Skënderbeu “bombardon” Luftëtarin, Flamurtari i “dorëzohet” Teutës

555
Agron KAJA
Edhe pse vëmendja e javës së 22-të të Kategorisë Superiore është fokusuar tek “derbi” i sotëm Partizani-Tirana, dje janë luajtur tre takimet e para të kësaj jave, ku të tre rezultatet kanë qenë sa interesantë, aq edhe të papritur. Natyrisht që veçohet fitorja në transfertë e Teutës ndaj Flamurtarit, një gol in extremis i Cmajcjanin në minutën e 93-të, e bën edhe më të vështirë mbijetesën e vlonjateve, të cilët tri ditë më parë kanë ulur në bankinë Shpëtim Duron, një nga trajnerët më të lakmuar në treg. Koha e shkurtër e tij në këtë post, ndoshta dhe problemet e brendshme që skuadra ka kaluar gjatë kësaj periudhe, sidomos pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë prej Besëlidhjes së një kategorie më poshtë, kanë sjellë efektet negative. Nga ana tjetër, durrsakët duket se veç fitores dhe tri pikëve, i gëzohen edhe një “hakmarrjeje” të trajnerit Gugash Magani, i cili u largua nga bankina vlonjate në fillimin e këtij kampionati. Kjo është një dishezë për vlonjatët, të cilët që javën e ardhshme duhet t’i bëjnë llogaritë vetëm për mbijetesë, pasi do të luajnë me Tiranën e do të presin Kukësin në javën e 24-t. Por fitorja e djeshme në Vlorë mbetet një ngjitje në kohën e duhur e për durrsakët, të cilët në këtë fazë të tretë kanë gjetur shpëtimin për të mos rënë një kategori më poshtë. Edhe ndeshja në Korçë pati të veçantat e saj, jo vetëm se u shënuan tre gola, por edhe për faktin se Skënderbeu ka fituar ndaj një kundërshtari që në këtë fazë të tretë po bënte befasinë me disa fitore radhazi. Gjithsesi, dje Luftëtari ka “zbritur me këmbë në tokë”, sepse kampionati vazhdon dhe ngjitja nuk vjen duke kujtuar çfarë ke arritur në javët e kaluara. Tre gola të vlefshëm, por edhe të ekzekutuar me bukuri, mund të veçohen më shumë për gjetjen e rrjetës nga Muzaka, i cili pas divorcit me Tiranën gjatë merkatos së dimrit, me Skënderbeun po bën më të mirën. Këtë humbje në Korçë, ndoshta e ka parandjerë edhe trajneri serb Milinkoviç, i cili në deklarimet para kësaj ndeshjeje, ende e quante në lojë skuadrën e tij për mbijetesë. Natyrisht që fitorja e Skënderbeut ka vlera për kreun e renditjes, duke pritur sot rezultatin e ndeshjes Laçi-Kukësi, ku një fitore e laçianëve, jo vetëm që do të komplikojë kreun mes kuksianëve e korçarëve, por do të komplikojë më shumë pozitat e Flamurtarit në vendet e fundit të renditjes. Në këto tre ndeshje të luajtura dje në kuadrin e javës së 22-të të Kategorisë Superiore, e veçanta tjetër mbetet tek një “barazim” mes skuadrave që shënuan, si edhe mes atyre që nuk shënuan. Kështu, Skënderbeu, Vllaznia e Teuta e gjetën rrugën e rrjetës, ndërkohë që Korabi, Flamurtari dhe Luftëtari nuk kishin marrëdhënie të mira me rrjetat kundërshtare. Gjithsesi, këto ishin 60% të ndeshjeve të kësaj jave, pasi sot do të luhen dy ndeshjet e tjera. Në Tiranë do të jetë “derbi” i 148-të Partizani-Tiranë, një provë për skuadrën e kuqe se e lufton kreun seriozisht, njëherësh edhe një test për Tiranën, për të treguar se me Kukësin nuk ka bërë asnjë marrëveshje rezultati në javën e kaluar.
REZULTATET DJE 
Flamurtari-Teuta 0-0
Shënues: Cmajcjanin 90+3’
Skënderbeu-Luftëtari 3-0
Shënues: Muzaka 25’, 
Latifi 35’, Radas 75’
Korabi-Vllaznia 0-2
Shënues: Bakaj 17’, Hebaj 88’
3 ndeshje
Dje u luajtën tre ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë Superiore në të cilat u shënuan 6 gola, një mestare 2 gola për ndeshje
2 ndeshje
Sot do të luhen dy ndeshjet e mbetura të javës së 22-të të Kategorisë Superiore, ku veçohet “derbi” në kryeqytet dhe sfida në Kukës

KATEGORIA E PARË
Kryesojnë Kamza dhe Lushnja, Elbasani mbërthehet nga kriza
Kanë nisur ditën e premte ndeshjet e javës së 16-të të Kategorisë së Parë në të dyja grupet, dhe ajo çka mund të bëjë të veçantën është se, të dy kryesuesit e grupeve, Kamza në grupin A dhe Lushnja në Grupin B, kanë kaluar teste relativisht të vështira. Gjithsesi, duke e nisur me kamzalinjtë, të cilët u ndalën në barazim 0-0 në fushën e tyre nga Besëlidhja, përsëri ata nuk i luhatin pozitat në kreun e grupit, madje e ruajtën edhe distancë me 10 pikë nga vendi i dytë, pikërisht nga Besëlidhja. Dhe lezhjanët tashmë duhet të luftojnë për vendin e dytë në grup, pasi kanë edhe “trokitjet” e Erzenit për këtë vend, të cilët fituan bindshëm në transfertë ndaj Besës vendase. Në Grupin B, veç fitores së thellë 4-0 të Lushnjës kryesuese ndaj Sopotit, veçohen dy humbjet e Prefekturës së Elbasanit. Së pari, “djeg” humbja e Elbasanit me Apoloninë, madje me rezultat të thellë 0-3, për të treguar se kriza e elbasanllinjve është prezent, por edhe për tu thënë fierakëve se po dalin nga kriza e humbjeve në javët e fundit. Ndërkohë që Shkumbini nuk i ka rezistuar Bylisit, i cili kërkon kreun e renditjes në këtë grup, edhe pse në javën e kaluar barazoi në fushën e tij me Lushnjën kryesuese. Kjo panoramë e kësaj jave të Kategorisë së Parë, e bën edhe më të komplikuar vazhdimësinë, kryesisht për Grupin B, ku Elbasani ka hyrë në ethet e mbijetesës, ndërsa Lushnja është ende në ethet e kreut të renditjes.
Grupi A
Ndeshjet/Java e 16-të
Datë 18 shkurt 2017
Iliria-Tërbuni 1-0 
Shënkolli- Mamurras 2-1
Besa-Erzeni 0-2 
Burreli-Kastrioti 1-3 
Datë 19 shkurt 2017
Kamza-Besëlidhja 0-0
Renditja/ Java e 15-të
Skuadrat Nd Pikë
1. Kamza 16 43 
2.Besëlidhja 16 33 
3. Erzeni 16 31 
4 Burreli 16 25 
5.Shenkolli 16 23 
6. Besa 16 17 
7. Kastrioti 16 16 
8. Adriatiku 16 13
9.Iliria 16 14 
10. Tërbuni 16 7 
Grupi B
Ndeshjet/Java e 16-të
Datë 17 shkurt 2017
Dinamo-Pogradeci 0-1
Datë 18 shkurt 2017
Shkumbini-Bylis 0-2 
Elbasani-Apolonia 1-3 
Turbina-Tomori 2-0
Lushnja-Sopoti 4-0 

RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Lushnja 16 38 
2.Bylis 16 32 
3.Pogradeci 16 23 
4.Tomori 16 22 
5.Shkumbini 16 21 
6.Apolonia 16 22 
7.Dinamo 16 17 
8.Sopoti 16 15 
9.Turbina 16 15 
10.Elbasani 16 13 
Sigal