me ta, dhe të jetë i rrethuar përherë nga shokë e miq të të gjitha kategorive. Kanë thënë, më duket për A. Dumanë ati, se me mirësinë dhe butësinë e tij, mes miqsh sillte lumturi. I tillë është Shpendi Topollaj që nga ana e tij, lumturinë e gjen te librat, te gruaja e tij Tatjana, te vajzat dhe mbesa Perla e nipat Xhastini e Rubini. Por edhe te shokët, ndaj të cilëve mbetet besnik dhe i sinqertë dhe sidomos i gatshëm për t`i ndihmuar edhe kur ata nuk ia kërkojnë. Sa libra ka shkruar për personalitete të ndryshme, sa të tilla ka redaktuar, korrigjuar dhe përpiluar parathëniet, sa autorë ka marrë në analizë, sa fjalime ka mbajtur, deri edhe për ata që u jepet lamtumira e fundit dhe sa artikuj ka botuar, pa marrë kurrë ndonjë shpërblim. Edhe librat e pafund i dhuron. Ata libra që marrin jetë në ngushticën e padurueshme të apartamentit të tij prej një dhome e një kuzhine. Nga ata të vjetrit! Ku nuk vjetërohet kurrë entusiazmi, vrulli, energjia, freskia e sidomos dashamirësia e këtij njeriu të çuditshëm – siç e quan poetja Fatime Kulli. Ndaj e uroj nga thellësia e shpirtit që të mbetet i tillë ky njeri dhe shkrimtar, nga i cili lexuesit me të drejtë presin të tjera vepra edhe pse siç shprehej Maksim Gorki: “Nuk ka gjë më të vështirë në botë se mjeshtria e fjalëve.” Dhe kam bindjen se një mjeshtër i fjalës si ai, do t`i bëjë nder edhe vetë letërsisë tonë.