Hasan Lika: Besoj te fitorja e Partizanit, ndryshe s’ka titull kampion

581
Agron KAJA

“PËRPLASJA”/ Flasin për “Telegraf”dy ish-futbollistët kundërshtarë, kanë luajtur për herë të parë si të tillë në vitin 1979. Kola më superior në ndeshje dhe në gola
Si ish-futbollist i “demave të kuq”, si po e përjetoni atmosferën e “derbit”të 147-të midis Partizanit e Tiranës?
Sigurisht që ndjej emocion, jo vetëm se si ish-futbollist i Partizanit kam luajtur ndeshje të tilla, por edhe si ish-trajner me këtë skuadër. Ndeshje të tilla që quhen “derbi”, gjithmonë kanë qenë tërheqëse, si për futbollistët, për trajnerët, por më shumë edhe për tifozeritë që kanë këto skuadra. Mendoj se duhej më shumë atmosferë mediatike për këtë ndeshje të madhe, pasi ato gjithmonë bëjnë të veçantën në futbollin shqiptar.

Në kujtesën tuaj si ish-futbollist i Partizanit, sa ndeshje “derbi” mbani mend se keni luajtur?
Përafërsisht janë 10 ose 12 ndeshje të tilla, madje unë kujtoj “derbin” e parë Partizani-17 Nëntori në sezonin futbollistik 1978-1979, ku kundërshtar kisha shokun e klasës, Agustin Kolën. Atë ndeshje e ka fituar Partizani me golin e të madhit Agim Murati, por të gjitha kanë qenë sfida të bukura, të luftuara sportivisht në fushën e lojës dhe të “dekoruara”mirë nga tifozeritë respektive. 

Ju, keni shënuar ndonjë gol në këto ndeshje “derbi”, dhe sa i kujtoni momentet e shënimit?
Unë në kujtesën time thuajse i përjetoj të gjitha ndeshjet kundër Tiranës, që atëherë quhej 17 Nëntori. Edhe golat i kujtoj, dhe kam shënuar 2 apo 3 të tillë. Më qartë kam në kujtesë një gol vendimtar që shënova unë, e pikërisht prej tij Partizani fitoi 1-0 dhe morri tri pikët ndaj 17 Nëntorit. Ka qenë një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa”, ku mund të kishte mbi 10 mijë tifozë.

Sot luhet “derbi’ i 148-të i kryeqytetit, si e shikoni skuadrën e Partizanit në këtë 90 minutësh?
Natyrisht që Partizanin e shoh në të gjithë treguesit, shumë më mirë nga Tirana. Sepse krahasuar me Tiranën, Partizani është skuadër më e kompletuar në kualitete, ka luajtur shumë më mirë se ajo në 22 javë, por edhe ndaj saj, ku në këtë sezon të dy ballafaqimet në dy fazat e para janë mbyllur pa gola 0-0. Ndeshjet “derbi”kanë specifikën e veçantë, pasi mobilizimi në to është shumë më i madh nga ndeshjet e tjera, dhe asnjëherë nuk kanë qenë vendimtarë treguesit historikë, veç atyre aktualë. 

Do të ketë ndikim kundër Tiranës, fakti që luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”e quajtur si “shtëpia” e bardhebluve?
Unë nuk e mendoj me ndikim në favor të Tiranës stadiumin, përkundrazi, ai është një stadium në kryeqytete dhe “derbi” është i kryeqytetit. Gjithçka është e barabartë në këtë këndvështrim, ndërsa në atë se çfarë do të prodhojë loja, kjo do ta varet nga mundësitë e secilës skuadër, me favorit Partizanin. Kur unë luaja me Partizanin, gjithmonë në ndeshjet kundër Tiranës kishte një koençidencë, se sa herë fitonim me të, ne fitonim edhe Titullin Kampion.

Cilën mendoni si “armën”më të fortë të Partizanit në këtë sfidë?
Për momentin, Partizani është dominues në të gjithë treguesit kundër Tiranës dhe favorit për ta fituar atë pa asnjë dyshim. “Derbi” me Tiranën gjithmonë ka qenë interesant, dhe bilanci pozitiv që ka Partizani, e ka bërë edhe më të bukur historinë e realitetin.

Ka disa sezone që në Tiranë luhet vetëm një “derbi” i kryeqytetit, më parë ishin tre të tillë. Ndjehet një boshllëk për mungesën e Dinamos në elitën e futbollit tonë?

Natyrisht që po, është 16 herë Kampione e Shqipërisë, dhe vetëm kaq mjafton që të kesh nostalgji për këtë skuadër. Është një skuadër që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, dhe nëse do të ishte sot në Kategorinë Superiore, do ta shtonte më shumë adrenalinën e këtyre ndeshjeve “derbi”në kryeqytet.

Po për tifozerinë e Partizanit, çfarë do të sugjeronit para kësaj ndeshjeje “derbi”?
Tifozët e Partizanit gjithmonë e kanë treguar se janë vlerë reale për skuadrën. Nuk marr parasysh ato polemikat e fundit për stadiumin, por në këtë përballje ata i mendoj të shumtë dhe të palodhur në përkrahje të Partizanit, si ndihma vendimtare për fitoren.

Si e mendoni rezultatin final të kësaj sfide?
Vetëm fitore të Partizanit. E besoj dhe e shpresoj këtë nga gjithçka që folëm në këtë bisedë. Ndryshe, lufta për Titullin Kampion bëhet edhe më e vështirë.
Partizani është skuadër më e kompletuar në kualitete, se sa Tirana, ai ka luajtur shumë më mirë se ajo në 22 javë, por edhe në përballjet ndaj saj, në këtë sezon, në të dyja fazat e para janë mbyllur pa gola, 0-0

BILETAT 
Për ndeshjen Partizani-Tirana në “Selman Stërmasi”, janë këto çmime biletash: tribunat A1, A2, B1, B2 nga 2000 lekë, C1, C2, D1, E, F, G1, G2, H1, H2 nga 500 lekë

1 “derbi”
Në kujtesën e Hasan Likës, gjatë karrierës së tij si futbollist me Partizanin, ndeshjen e parë “derbi” kundër 17 Nëntorit e ka luajtur kundër shokut të klasës, Agustin Kola

FORMACIONI I MUNDSHËM
Partizani: 1-4-3-3
Hoxha
Ramadani Malota Atanda Kalari
Batha Sukaj Trashi
Torrasa Ekuban Mazrekaj
Trajner: Sulejman Starova
Rezultatet/ Java e 22-të
Dje, 19 shkurt 2017
Korabi-Vllaznia 0-2
Shënues: Bakaj 17’, Hebaj 88’
Flamurtari-Teuta 0-1
Shënues: Cmajcjanin 90+3’
Skënderbeu-Luftëtari 3-0
Shënues: Muzaka 25’, 
Latifi 35’, Radas 75’
Ndeshjet/ Java e 22-të
Sot, 20 shkurt 2017 
Laçi-Kukësi 14:30
Partizani-Tirana 18:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 21 45
2.Skënderbeu 22 44
3.Partizani 21 39
4.Luftëtari 22 28
5.Tirana 21 27
6.Vllaznia 22 27
7.Teuta 22 23
8.Flamurtari 22 20 
9.Laçi 21 20
10.Korabi 22 11
(Flamurtari është penalizuar 
nga KD me -6 pikë)

AGUSTIN KOLA 

Tirana të bëjë lojën e saj më të mirë në këtë sezon
Si ish-futbollist bardheblu, si po e përjetoni atmosferën e “derbit”të 147-të midis Tiranës e Partizanit? 
Është një moment emocioni dhe adrenalinë, aq sa mua po më duket sikur do të jem sot në fushë. Edhe pse të dy skuadrat nuk po prodhojnë atë futboll që kanë dhënë historikisht ndër vite, po na mban ende mbërthyer dhe me shpresë. Më shumë kam luajtur ndeshje të tilla si futbollist e më pak si trajner i Tiranës, ndërkohë që për këtë ndeshje duhej të kishte më shumë atmosferë mediatike e zyrtare, sepse ato gjithmonë janë të veçanta në futbollin shqiptar.

Si ish-futbollist i Tiranës, në kujtesën tuaj sa ndeshje “derbi” mbani mend se keni luajtur?
Do të isha i saktë të thosha 20, por mund të jenë edhe 22 “derbi”, duke përjashtuar përballjet e tjera në Kupën e Shqipërisë apo në Superkupë. Unë “derbin” e parë e mbaj mend që e kam luajtur në sezonin 1978-1979, dhe si kundërshtarë më të mëdhenj kam pasur dy shokët e klasës në Institut, Hasan Likën dhe Kristaq Eksarkon. Të gjitha ndeshjet kundër Partizanit ishin të bukura, të vështira, por edhe teste për vazhdimësinë.

Sa gola mbani mend se keni shënuar në këto ndeshje “derbi”, dhe si mund të kujtoni ndonjë moment shënimi?
Unë kam qenë protagonist i sulmit të 17 Nëntorit, e natyrisht që në ndeshjet kundër Partizanit edhe kam shënuar. Në kujtesën dhe shënimet e karrierës sime si futbollist me Tiranën, unë kam shënuar mbi 10 gola. Kam shënuar disa herë gola vendimtarë që kanë vulosur rezultatin e ndeshjes në favorin tonë, por edhe golat e tjerë kanë qenë të bukur. Në periudhën 1978-1996 që unë luajta me Tiranën, më shumë ndeshje “derbi”i kemi fituar ne.

Ndërkohë që sot do të luhet “derbi’ i 147-të i kryeqytetit, si e shikoni skuadrën e Tiranës në këtë sfidë?
Jo se është Partizani më mirë në renditje dhe të themi se ai mund të jetë favorit në sfidën e sotme. Unë i shikoj të dyja skuadrat të barabarta, si në përbërjet që kanë, ashtu edhe në mundësitë që disponojnë lojtarët respektivë. Asnjëherë ndeshjeve “derbi’ nuk u kihet ‘besë’ në kuptimin se çfarë do të sjellë përfundimi i tij. Nuk merren parasysh as bilancet që kanë skuadrat, sepse mobilizimi në to është më i madh nga ndeshjet e tjera.

Po fakti që luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”e quajtur si “shtëpia” e bardhebluve, do të ketë ndikim kundër Tiranës?
Këtë unë e mendoj më shumë si faktor në favor të Tiranës, sepse aty është një histori shumë vjeçare e saj. “Selman Stërmasi” është një stadium në kryeqytet dhe “derbi” është i kryeqytetit, kështu që edhe mund të mos merren në konsideratë shumë ky fakt. Gjithçka do të varet nga mundësitë e skuadrave. Kur unë luaja me Tiranën, në ndeshjet kundër Partizanit kishte një moment, ku thuhej që ta rrihni, edhe Kampionatin nuk e duam.

Ju, cilën mendoni si “armën”më të fortë të Tiranës në këtë sfidë?
Nëse do të mobilizohen në maksimum, mendoj se shpirti bardheblu është një faktor i rëndësishëm në këtë sfidë. Ky është një tregues që ka mbizotëruar në 25 vitet e fundit në përballjet me Partizanin, pavarësisht bilancit historik që skuadra e kuqe ka në raport me Tiranën. Tirana duhet të nxjerrë lojën e saj më të mirë në këtë sezon.

Në Tiranë, ka disa sezone që luhet vetëm një “derbi” i kryeqytetit, më parë ishin tre të tillë. Ndjehet mungesa e Dinamos në elitën e futbollit tonë si një boshllëk për ndeshjet të tilla?
Besoj se këtë më shumë e ndjen futbolli, njëherësh edhe tifozeria e Dinamos. Në historinë e futbollit tonë është një skuadër e madhe që ka fituar shumë tituj kampionë (16). Ka një keqardhje që Dinamo luan në kategori inferiore, dhe kur kujton emra të mëdhenj që kanë luajtur me të, më shumë humbje ka futbolli kryeqytetas. 

Për tifozerinë e Tiranës, çfarë do të sugjeronit para kësaj ndeshjeje “derbi”?
Tirana ka një tifozeri të madhe, e cila ka treguar ndër vite se janë “Lojtari i 12-të” për skuadrën. Kohët e fundit ka patur disa polemika mes tifozëve të Tiranës me ata të Partizanit, me objekt stadiumin, por që në këtë sfidë besoj se do ti kenë larguar ato polemika. Besoj se do të jenë të shumtë në stadium e do ta përkrahin pa pushim Tiranën.

Dhe si e mendoni rezultatin final të kësaj sfide?
Si një ish-lojtar e trajner i Tiranës, dëshira ime është vetëm për fitoren e saj. Kualifikimi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë duhet të kenë sjellë një atmosferë pozitive, që në këtë ndeshje “derbi” mund të jetë me efekt pozitiv
Nëse do të mobilizohen në maksimum, mendoj se shpirti bardheblu është një faktor i rëndësishëm në këtë sfidë. Ky është një tregues që ka mbizotëruar në 25 vitet e fundit në përballjet me Partizanin, pavarësisht bilancit historik 
TIFOZËT 
Për ndeshjen Partizani-Tirana në stadiumin “Selman Stërmasi, tifozeria do të akomodohet: Partizani në tribunat B1, B2, C1, C2, D1, E, F, G1, G2
10 gola
Ky është numri i golave që Agustin Kola ka shënuar në të gjitha ndeshjet me Partizanin, duke qenë një nga shënuesit më të mirë të Tiranës në këto përballje 
FORMACIONI I MUNDSHËM
Tirana: 1-4-1-4-1 
Lika
Doka Muça Teqja Hoxhallari
Daja 
Arua Marveil 
Taku Moise
Cise
Trajner: Mirel Josa
Golashënuesit
Partizani/ 21 gola
9 gola Ekuban
4 gola Batha
2 gola Bardhi
1 gol Torrasa
1 gol Atanda
1 gol Azubel
1 gol Ibrahimi
1 gol Trashi
1 gol Vila

Tirana/ 17 gola
8 gola Taku 
4 gola Merveil 
1 gol Edeh
1 gol Muça
1 gol Muzaka
1 gol Nkounkou

PARTIZANI-TIRANA 
Përballjet këtë sezon
Java e 3-të/ 25.09.2016
Partizani-Tirana 0-0
Java e 13-të/ 01.12.2016
Tirana-Partizani 0-0
Bilanci në në Kampionat
Ndeshje 147, Fitore Partizani 60, Fitore Tirana 40, Barazime 47, Golat 208:162

Golashënues më të mirë në “derbi”
Lojtari Skuadra Golat
Refik Resmja Partizani 14
Indrit Fortuzi Tirana 11
Agim Murati Partizani 11
Agustin Kola Tirana 10
Robert Jashari Partizani 9
Arben Minga Tirana 8
Kolec Kraja Partizani 8
Petrit Dibra Tirana 7
Panajot Pano Tirana 7
Golashënuesit
13 gola: P. Pejiç (Kukësi)
9 gola: C. Ekuban (Partizani)
8 gola: A. Taku (Tirana) 
H. Salihi (Skënderbeu),
7 gola: Emini (Kukësi), T. Bushiç (Flamurtari)
6 gola: Reginaldo (Luftëtari)
5 gola: N. Shtubina (Vllaznia), D. Bregu (Luftëtari), D. Shkodra (Flamurtari) 
4 gola: J. Adeniyi (Skënderbeu), M. Ndockyt (Tirana), S. Plaku (Korabi), I. Batha (Partizani)
3 gola: B. Aquino (Laçi), F. Bangal (Teuta), I. Galiç (Flamurtari), L. Latifi (Skënderbeu), A. Ribaj (Teuta), K. Abazaj (Luftëtari) 
2 gola: A. Çyrbja, A. Magani (Teuta), Dvornekoviç, K. Lushtaku (Kukësi), B. Lulaj (Laçi), A. Tafili, E. Bakaj, R. Hebaj (Vllaznia), A. Shehaj, D. Alvesh, B. Telushi (Flamurtari), S. Atanda, B. Azubel, J. Bardhi (Partizani), B. Jashanica (Skënderbeu), B. Ramadani (Luftëtari)
1 gol: L. Ibrahimi, A. Torrasa, L. Trashi, E. Vila (Partizani), F. Bardulla, S. Cicmil, E. Çinari, A. Marku, E. Vrapi, D. Pjeshka, E. Bakaj (Vllaznia), I. Berisha, A. Fazliu, B. Radoviç, A. Fazlliu (Flamurtari), E. Boyom, A. Montero, D. Rapo (Luftëtari), A. Çelhaka, Pericles, F. Toski, R. Lushkja, Mensah (Laçi), T. Cmajcanin, N. Gripshi, B. Kotobelli, A. Hila (Teuta), I. Serxhinho, B. Nimaga (Skënderbeu), I. Ede, E. Hoxhallari, G. Muça, Gj. Muzaka, M. Nkounkou (Tirana), A. Gavazaj, E. Kaja, S. Mziu, N. Nexhipi (Korabi), B. Greca, Rangel, S. Guri (Kukësi) 
Sigal