Xhorxhi Vasili: Përpjekjet  për ringritjen e muzeut të sportit në Sarandë

1098
Sigal

Rrëfen Xhorxhi Vasili, gazetar dhe historian sportiv

Xhorxhi Vasili ka punuar rreth 40 vjet si mësues në gjimnazin e Sarandës, deri edhe drejtor i tij dhe është hartues i historikut të këtij gjimnazi dhe i një muzeumi  po për këtë gjimnaz. Përveç  këtij  profesioni, ka ushtruar  edhe detyrën e komentatorit sportiv, gazetarit sportiv dhe historianit sportiv në gara lokale dhe kombëtare. Si historian sportiv është autor dhe bashkautor i shumë librave sportivë, i nderuar dhe vlerësuar edhe me çmime të ndryshme. Në këtë intervistë për “Telegraf”, rrëfen se si u krijua Muzeu Sportiv në Sarandë  me 36 albume, me rreth 3000 e ca fotografi dhe qindra materiale të tjera sportive. Cili qe fati i tij që nga indiferentizmi i para vitit 1990 dhe shkatërrimi i plotë i tij në 1997-n? Përpjekjet për grumbullimin e materialeve dhe ringritjen e këtij muzeu, por edhe përballja me burokracinë dhe përvetësimi individual i materialeve sportive që i përkasin sportit të Sarandës. Ai thotë se, ka mundur të grumbullojë mbi 1000 foto dhe dhjetëra medalje, flamuj e tituj nderi, por duhet ende punë se ka materiale që nuk dorëzohen, ndaj edhe sensibilizon për kontributin e të gjithëve në rikthimin e kësaj vlere të jetës së qytetit.

 Zoti Xhorxhi, apo siç jemi mësuar t’u themi në qytetin e Sarandës “Profesor”, së pari le të mësojë lexuesi i gazetës “Telegraf”se kush është profili juaj?

Përshëndetje, juve si gazetë dhe më vjen mirë që shpesh në faqet e kësaj gazete jeta e qytetit të Sarandës gjen pasqyrim dhe jo vetëm problemet politike që na kanë trullosur, por këtu pasqyrohen shumë halle dhe probleme të jetës qoftë për arsimin, kulturën , sportin, të cilat kanë gjetur vend te “Telegraf” dhe japin sinjale që duhet rikthyer te vlerat tona. Unë nuk jam profesionist në fushën e sportit për të cilën interesoheni edhe ju në këtë intervistë. I përkas komunitetit të mësuesve të matematikës, pasi për këtë jam diplomuar dhe e kam mbyllur karrierën e mësuesisë si i tillë. Ka qenë  një punë gati 40-vjeçare në gjimnazin “Hasan Tahsini” në Sarandë, ku rezultatet e mira edhe në rang kombëtar e lokal të këtij gjimnazi nëpër olimpiada dhe spartakiada kanë edhe kontributin tim. Po krahas mësuesisë jam marrë edhe me fusha të tjera dhe një nga këto ka qenë sporti, kjo edhe si hobi i rinisë sime duke luajtur vetë volejboll në qytetin e Gjirokastrës ku kam qenë nxënës, më pas me studentin. Veprimtaria ime është shtrirë në fushën e historisë së sportit, ku kam botuar disa vëllime me histori nga sporte të ndryshme si volejbolli, basketbolli dhe në disa fusha të tjera sportive si futbolli etj.. Pra kam shkruar disa libra dhe libri i plotë i parë ka qenë “Kur luante Butrinti”, i cili bën fjalë për rrugën volejbollit  të këtij sporti në qytetin e Sarandës që nga vitet 1940 deri në vitin 2000, libër, i cili në vitin 2000 u vlerësua me çmimin vjetor të gazetarisë sportive “Andon Mazreku”. Pas kësaj, bashkë me dy kolegë të mi Spiro Kuvarati  dhe Gavrosh Kavaja, ndërmorëm nismën që të bëjmë historinë e basketbollit shqiptar. Ka pasur një ide se ky sport, ka filluar të luhet në Shqipëri aty nga viti 1946, por nga hulumtimet tona doli se nuk mund të fshihej historia e këtij sporti që nga viti 1919, kur erdhi për herë të parë basketbolli në Shqipëri dhe pati disa zhvillime në disa qytete si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Gjirokastra. Kjo punë e jona gati 5- vjeçare për historinë e basketbollit në Shqipëri u konkretizua me botimin e tre vëllimeve në seri  “Me basketbollin nëpër vite” me të cilën u vlerësuam me çmimin olimpik në vitin 2007 nga komiteti olimpik shqiptar. Kjo është një histori e plotë brenda atyre pak materialeve që dispononin organet shtetërore dhe ky është një problem që mund ta prekim pak, por fakti është që është mirëpritur si një nga librat më të plotë. Por siç thashë jam marrë edhe me futbollin siç është një hulumtim së bashku me kolegun dhe mikun tim Foto Xhai në Gjirokastër për historikun e zhvillimit të futbollit në qytetet si: Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë dhe Himarë nga viti 1920 deri në vitin 1944, fushë që kishte pak ndriçim, por tani mendoj se kemi realizuar diçka më të plotë, studim që ka parë dritën e botimit tek revista “Futbolli shqiptar” që nxjerr gazetari i mirënjohur sportiv Besnik Dizdari. Krahas këtyre veprimtarive në historiografinë sportive, jam marrë edhe me gazetari sportive  si komentues  i garave të notit në Shqipëri për gati 30 e ca vjet, si dhe sekretar i këtyre garave. Kam komentuar shumë gara atletike në spartakiadat kombëtare në Tiranë dhe veprimtari të tjera sportive.

E qartë profesor! Sot ju shohim me shumë dokumente dhe foto  sportive nëpër duar. Konkretisht me se merreni?

Po! Merrem me diçka që më dhëmb në shpirt. Në vitin 1980, Klubi Sportiv “Butrinti”mori një nismë për krijimin e një muzeu sportiv, modest për qytetin e Sarandës. Për gati dy vjet rresht u bë një punë e jashtëzakonshme duke mbledhur me qindra fotografi të vjetra, relike, diploma, fletë-nderi, medalje kampionesh, kupa. Ato materiale të cilat ishin ruajtur në mënyrë krejtësisht amatoreske do ta quaja nga njerëz të ndryshëm dhe që neve e konkretizuam me një godinë sportive, do ta quaja godinë sportive sepse tri dhoma të sajë u vunë në dispozicion të këtij muzeu të sportit dhe kur personalitetet e kohës në fusha të ndryshme erdhën nga Tirana dhe e vizituan , u habitën që dhe Saranda kishte gjithë atë lëvizje sportive. Pra për nga mënyra e realizimit ishte jashtëzakonisht me vlerë pasi u bë mbi kritere shkencore muzeale. Fillonte që nga nisjet e veprimtarive sportive aty nga viti 1920 (madje, që nga viti 1918 kur në Delvinë u krijua shoqëria sportive “Namik Delvina”) dhe deri në vitet 1980. Ishte një muze që u shërbeu jo vetëm brezave të sportistëve, por edhe shumë vizitorëve të tjerë për të parë rrugën e përshkuar nga sporti sarandjot.

Profesor, cili ishte fati i këtij muzeu?

Fati i keq nisi që përpara viteve ‘90, kur kjo godinë u kalua në një tip dogane. Materialet u ambalazhuan dhe përgjegjësia nuk mbahej nga asnjë njeri. Të gjitha materialet kalonin nga një depo në tjetrën duke humbur e duke u dëmtuar për të ardhur tek viti i marrëzisë 1997, ku shumë nga këto materiale u vodhën. Në muze kishte 36 albume fotografike të ndara sipas llojeve të sporteve. P.sh.:radioamatorizmi kishte 1, atletika 2, noti 7 etj.. Secili spektër sportiv kishte albume fotografike , ato fotografi që nuk kishin mundësi ekspozimi nëpër stenda. Bëheshin rreth 3000 e ca foto në arkivin tonë të mbledhura nëpër vite. Ishte një pasuri e jashtëzakonshme që tregonte rrugën e sportit sarandjot. Këto materiale u morën nga njerëz të papërgjegjshëm që nuk e di kush janë, por dua të shtoj se edhe autoritetet lokale të sportit sikur u pajtuan me këtë gjendje.

Pra, tani ju po bëni përpjekjet për rikthimin e muzeut sportiv në qytetin e Sarandës?

Po! Në vitin 2001 u mor një nismë t’i rikthenim qytetit të Sarandës edhe një herë vlerat sportive nëpërmjet këtij muzeu. U hartua një projekt fillestar dhe u grumbulluan disa fotografi, të cilat poseduesit me shumë dashamirësi na i jepnim dhe neve, pasi i filmonim ua kthenim prapë. Mirëpo, kjo nisëm, qoftë edhe për mungesë financiare, por më shumë do thosha për mungesë të dëshirës dhe për t’i dhënë sportit një muze të ri, ngeli në mes të rrugës. Por kohët e fundit, në vitin 2013, përpjekjet tona  arritën të ngriheshin tek kreu i bashkisë z.Stefan Çipa, i cili e mirëpriti këtë kërkesë edhe si një ish sportist, por edhe si dashamirës i sportit që Saranda ta ketë këtë muze sportiv. Është bërë propozimi që tek godina e ish-ushtarakëve që parashikohet të bëhet një qendër multikulturore, të paktën një dhomë t’i kushtohet sportit, pra një muze jo i atyre përmasave siç ishte, por një dhomë që të funksionojë si muze, ku të paraqesim këto materiale. U ngarkua një person nga bashkia për të gjetur fonde, mirëpo problemi ka rreth gjashtë muaj që ka ngelur në vend. Ne kemi bërë një thirrje për të gjithë sportistët, trajnerët, dashamirësit sportiv dhe qytetarë të ndryshëm  që posedojnë materiale sportive nga aktivitetet e qytetit kudo, ku ndodhen të na i vënë në dispozicion dhe pas skanimit tua rikthejmë përsëri. Dhe është bërë një punë e mirë ku janë grumbulluar rreth 1000 fotografi sportive deri tani, flamuj, diploma të ndryshme të sportistëve të ndryshëm dhe ekipeve dhe mendoj se kemi material të bollshëm për ta ri ngritur këtë muze. Por më shqetëson fakti që ka një apati se dua të vete disa herë në bashki apo klubin e sportit, por unë nga detyra shtetërore nuk mund ta ndjek këtë pasi nuk e kam aksesin. Them se nëse do të vihen afate siç vihen për gjëra të tjera dhe do të ketë një impenjim nga strukturat përkatëse, unë mendoj se Sarandës do t’i rikthehet muzeu sportiv. Por shqetësimi im tjetër është me punën e mëtejshme, me ruajtjen e këtyre materialeve. Por shumë materiale të marra gjatë vitit 1997, por edhe më para, mbahen peng si pronë private nga njerëz apo individë të caktuar si sportistë dhe trajnerë në kohë të ndryshme dhe po të shkosh në shtëpitë e tyre shikon se kanë kupa apo medalje që nuk janë personale, por janë të ekipeve dhe klubi i sportit duhet ta vërë ujët në zjarr që këto materiale t’i kthehen qytetit se janë vlerë e tij. Kjo punë nuk bëhet me thirrje, ata janë të detyruar t’i kthejnë materialet kolektive, pasi janë materiale shtetërore, këtë e lidh me faktin që nëpër vite nuk kemi dhënë kupa e medalje për trajnerët, ato janë vlerësime të klubit. Madje duhet me urdhër që këto materiale të kthehen pasi i përkasin shoqërisë sportive të Sarandës, ashtu siç bën klubi i shahut që ekspozon medaljet dhe materialet e ndryshme. Projekti ka disa periudha: njëra nga viti 1920-1944, pastaj krijimi i klubeve sportive nën siglën që konkurronin edhe sportistët e Sarandës, pastaj problemi i masivizimit që ka pasur sporti në vitet ‘50-‘60, një kapitull i rëndësishëm është rritja e cilësisë sportive në qytetin e Sarandës dhe kam parasysh dy sporte që kanë lënë gjurmë në sportin kombëtar si noti dhe volejbolli, sepse të zësh vendin e tretë në klasifikim në volejboll apo të shpallesh 20 vjet rresht Kampion Kombëtar në Not dhe për më tepër që tre të katërtat e rekordeve në këtë sport i mbajnë sportistët e Sarandës, tregon se ka qenë një periudhë tepër e lavdishme, po krahas edhe sporteve të tjera. Një nga periudhat e tjera do të jetë ajo pas vitit 1990, ku sporti ka pësuar një transformim dhe mendoj se këto plotësojnë standardet e një muzeu të lëvizjes sportive. Kemi gjetur fotografi që nuk i kemi pasur si ajo e vitit 1929 të ekipit të futbollit të Sarandës ose e vitit 1932 e qytetit të Delvinës. Dhe një herë do bëja thirrje që të na vënë në dispozicion materialet, se shoh hezitim , por duhet ta dinë se ne i kthejmë materiale  e  nuk ka pse të hezitohet. Në fakt kanë humbur shumë medalje si ajo e ekipit të notit për femra në vitin 1972  dhe që është dekoruar nga Kuvendi Popullor, por sot ajo medalje nuk ekziston më. Mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të gjenden, vetëm dëshira duhet të jetë. Por edhe biznesmenëve dashamirës të sportit u bëj thirrje të na ndihmojnë për realizimin e muzeut. Por hë për hë edhe bashkia mund të vërë në dispozicion një dhomë nga mjediset e shtëpisë së kulturës pasi është material i shumtë dhe janë edhe rreth 50 kupa që mbahen nëpër shtëpia.

Agron Mema