Talentet e futbollit, Adnan Januzaj është më i miri në botë

62

Gazeta italiane “Gazetta Dello Sport” ka marrë në analizë 60 lojtarë të moshës nën 20 vjeç

 Adnan Januzaj, mesfushori shqiptar i Mançester Junaitid, është lojtari i ri më i mirë në botë. Ky është përfundimi i gazetës italiane “Gazetta Dello Sport”. E ardhmja e futbollit është e sigurt. Dhe në krye të talenteve që pritet të shkëlqejnë në arenën e sportit më të rëndësishëm në botë është Adnan Januzaj.

Gazeta ka hartuar një listë me 60 adoleshentë nën moshën 20 vjeç, të cilët luajnë në Europë, dhe Januzaj është përpara brazilianit të Çelsit, Lukas Piazon, i cili është aktualisht i huazuar në Holande me Vitesen. “Ka një të majtë të shkëlqyer, teknik dhe me shumë personalitet. Dy golat e shënuar kundër Sandërlendit e bënë atë lojtarin më të ri që shënon për Mançester Junajtid në Premier Ligë. Ka firmosur deri në vitin 2018, por nuk ka vendosur ende se me cilën kombëtare do të luajë”. Ky është vlerësimi që shoqëron foton e Januzaj, për të cilin vazhdon një garë në distancë mes Anglisë, Belgjikës dhe Shqipërisë që gjithsesi duket e dorëzuar. Në pritje të vendimit, talenti me origjinë kosovare vazhdon të jetojë momentin e tij të famës. Ndërkohë skuadrat më të mëdha të Europës interesohen për Adnan Januzaj ndërsa kartoni i tij vlerësohet deri në 30 milion euro. Pikërisht, kjo shifër e vendos futbollistin në krye të “draftit” të së përditshmes italiane, ndërsa ai le pas në listë lojtarë si Markinjos të Paris Sent Zhërmen apo Haliloviç, i cili cilësohet si “Mesi i ri” dhe është blerja e fundit e Barcelonës. Januzaj tani duhet të vendosë të ardhmen e tij ndërkombëtare dhe mund të përfaqësojë Belgjikën, Shqipërinë, Turqinë, Serbinë apo dhe Anglinë.

Labinot Haliti, gol në Ligen e Kampionëve

Sulmuesi shqiptar Labinot Haliti shënoi një gol për Uestern Sidnej, por pa mundur të ndihmojë skuadrën australiane të shmangë humbjen 2-1 me ekipin japonez, Kavasaki Frontale, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve të Azisë. Kosovari realizoi në minutën e 24-t, ndërkohë për japonezët shënuan Nakamura (74’) dhe Oshima (88’). Për Halitin ky ishte goli i tij në këtë kompeticion, pasi atij të shënuar po kundër Kavasakit, në ndeshjen e fituar 1-0 nga Uestern Sidnej. Pas katër ndeshjeve, skuadra e shqiptarit renditet në vendin e dytë në grupin e saj H. Ndeshjen e ardhshme do ta luajë kundër kryesuesve të Ulsan, një skuadër nga Koreja e Jugut. Për në fazën tjetër kalojnë vetëm dy vendet e para, pasi skema funksionon njëlloj si në Ligën e Kampionëve të Europës.

 Suedi, në pranga vrasësi i tifozit

 Futbolli suedez është në zi, për humbjen e jetës së tifozit të Djurgardens, i cili ishte viktimë e një agresioni të dielën e kaluar para ndeshjes kundër Helsinbvorg, e cila më pas u ndërpre nga arbitri në minutën e 41-të kur rezultati ishte 1-1. Në vendin e ngjarjes tragjike vijuan homazhet për tifozin e ndarë nga jeta ndërsa autoritetet bënë të ditur se një djalë 28-vjeçar është arrestuar në Suedi gjate hetimeve mbi vdekjen e tifozit të Djurgardens. Forcat e rendit vijojnë të mbledhin dëshmi dhe të analizojnë filmime të ndryshme të përplasjeve. Viktima një burrë 44-vjeçar dhe baba i katër fëmijëve, që po ndiqte Djurgardens në transfertë, vdiq në spital për shkak të plagëve që kishte marrë në kokë si pasojë e një sulmi që kishte ndodhur gjysmë ore para nisjes së takimit, jashtë ambienteve të “Oluympia Arena” të Helsinborgut

Liga e Kampioneve/ Reali kërkon hakmarrje ndaj Dortmundit

 Real Madrid, klubi me më shumë trofe në Ligën e Kampionëve, është gati për ndeshjen kundër Borusias së Dortmundit. Trajneri Karlo Ançeloti i sheh gjermanët si një kundërshtar shumë të rrezikshëm, kjo dhe për faktin se ishte Dortmundi ai që e eliminoi në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar. Reali ka humbur kryesimin e Primera Divizionit, por ish-trajneri i Milanit e sheh pozitive atmosferën rreth Realit. “Ambienti është pozitiv. Skuadra është 100 për qind gati, ndihemi mirë fizikisht dhe do të hymë në fushë për të luajtur një ndeshje me shumë intensitet. Nuk duhet ta ulim ritmin në asnjë moment. Borusia ka mungesa, por edhe ne kemi probleme me dëmtimet”, tha Ançeloti. Tekniku i “Los Blankos” flet për dulet e sezonet e kaluar, kur në bankinë ishte Zhoze Murinjo. “I kam parë të dyja ato ndeshje, ishin të çuditshme. Nuk ishte e thjeshtë që Reali ta përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë, sepse i duheshin tre gola. Ishte një surprizë, por në Champions mund të ndodhë gjithçka”. Si gjithmonë, Reali  do të bazohet si gjithmonë te Kristiano Ronaldo, golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve, me 13 gola në shtatë ndeshje. “Ronaldo kishte një plagë të vogël në gju, por tani është mirë, i qetë dhe i motivuar. Mund t’ju siguroj se i ka harruar vërshëllimat e të shtunës. Bale nuk do të luajë në mbrojtje, sepse kemi zgjidhje të tjera. Për të zëvendësuar Marcelon kemi Koentraton, që luan në të njëjtin pozicion”, tha trajneri. Borusias i mungon Robert Levandovski dhe Ançeloti pranon se ky është një favor për Realin, por shton se Borusia mbetet e rrezikshme. Trajneri italian rezervon fjalë të mira edhe për Jurgen Klop: “E admiroj kolegun tim, është një trajner fantastik, ai e përgatit mirë taktikisht ndeshjen. Vitin e kaluar bëri një punë të shkëlqyer dhe për këtë e uroj”. Mbrojtësi i Borusias, Mats Humels pret një Real “të uritur” në ndeshjen e sotme në “Santiago Bernabeu”. “Real Madrid është një skuadër e fortë, me futbollistë të nivelit të lartë. Por është i thyeshëm nëse i gjen pikat e dobëta. Reali ka Benzema, Di Maria dhe Bale. Kjo skuadër ka më tepër se një futbollist cilësor dhe ne nuk duhet të mendojmë vetëm për të ndalur Ronaldon”- tha për mediat mbrojtësi i Kombëtares gjermane.

Zlatan Ibrahimoviç beson se ky vit është shansi më i madh i tij për të fituar Champions League. Ai ka fituar tituj të shumtë me çdo skuadër ku ka luajtur, por i mungon ky trofe, edhe pse ka luajtur me skuadra të mëdha. “Mendoj se shansi më i madh për të fituar Champions League është me Parisin, pasi kjo është kontrata ime e fundit në Evropë”, tha suedezi. Kampionët e Francës do të ndeshen me Çelsin në “Parc des Princes”, ku suedezi do të takohet me mikun e tij Zhoze Murinjo, kundërshtar për një natë. “Jemi në çerekfinale dhe luajmë përballë një skuadre të madhe. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe jemi të rinj në këtë kompeticion, ndërsa Çelsi ka të paktën dhjetë vjet përvojë. Ka fituar Europa League, Champions dhe është skuadër shumë e mirë. Mendoj se Çelsi është favorit. Sa për Murinjon, ai ka fituar gjithçka, përveç kampionatit botëror dhe evropian”, tha Ibra. “E njoh si trajner, por është edhe njeri i madh. Kemi punuar bashkë dhe gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira”. Në sezonin e kaluar, PSG u eliminua në këtë fazë nga Barcelona, me rezultatin e përgjithshëm 3-3. Ibrahimoviç është i bindur se skuadra ka përmirësim që nga viti i kaluar. “Ka shumë diferencë rrahuar me vjet. Ky është viti i dy që luajmë së bashku dhe e njohim më mirë njëri-tjetrin”. Suedezi ka shënuar dhjetë gola në shtatë ndeshje në Champions këtë sezon dhe beson se te Parisi ka arritur formën më të mirë të karrierës.

LIGA E KAMPIONEVE

NDESHJET ÇEREKFINALE

Dje, 1 prill

Barcelona-Atletiko           1-1

Mançester J.-Bajern           1-1

Sot, 2 prill

Real Madrid-Dortmund 20:45