Gjergj Ruli: “Maratona Ballkanike e Durrësit, një ngjarje e bukur”

488
Sigal

Presidenti i Atletikës zbulon për “Telegraf” të gjitha detajet. Marrin pjesë vrapues nga 9 shtete

Të dielën e 6 prillit, rrugët e Durrësit do të gjallërohen nga sportistët dhe dashamirësit që do të marrin pjesë në Maratonën Ballkanike 21 km, një projekt ambicioz i Federatës Shqiptare të Atletikës, i zhvilluar nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Durrësit, z. Vangjush Dako. Presidenti i Federatës Shqiptare Atletikës, Gjergj Ruli, zbuloi për gazetën “Telegraf” të gjitha detajet e kësaj veprimtarie të bukur. Maratona Ballkanike është i pari në këtë lloj organizimi, qysh nga Kampionati i Lojërave Ballkanike, të zhvilluara në Tiranë në vitin 1946. Sipas Rulit, data 6 prill nuk është zgjedhur rastësisht, pasi ajo përkon me Ditën Botërore të Vrapimit, për sportin dhe paqen që do të mbahet në të gjithë botën në të njëjtën ditë, me sloganin “Për një botë më të mirë atletike”.

Në të do të marrin pjesë atletë nga nëntë shtete: Shqipëria, Kosova, Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia dhe San Marino. Maratona do të shoqërohet edhe me pjesëmarrjen e rreth 2500 nxënësve të shkollave të qytetit të Durrësit.

 – Zoti Ruli, të dielën, më 6 prill në qytetin e Durrësit do të zhvillohet Maratona Ballkanike 21 km. Për lexuesit e gazetës “Telegraf”, cila detajet e këtij aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar?

– Maratonën Ballkanike 21 km, një projekt ambicioz i Federatës Shqiptare të Atletikës, i zhvilluar nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Durrësit, z. Vangjush Dako, të cilin gjej rastin ta falënderoj për mbështetjen e madhe që ka dhënë. Maratona Ballkanike është i pari në këtë lloj organizimi, qysh nga Kampionati i Lojërave Ballkanike, të zhvilluara në Tiranë në vitin 1946. Data 6 prill nuk është zgjedhur rastësisht nga ne, pasi ajo përkon me Ditën Botërore të Vrapimit, për sportin dhe paqen që do të mbahet në të gjithë botën në të njëjtën ditë, me sloganin “Për një botë më të mirë atletike”.

– Kjo është një maratonë ndërkombëtare atletike. Duke e parë në një këndvështrim më të gjerë, përse do të shërbejë kjo maratonë që zhvillohet në Durrës?

– Ky aktivitet synon të sjellë në Shqipëri, atletë cilësorë nga Ballkani, duke dëshmuar një garë solidariteti e paqeje, duke e kthyer këtë aktivitet kulturor-sportiv në një ngjarje që do të shpalosë vlerat qytetare dhe mikpritëse të qytetit të Durrësit.

Duke ofruar sfidën që, ofron kjo ngjarje, si dhe interesimin gjithmonë në rritje ndaj Shqipërisë, dua të kujtoj se prestigjiozja britanike “The Times” e konsideron një nga vendet e para, për t’u vizituar nga turistët, Federata Shqiptare e Atletikës synon që, organizimi i Maratonës Ballkanikë të shërbejë për të vendosur ura komunikimi dhe shkëmbëim eksperiencash progresive ndërmjet institucioneve organizative dhe sportistëve pjesëmarrës brenda dhe jashtë vendit. Përveçse një aktivitet sportiv ky është edhe nëj mundësi për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë që po rilind, promovimin e turizmit bregdetar të vendit tonë.

– Nga do të jënë pjesëmarrësit në Maratonë Ballkanike?

– Ne synuam të sjellim atletët më të mirë nga i githi Ballani si dhe të atletëve më të mirë shqiptarë e kosovarë, si një promocion i vlerave të Shqipërisë që po rilind. Përveç vrapuesve nga Shqipëria kanë konfirmuar dhe do të marrin pjesë vrapues nga Kosova, Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia dhe San Marino.

– A është e njohur ndërkombëtarisht kjo maratonë?

Vërtet kjo është një iniciativë e Federatës Shqiptare të Atletikës, por ne kemi negociuar me Federatën Ballkanike dhe atë Europiane të Atletikës, duke arritur ta regjistrojmë këtë event si asetin e Federatës sonë, pra kemi marrë licencën e nevojshme për organizimin e kësaj maratone. FSHA-ja ka një përvojë të mirë në organizimin e aktivitetet madhore ndërkombëtare, dhe kjo bëri që aktiviteti ynë të përfshihej në kalendarin e aktiviteteve të miratuara nga Federata Europiane dhe ajo Ballkanike. Organizimi  Maratonës Ballkanike në Durrës përmbush edhe ëndrrën e një brezi atletësh veteranë shqiptarë e të huaj, që kanë përjetuar me aq emocione përpara televizorit aktivitete të këtyre përmasave.

– Cili është programi i Maratonës Ballkanike?

– Kohëzhjatja e aktivitetit është nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 13:00. Ceremonia e Hapjes se aktivitetit do të bëhet te Pallati i Kulturës. Fjalën përshëndetëse do ta mbajë Kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, ndërsa e ftuar speciale do të jetë Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, e cila do të mbajë dhe ajo fjalën e saj. Në Ceremoninë  e Hapjes do të flasin edhe Presidenti i Federatës Ballkanike, dhe, sigurisht edhe unë si President i Federatës Shqiptare të Atletikës. Mesazhi im është që, në këtë aktivitet janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë ata që dëshirojnë të vrapojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj feste vrapimi.

– Kush do ta japë sinjalin e startit të Maratonës?

– Starti i garës do të jepet nga Kryetari i Bashkisë, z. Dako.

– Cili është itinerari i garës?

Itinerari i maratonës do të vazhdojë me vrapimin drejt hyrjes së Portit Detar në portën kryesore, vrapimin brenda terminalit të Portit deri te dalja e Urës së Dajlanit, për të vazhduar drejt zonës së “Plepave” e më tej drejt Shkëmbit të Kavajës, deri te karburant “Kastrati”. Kthimi është i njëjti itinerar dhe finishi i garës është atje dhe ku nisi ajo. Pas përfundimit të garës do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve, në vendin edhe ku u bë ceremonia hapjes.

Itinerari i Maratonës Ballkanikë

 Itinerari i maratonës do të vazhdojë me vrapimin drejt hyrjes së Portit Detar në portën kryesore, vrapimin brenda terminalit të Portit deri te dalja e Urës së Dajlanit, për të vazhduar drejt zonës së “Plepave” e më tej drejt Shkëmbit të Kavajës, deri te karburant “Kastrati”. Kthimi është i njëjti itinerar dhe finishi i garës është atje dhe ku nisi ajo, pra te Pallati i Kulturës.

 Organizatorët e aktivitetit

 Organizatore kryesor është Federata Shqiptare e Atletikës, ndërsa partnerët e saj janë Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Durrësit, Policia e qytetit dhe ajo qarkullimit, Autoriteti Portual Durrës, Drejtoria Arsimore, Komiteti Olimmpik Kombëtar Shqiptar dhe Federata “Sporti për të gjithë”. Pas përfundimit të aktivitetit, do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të medaljeve.