Vllaznia “falimenton” Korabin, Bakaj i gëzohet golit

600
KATEGORIA SUPERIORE/ Në Vlorë ka surprizë, në Korçë me bollëk golash, shkodranët gjejnë fitoren e besimit
Përpos luhatjeve që Vllaznia ka pasur gjatë këtij Kampionati, njëherësh edhe duke u eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, pritej që kjo skuadër të rrëshqiste në tabelën e renditjes, pasi edhe synimet nuk duken si për elitën. Por, në takimin e djeshëm me Korabin e fundit të renditjes, Vllaznia e ka gjetur kohën e kthesës, jo vetëm se fitoi tri pikë të vlefshme, por edhe pse prurja më e re e tyre në merkaton e dimrit, Elis Bakaj, me golin e shënuar në minutën e 17-të, u ka kujtuar shokëve të skuadrës se goli të nxjerr fitues. Gjithsesi, në një takim ku rezultati përfundimtar mbeti i diskutueshëm deri në fundin e ndeshjes, nuk tregoi më shumë për Vllazninë, e cila në këtë ndeshje nuk themi se shkëlqeu. Edhe vetë trajneri Armando Cungu, pas ndeshjes e pranoi se loja e skuadrës së tij nuk ishte e një niveli të mirë, duke u “justifikuar” me lodhjen e lojtarëve të tij pas ndeshjes së Kupës në mesjavë, por edhe terrenit të fushës. Ndërsa trajneri i Korabit Gerti Haxhiu, ka zyrtarizuar falimentimin financiar të skuadrës, aq sa lojtarët po paguajnë nga financat e tyre udhëtimet për ndeshje. Ky është lajmi më i keq i javës së 22-të, edhe pse dihej që skuadra dibrane po kalonte moment të vështira, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në financat e saj.
Sigal