Dje Kombëtarja udhëtoi drejt Austrisë me disa mungesa. Flet ish mesfushori Kuq e Zi, Mirel Josa: Lista dhe dritëhijet, Kombëtarja e ka kryer detyrën, në europian jo për shëtitje. Ekskluzive me trajnerin kampion Edlir Tetova: Egnatia I meritoi të dy trofetë, bashkë me drejtuesit dhe tifozerinë. Për Euro-2024 , mendojë te suksesi, pasi futbolli luhet në fushë
INTERVISTA/ Trajneri kampion Edlir Tetova, e pranon për “Telegraf” se i kishin menduar fitoret e sezonit
Agron Kaja
Po mbyllet java pas suksesit tuaj si kampionë të Superiores 2023-2024, si jeni ndjerrë gjatë dhe pas tij?
Natyrisht si një fitues i dyfishtë, dhe në karrierën e një trajneri nuk ka më bukur. E them me bindje se unë nuk e imagjinoja këtë sukses, por gjatë rrugës ne e mposhtëm frikën dhe e rritëm besimin se kishim skuadër që garantonte gjithçka duhej. Për mua e rëndësishme ka qenë maratona e kampionatit.
Egnatia ka bërë respektin maksimal për Duamenën, e ndjetë edhe peshën e tij tek titulli, apo edhe tek Kupa?
Ishte e natyrshme, por edhe respektuese që ky mbetet një titull me dedikim për kapitenin Duamena. Ne e çuam deri në fund amanetin e tij, e ditëm të menaxhojmë situatën dhe bëmë premtimin që do t’i dedikonim atij çdo trofe. Ishte detyrim moral për kapitenin.
Finalja e “Final 4” kundër Partizanit, e mendoni se erdhi edhe si një provë e vazhdimit të kryesimit në tre fazat e kampionatit?
Në kampionat, ne i kemi parë ndeshjet si të radhës, pra një për një. Ky është një ligj sportiv i “shkruar në fushë” dhe së bashku me tifozërinë tonë që i dha një indicie të bukur këtyre finaleve, them se çdo gjë e kemi merituar që nga fillimi.
Po për urimin e Goldi Halilit të Tiranës ndaj jush, pse ka patur aludime, si duhet ta përkthejmë?
Këto janë supozime, apo edhe aludime në ajër. Nuk e di nëse e kemi ndihmuar Tiranën kur ne kemi luajtur ndeshjet tona dhe kemi qenë të fokusuar vetëm aty. Duke qenë të fokusuar tek të dy trofetë, kjo na nxjerr faqebardhë në suksesin tonë.
Për fitoren në finalen e “Final 4” ju u përshëndetët edhe nga tifozeria bardheblu, si u ndjetë në këtë rast?
Unë personalisht nuk pata ndjesi, edhe pse në Kupë ishte e vështirë për ta mbrojtur trofeun. U kam kërkuar çunave vetëm ta shijojnë, sepse si Tirana ashtu edhe Partizani kishin në anën e tyre pozitive me tifozëritë, dhe si një faktor suksesi.
Tashmë që sezonin e mbyllët me dopietë, keni menduar merkato, apo do ta ruani grupin fitues?
Në këto moment që flasim bashkë, nuk do të largohet asnjë nga futbollistët që së bashku e arritëm suksesin e dyfishtë. Ne do luajmë në ndeshjet paraeliminatore të Champions League dhe grupi mbetet i palëvizshëm, por mund të ketë përforcime.
Jeni në kontratë me Egnatian për dy vite, keni menduar të drejtoni ndonjë skuadër tjetër në Superiore?
Kam menduar që ta respektoj kontratën me Egnatian, sepse projekti duhet të konkretizohet më gjërë, edhe në Europë. Vite më parë kam qënë një periudhë disa mujore si zëvendëstrajner te Tirana dhe ende i ruaj kujtimet e mira, të merituara.
Keni patur kohë e mundësi që këtë javë të shikonit edhe situatën në skuadrën tonë Kombëtare?
Natyrisht që po, sepse Kombëtarja është interes për çdo shqiptar. Tashmë që doli edhe lista e Silvinjos, ku mbetën jashtë Cikalleshi, Uzuni e Bare, do thoja se çdo trajner ka fizionominë e tij të lojës. Ata dhanë kontribut në eliminatore, por ky është kompeticion tjetër.
Në finalet e Europianit jemi në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, besoni se Kombëtarja do arrijë sukses?
Po pse të mos e mendojmë suksesin. Vërtet që Italia, Spanja dhe Kroacia janë emra të mëdhenj në futbollin botëror, por futbolli luhet në fushë. Duke menduar se ata si kundërshtarë nuk kanë diçka më shumë, çdo gjë është e arritshme nga ne.
Bruno Dita kërkohet nga tre skuadra në Superiore
Janë tre skuadra të Abissnet Superiore që interesohen për 31-vjeçarin Bruno Dita, i cili luan si mesfushor, por edhe si mbrojtës. Dita është në fund të kontratës me Shkëndijën e Tetovës ku ka luajtur sezonet e fundit, dhe deri më 14 qershor ai është lojtar i kësaj skuadre. Por emri i tij del në kërkesat e Dinamos, Skënderbeut dhe të Elbasanit, ku edhe vetë lojtari e ka pranuar se ka oferta nga këto skuadra, por pasi ta mbyllë në Maqedoni me Shkëndijën.

ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET “FINAL 4”
E premte, 17 maj 2024
Partizani-Skënderbeu 1-0
E dielë, 19 maj 2024
Egnatia-Vllaznia 0-0
Për vendin 3 dhe 4
E premte, 24 maj 2024
Skënderbeu-Vllaznia 3-2
Finalja e “Final 4”
E dielë, 26 maj 2024
Partizani-Egnatia 0-1
SEZONI 2024-2025
Skuadrat Kompeticioni
1.Egnatia Liga Kampioneve
2.Partizani Konferencë Ligë
3.Vllaznia Konferencë Ligë
4.Skënderbeu
5.Tirana Konferencë Ligë
6.Teuta
7.Dinamo C.
8.Laçi
9.AF Elbasani Kateg. Parë
10.Bylis Kategoria Parë
Partizani me pushime të shkurtuara, votbesohet Shehi

Për skuadrën e Partizanit, sezoni i ri nis me pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndaj dhe drejtuesit e klubit të kuq kanë vendosur që pushimet verore të mos jenë të gjata, deri më 10 qershor. Më pas pritet që skuadra të mbyllë pushimet dhe të nisë fazën përgatitore për prezantimin në Europë. Me shumë mundësi klubi do të kryejë një mini-fazë përgatitore për këtë pjesëmarrje, fazë e cila zakonisht në vitet e fundit është zhvilluar jashtë vendit. Me zbritjen në fushë në këtë datë do të zbardhen edhe ndryshimet në ekip, që kanë të bëjnë me hyrje daljet në merkato, të cilat përfliten se do jenë të shumta. Pasi është votbesuar trajneri Orges Shehi, Drejtori Arbër Abilaliaj është në dyshim largimi.






















