Shpendi Topallaj: Rrëfim për njeriun e mirë Novruz Dervishaj, ushtarakun dinjitoz, komandant i Korpusit të Gjirokastrës

838
Një zemër e plagosur që nuk rënkoi kurrë, një burrë që nuk u përkul para asnjë presioni, një intelektual që i dëgjohej mendimi
Skënderbegasi, maturant i vitit 1954, Doktori i Shkencave, Eqerem Shakaj, trupvogël por tepër energjik dhe zemërbardhë, më ka njohur me njeriun e mirë, Novruz Dervishajn, këtë ish-ushtarak dinjitoz të ndarë nga jeta disa muaj më parë. Kishte vënë në kokë një kapele sportive dhe duke mbajtur dhe syze dielli, nuk mund t`ja shihja qartë fytyrën. Kur Novruzi mësoi emrin tim, u tregua i gatshëm të pinte me ne një kafe, ca më shumë, për faktin se edhe Eqeremi kishte mbushur 70-vjeç. 

Një kafe njohjeje, me komandant Novruzin…
Në atë “kafe” të paharruar, nisa bisedën me Novruzin, të cilit pasi la mënjanë çantën që mbante me vete dhe hoqi kapelën dhe syzet e errëta, ia pashë fytyrën, ku dallohej zgjuarsia dhe diçka e ngjashme me lodhjen. E shihja fytyrën e atij burri që tregonte karakter të fortë e vendosmëri dhe më shtohej admirimi për të. Më shtohej admirimi se nuk më kishte ndodhur shpesh që të dëgjoja një oficer, drejtues të një rangu aq të lartë që të thoshte të vërtetën, pa asnjë mëdyshje, për diktatorin. Sokrati, filozofi i njohur i lashtësisë që në kohën e tij thoshte se nuk ka politikë, por vetëm interesa. E parë kështu, Novruz Dervishaj, nuk kishte pse ta qortonte sistemin që lamë pas. Por duke qenë i mençur dhe i kulturuar, e mbi të gjitha duke qenë një shqiptar i ndershëm dhe i guximshëm, ai gjykonte siç ja donte dinjiteti i një intelektuali të vërtetë. Por kjo temë nuk zgjati më shumë. Më tregoi diçka nga jeta e tij. Kishte dalë në pension në vitin 1991. Disa vjet bashkë me gruan, kishte jetuar në Kardhicë të Greqisë, ku kishte bërë punë të rëndomta, në një familje afendikoi. Shihni pra tragjedinë shqiptare: Komandanti i njërit nga shtatë Korpuset që kishte gjithsej vendi ynë, një “gjeneral ” pra, me një qerre diploma, qe i detyruar të bëhej shërbëtor te një familje greke. Ndërsa tani, pas një fatkeqësie të madhe që e kishte goditur, duke i marrë djalin e dashur, kishte vendosur që të banonte sa në Tiranë e sa fshatin e të parëve të tij, në Ramicë, ku kishte gjetur një kënd të qetë, për t`u marrë me të tjera pasione të tij; poezinë, pikturën e gdhendjen në dru. Ndërkohë e çeli atë çantën që e kishte lënë mënjanë, nxori prej saj dy libra, shënoi në to diçka dhe m`i zgjati. E falënderova dhe u hodha me të shpejtë një sy. Njeri ishte në prozë dhe titullohej “Jeta e një oficeri”, kurse tjetri, “I fola hënës”, ishte një përmbledhje poetike. Novruzi më tha, se për kopertinat e librave ishin përdorur disa nga pikturat e tij, të cilat i kishte pasion si krijimtari. 

Novruz Dervishaj, ushtaraku dinjitoz që foli realisht për gjëmën e ushtarakëve më ’74-ën 
Po atë ditë e lexova me shumë dëshirë, librin “Jeta e një oficeri”, ku më tërhoqi vëmendjen parathënia e shkruar me aq kulturë nga Eshref Ymeri, ku ndër të tjera ai shkruante: “Faqe jo më pak emocionuese të këtyre kujtimeve janë ato ku autori përsiat për gjëmën që goditi ushtrinë shqiptare në mesin e viteve 70 të.” E më tej vazhdon: “Kam përshtypjen se zoti Novruz Dervishaj është i pari oficer madhor dhe specialist i artit ushtarak që i kthehet në një libër kujtimesh kësaj njolle të zezë në historinë e ushtrisë shqiptare”. Kam lexuar dikur një libër që më ka mbetur në mendje. Ai titullohej “Kujtimet e një gjenerali” dhe ishte shkruar nga vëllai i Komisarit të Popullit, Bonç Brujeviçit. Natyrisht, ai shkruante për periudhën e pas revolucionit rus të tetorit, kur pushtetin e morën në dorë bolshevikët. Por largësia në kohë, nuk pengon aspak për të pasur shumë e shumë pika takimi, midis asaj kohe dhe periudhës që kaloi ushtria shqiptare, pas plenumit të pestë famëkeq, për të mos shkuar akoma më tej, te viti 1966, kur doli ajo e turpshmja “Letër e Hapur e Komitetit Qendror”. Përjetimi i të njëjtave brenga, ndjekja pas nga e njëjta hije dyshimi, trishtimi për goditjet e pa drejta të shokëve deri në eliminimin fizik të tyre, ankthi dhe pasiguria për vete dhe për familjen, revolta që të shkakton kontrolli nga lloj – lloj marangozësh e muratorësh që kanë marrë përsipër të mbajnë nën fre “intelektualët borgjezë”, por dhe dashuria e pastër dhe e thellë për Atdheun, popullin dhe ushtrinë tënde – ja çka i bën që të ngjasin kaq shumë këta dy libra. Novruz Dervishaj, diku aty nga fillimi i librit pohon: “… nëpër vitet e oficerit ka rrjedhur jeta ime. Jashtë jetës ushtarake unë nuk mund ta kuptoj atë.” Aq e shtrenjtë ka qenë jeta në ushtri për të, sa edhe tani që ka dalë në lirim, rron me imazhet e saj dhe ende ndihet pjesëtar i Forcave të Armatosura. Kjo është dhe arsyeja që e nxit atë të shkruaj. Ai nuk shkruan për të kaluar kohën apo se nuk ka se ç`të bëjë tjetër. Ai akoma ka detyrimin moral që të vazhdojë të japë kontributin e tij për të. Për më shumë, ai u bën thirrje dhe të tjerëve: “Erdhi koha të themi e të shkruajmë hapur, por kjo nuk do të thotë që ta lëshojmë fjalën pa fre. Përkundrazi, sa më e gjerë liria, aq më e madhe mbetet përgjegjësia e qytetarëve”. Ai vetë kërkon të thotë vetëm të vërtetën edhe pse e di që këtë shumë nuk e pëlqejnë. Te poezia “Poeti”, ai dikur pat thënë: Zënë e tija nuk i a duan/Sa herë thotë të vërtetën/Dhe nga e vërteta vuan/Vuan ai vuan gjithë jetën. Shqipëria është vendi, që siç e thoshte Koçi Petriti, e ha enigma e vet. Duke qenë aq e vuajtur nga diktatura, përsëri ka disa që kur dikush e shan atë, pyesin pa u menduar gjatë: Po ty kush të bëri me shkollë? Kurse në ushtri, pyetja formulohet paksa më ndrysh, por në esencë mbetet po ajo: Po ty kush të bëri oficer? Çështja shtrohet se sa na krijoi ai sistem mundësitë që t`ja shpërblejmë këtij populli sakrificën. Pra sa i shërbyem me efektshmëri, sa ja rritëm mirëqenien, pra, sa ja përmirësuam jetën. Se ne intelektualët, të drejtuar keq, e çuam te talloni, tek radhët e pafund për sapllakun me dhallë dhe vetë përfunduam të depersonalizuar. Si të tillë, pra të ndrydhur, pa liri mendimi e shprehjeje dhe pa dinjitet, ne ai sistem na shndërroi në skllevër, madje edhe më keq akoma; në robotë. Novruz Dervishaj në këtë drejtim është i qartë si drita e diellit. Ai thjeshtë e kuptueshëm thotë: Të keshë tokë, kullota, ujë, bagëti, mal e fushë dhe të mendosh për bukën e gojës! 

Sakrificat e ushtarakëve, një perlë në kujtimet e tij
Ushtria nuk ishte e shkëputur nga sa ngjiste në Shqipëri. Gjithçka, deri dhe lufta në gjirin e Partisë, do të reflektohej tek ajo. Gjithçka ishte nën kontrollin e spiunëve, organizatave bazë, komiteteve të Partisë e karaktereve të dobëta në përgjithësi. Çdo gjë duhej thënë publikisht; në sytë e të deleguarit dhe të kolektivit. Për më tepër, gjithçka duhej thënë me shkrim. Me vete, të tërë shprehnim dyshimin: U shkatërruan familjet e tyre. Por u shkatërrua dhe vetë ushtria. Ish-komandanti i Korpusit Novruz Dervishaj, si për të mbyllur kapitullin e pyetjeve të pafund, kthen sytë nga Kadareja, i cili kishte po këtë shqetësim:.. ”pyetjet janë të mëdha e të rënda”. Aq të rënda, sa po na mundojnë edhe sot e kësaj dite. Dyshime që sollën dhe ndarjen e madhe: “Nga njëra anë aparatet dhe në anën tjetër shtabet, të ndarë e midis një dueli të shpallur”. Në këtë situatë të rëndë, ku dominonte frika dhe kundërvënia, Enver Hoxha, fërkonte duart. Ai kështu ndjehej më i sigurt. Prandaj nxiste sherre, akuza, arrestime, gjyqe, burgosje…me “direktivat” e tij të çmendura që ai i quante “vija politike e Partisë tonë heroike”, kurse servilët e tij i quanin “të ndritura”. Mendoni se ç`brenga i kanë munduar ata, kur një Komandant Korpusi ushtrie si Novruz Dervishaj, ankohet në rrëfimin e tij: “Është e vërtetë që unë…për 20 vjet rresht, kam qenë ndër kuadrot e larta të ushtrisë, por asnjëherë nuk u ngopa me jetë ushtrie. Ishte futur një kontroll tinëzar, i cili, bashkë me pengesat burokratike e keqdashëse, na dërrmonte shpirtin. Kush i harron ato platforma të sajuara armiqësore, të cilat na e nxinë jetën e përditshme dhe që nuk kishin të bënin aspak me të vërtetën. Nuk mund të mohohet fakti se në sytë tanë u fut tmerri i burgut, i përjashtimit nga partia, që do të thoshte t`i humbisje të tëra, u fut shpirti i ngushtë që u pasua me sa e sa qëndrime denigruese”. . Lufta që i bëhej ushtrisë, e kishte shtabin e saj të zi, brenda godinës së frikshme të Komitetit Qendror. Atje thirreshin një nga një a me grupe, ata burra që kishin drejtuar me lavdi luftën Nacional-Çlirimtare. Ata burra që kishin bërë një punë kolosale për forcimin e modernizimin e ushtrisë. 

Dëshira jonë, për komandant Novruzin…
Prandaj dhe ne donim, që të rronte akoma më gjatë shoku ynë i dashur Novruz Dervishaj, të jetonte sa ai lumi i fshatit të tij, me të cilin sa qe gjallë kuvendonte: Shushicë, po si ty qofsha në jetë/Me zhgulme e reflekse i mbuluar/ Ndaj unë e kam në buzë ison e lehtë/ E kënga s`ka për të shteruar. Megjithatë, ka disa njerëz që me jetën dhe veprën e tyre vazhdojnë të rrojnë edhe pas vdekjes. Dhe njeri nga ata ishte dhe komandant Novruz Dervishaj, emri, puna, figura dhe librat e të cilit vazhdojnë të gurgullojnë ëmbëlsisht si valët e pastra të lumit Shushicë.
Novruz Dervishaj ka lindur më 15 mars 1936, në Ramicë të rrethit të Vlorës dhe u nda nga jeta në qytetin e Vlorës më 28 shkurt 2016. Me përfundimin e arsimit 7-vjeçar, në vitin 1949, pranohet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundon në vitin 1953. Studimet e larta i kryen në Shkollën e Bashkuar gjatë viteve 1953-1956, në degën e topografisë. Në vitin 1956 titullohet oficer, me specialitet topograf. Pas 5 vitesh emërohet në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë viteve 1964-1966 kryen studimet në Akademinë Ushtarake. Në vitin 1969 emërohet Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë. Në vitin 1974 u emërua shef i shtabit në Korpusin e Pukës. Më 9 korrik 1974 emërohet Komandant i Korpusit të Këmbësorisë në Gjirokastër, ku qëndroi 12 vjet. Në tetor të vitit 1985 emërohet Komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Fier. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1989, kur u transferua për në Tiranë. Pas 38 vjetësh shërbimi në ushtri, në mars të vitit 1991, “gjeneral” Novruz Dervishaj doli në pension. Pas daljes në pension, ka vazhduar të shkruajë. Ka dy vëllime poetike të botuara. Pasioni i tij i përhershëm ka qenë piktura e realizuar në 800 tablo dhe 1000 skica grafike. Në vitin 2013 Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” e vlerësoi për kontributin e dhënë me medaljen e “Mirënjohjes së Labërisë”.
Sigal