Skandali/ Federata kërkon anulimin e çmimit 1000 leke për biletë, vetëm për tifozët e Tiranës
Federata Shqiptare e Futbollit i bëri një paralajmërim të fortë klubit të Skënderbeut, në lidhje me çmimin e biletave vetëm për tifozët e Tiranës, se në rast se ai nuk do të ishte i njëjtë me atë të shikuesve të tjerë ndeshje Skënderbeu-Tirana nuk do të zhvillohej. Pak ditë më parë, drejtuesit e kampionëve në fuqi deklaruan se, për mbështetësit bardheblu një biletë për ndeshjen Skënderbeu-Tirana do të ishte 1 mijë lekë, krejt i ndryshëm dhe më i shtrenjtë nga ai për tifozët korçarë. Sipas argumenteve të presidencës së Skënderbeut, ajo ishte e motivuar nga ngjarja e ndeshjes pararendëse mes këtyre dy skuadrave në Korçë (më 14 dhjetor 2013), kur tifozët e 24 herë kampionëve të vendit shkaktuan trazira, madje shkatërruan edhe një pjesë të shkallëve të stadiumit, ku ishin vendosur. “Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetësuar në lidhjet me njoftimet në shtyp për rritjen e çmimit të biletave për tifozët e Tiranës, në ndeshjen e javës së 27-të, Skënderbeu-Tirana, që do të luhet në Korçë, më 05.04.2014, ora 17.00, reagon si më poshtë: e quan të papranueshëm çmimin e diferencuar të biletës mes dy tifozerive (për Tiranën është vendosur çmimi 1000 lekë të reja). Ky, është njëlloj diskriminimi krejtësisht i papranueshëm dhe i paprecedent në futboll. Në statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit, neni 1, thuhet: “Diskriminimi i çdo lloji kundër një vendi tjetër, personi privat ose grupi njerëzish në lidhje me origjinën etnike, gjinore, gjuhën, fenë, politikat ose ndonjë arsye tjetër është krejtësisht e ndaluar dhe dënohet me pezullim, përjashtim ose ndonjë vendim tjetër disiplinor”. Federata Shqiptare e Futbolli i kërkon Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, si organizator i ndeshjes, që urgjentisht të marrë masa për të bërë të barabartë çmimin e biletës për të dyja tifozeritë, si të Tiranës, ashtu edhe të Skënderbeut. Në rast të kundërt, bëjmë me dije se ndeshja nuk do të zhvillohet”. Në fakt, Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, për atë ngjarje e dënoi me 200 mijë lekë gjobë Tiranën, ndërkohë që klubi kryeqytetas edhe pse premtoi në media se do ta paguante dëmet nuk e bëri atë. Kjo është e hera e parë, që një klub tenton të aplikojë dy çmime të ndryshme biletash, për tifozerinë vendase dhe atë mike. Skënderbeu është kryesuesi më meritë i kampionatit, duke pasur një diferencë prej 11 pikësh nga Kukësi i vendit të dytë, ndërkohë që Tirana ndodhet në luftë për mbijetesë kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje nga përfundimi i kampionatit.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XXVII
Sot,, 5 prill
Skënderbeu-Tirana 17:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Partizani-Besa 17:00
Kukësi-Teuta 14:00
Nesër, 6 prill
Lushnja-Vllaznia 14:00
E anuluar
Kastrioti-Bylis
Bylisi është përjashtuar nga kampionati. Kastrioti e fiton takimin 3-0 në tavolinë
RENDITJA
1 Skënderbeu 54
2 Kukësi 43
3 Partizani 41
3 Laçi 40
5 Teuta 39
6 Besa 34
7 Vllaznia 32
8 Flamurtari 32
9 Tirana 31
10 Kastrioti 26
11 Bylis 24
12 Lushnja 23
KUKËSI-TEUTA
Është një tjetër superndeshje e javës së 27-të, pasi takohen dzy skuadra qa luftojnë me njëra-tjetrën jo vetëm për një vend në zonën e Europës përmes kampionatit, por janë çiftuar edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
PARTIZANI-BESA
Partizani synon fitoren me Besën, për t’i dhënë fund serisë së barazimeve rresht, ato me Vllazninë, Tiranën e Flamurtarin – e kanë çuar Partizanin në vendin e tretë. Besa lufton për të mos dalë pa pikë nga “Qemal Stafa”.
LAÇI-FLAMURTARI
Kurbinasit janë duke bërë një sezon shumë të mirë, ndërkohë që Flamurtari rrezikon shumë nëse humbet në Laç. Laçjanët janë shumë të fortë në shtëpinë e tyte, ndërsa vlonjatët gjatë vitit 2014 kanë bërë paraqitje të dobëta.
LUSHNJA-VLLAZNIA
Lushnjarët janë shumë pranë rënies në Kategorinë e Parë, dhe vetëm një mrekulli i shpëton. Vllaznia, tepër e motivuar nga fitorja e ndaj Skënderbeut, kërkon tri pikë të plota në “Roza Haxhiu” për të mos rënë dhe ajo nga Kategoria.
Kombëtarja U-19, grumbullim në Greqi
Kombëtarja U-19 do të zhvillojnë një grumbullim pesëditor në Greqi. Të drejtuar nga trajneri Foto Strakosha dhe ndihmesat e tij, Arjan Bellai dhe Aleksandër Qiqi, djemtë kuqezinj do të nisen drejt Greqisë, ditën e hënë, më 7 prill, për të nisur të nesërmen zborin përgatitor. Më 9 prill, ekipi kombëtar do të zhvillojë një ndeshje miqësore me një ekip rajonal. Pas pesë ditësh stërvitjeje intensive, skuadra kombëtare U-19 do të kthehet në Shqipëri. Në listën e lojtarëve marrin pjesë kryesisht lojtarë nga kampionatet shqiptare të moshave, si dhe nga ata nga Greqia (nga ekipet Olimpiakos, Panionos, Lamia, Asteria, Patra, etj.), ndërkohë që nga FC Kopenhagen i Danimarkës do të jetë në këtë grumbullim Berat Beciri.
Mikael Shumaher drejt rizgjimit
Mikael Shumaher, shtatë herë kampion i botës në Formula 1, po rizgjohet. Lajmin e dha zëdhënësja e tij, Zabine Kehm. “Mikaeli po bën progres. Demonstron momente gatë të cilave është i vetëdijshëm dhe jep sinjale rizgjimi”. Kështu, pas shumë aludimeve, zërave, përgënjeshtrimeve e pastaj konfirmimeve, dyshimeve e shpresave mbi atë që po ndodh në katin e 7-të të spitalit të Grenoble, ku që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar është shtruar në një dhomë të repartit të reanimacionit ish-iloti i Benetonit, Ferrarit dhe Mercedesit, vjen edhe lajmi i shumëpritur nga të gjithë. Shumaher u rrëzua me ski në një pjesë jashtë pistës së Meribel në Francë, ku pësoi një traumë të rëndë në kokë që i detyroi mjekët francezë të Grenoble t’i bënin një ndërhyrje të dyfishtë kirurgjikale me rrezikun e madh të humbjes së jetës. Pas një muaji në koma klinike, mjekët kanë filluar në mënyrë progresive të reduktojnë ilaçet për të favorizuar daljen nga koma të ish pilotit. “Jemi në krahun e tij gjatë kësaj beteje të gjatë dhe të vështirë, bashkë me skuadrën e spitalit të Grenoble, dhe vazhdojmë të mbetemi besimplotë”, – tha zëdhënësja Kehm. Ajo përgënjeshtroi kategorikisht lajmet se, bashkëshortja e Mikaelit, Korina po ndërton një lloj dhome infermierie në brendësi të shtëpisë së Shumaherit në Gland të Zvicrës.
Katër lojtarë të Mançester Junaitid janë përfshirë në një “siberseks” me një irlandezoveriore
Adnan Januzaj, në qendër të një skandali seksual
Një skandal i ri seksual është goditur lojtarë të ndryshëm të Mançester Junaitid, ku sipas tabloidit anglez “The Sun”, Adnan Januzaj, Kagava, Sam Xhonston si dhe një futbollist i katërt, emri i të cilit nuk u bë i njohur kanë zhvilluar me 28-vjeçaren nga Irlanda e Veriut, Kler MekMulan, sesione të ndryshme “siberseksi” përmes një çati. Kështu, përveçse nuk është duke bërë një sezon të mirë në kampionatin anglez, “Djajtë e kuq” tani po përballen edhe me prapësitë e djemve të tyre. Sipas portalit spanjoll, “Mundodeportivo.es”, që ka botuar edhe foton e shkrimin e faqosur, ku në qendër është mesfushori 19-vjeçar kosovar, Kler e ka përshkruar Adnan Januzajn si një “demon shumë të zjarrtë”, dhe sipas saj, e kishte ftuar për “të kryer një vizitë”, ndërkohë që Xhonston ishte më direkt, duke i propozuar vajzës të bënin një treshe. Lojtari i katërt, emri i të cilit nuk i bë i panjohur, i kishte dërguar foto të organit të tij. Pak ditë më parë, mesfushori shqiptar i Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, u konsiderua si lojtari i ri më i mirë në botë. Ky është përfundimi i gazetës italiane “Gazetta Dello Sport”. E ardhmja e futbollit është e sigurt. Dhe në krye të talenteve që pritet të shkëlqejnë në arenën e sportit më të rëndësishëm në botë është Adnan Januzaj. Gazeta ka hartuar një listë me 60 adoleshentë nën moshën 20 vjeç, të cilët luajnë në Europë, dhe Januzaj është përpara brazilianit të Çelsit, Lukas Piazon, i cili është aktualisht i huazuar në Holande me Vitesen. “Ka një të majtë të shkëlqyer, teknik dhe me shumë personalitet. Dy golat e shënuar kundër Sandërlendit e bënë atë lojtarin më të ri që shënon për Mançester Junajtid në Premier Ligë. Ka firmosur deri në vitin 2018, por nuk ka vendosur ende se me cilën kombëtare do të luajë”. Ky është vlerësimi që shoqëron foton e Januzaj, për të cilin vazhdon një garë në distancë mes Anglisë, Belgjikës dhe Shqipërisë që gjithsesi duket e dorëzuar. Në pritje të vendimit, talenti me origjinë kosovare vazhdon të jetojë momentin e tij të famës. Ndërkohë skuadrat më të mëdha të Europës interesohen për Adnan Januzaj ndërsa kartoni i tij vlerësohet deri në 30 milion euro. Pikërisht, kjo shifër e vendos futbollistin në krye të “draftit” të së përditshmes italiane, ndërsa ai le pas në listë lojtarë si Markinjos të Paris Sent Zhërmen apo Haliloviç, i cili cilësohet si “Mesi i ri” dhe është blerja e fundit e Barcelonës. Januzaj tani duhet të vendosë të ardhmen e tij ndërkombëtare dhe mund të përfaqësojë Belgjikën, Shqipërinë, Turqinë, Serbinë apo dhe Anglinë.