Superliga, mision i pamundur për Dinamon

460
Sigal

Blutë janë 11 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje

Dinamo, skuadra e dytë me më shumë trofe në vendin tonë – 18 kampionate të Kategorisë Superiore; 13 Kupa dhe 2 Superkupa – ndodhet prej dy sezonesh në Kategorinë e Parë. Por, mesa duket blutë nuk do të arrijnë të ngjiten në Superligë në përfundim të sezonit të kampionatit inferiore. Vetëm dy pikë në pesë ndeshjet e fundit janë shumë pak për një skuadër që pretendon ngjitjen në Superiore. “Djemtë” e Mehmetit nuk fitojnë prej pesë ndeshjesh, duke krijuar një diferencë të qartë prej 11 pikësh me Apoloninë e vendit të dytë (46 pikë) dhe 13 pikë Elbasanin e vendit të parë. Madje Dinamo renditet në vendin e katërt me katër pikë më pak se Tërbuni i Pukës. Pas një starti pozitiv në fillim të vitit 2014, Dinamo është në rënie të lirë, madje rezultatet e javëve të fundit e kanë nxjerrë jashtë garë për dy vendet e para. Skuadra në ndeshjet e fundit ka pasur mungesa të shumta. Blutë e kryeqytetit kanë pasur probleme pezullimesh dhe dëmtimesh, ndërkohë që, fitoren e fundit ata e kanë me Albpetrol-in e vendit të fundit me rezultatin minimal 1-0. Më pas janë mundur në Gjirokastër, kanë barazuar me Himarën, janë mundur në Peqin, kanë barazuar me Mamurrasin dhe javën e shkuar u mundën në Velipojë. Një humbje që është kontestuar shumë nga drejtuesit e bluve, pasi janë dhënë dy penallti kundra, por blutë janë lënë edhe me 10 lojtarë nga gjykimi. Gjithsesi, sezoni me hope i bluve, merkatoja jo cilësore, por dhe probleme të ndryshme, objektive dhe subjektive kanë ndikuar në gjendjen aktuale të Dinamos që, do t’i duhet të “vegjetojë” edhe një sezon tjetër në Kategorinë e Parë. Duhet të theksojmë se, sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë, pasi nga Kategoria Superiore do të zbresin katër skuadra, çka do ta rrisë më shumë konkurrimin pasi për Superligë do të ngiten vetëm dy ekipe. Pa financime dhe investime në lojtarë, vështirë se Dinamo do të jetë njëra prej tyre, ashtu sikundër nuk ishte dhe këtë sezon. Kalendari i shtatë javëve të fundit i ofron Dinamos një program aspak të lehtë: Pogradecin (brenda), Burrelin (jashtë); Apoloninë (brenda); Tomorin (jashtë); Kamzën (brenda); Butrintin (jashtë) dhe Elbasanin (brenda). Pra, ka dy ndeshje direkte me dy vendet e para, Elbasanin dhe Apoloninë, takime që do të vendosin përfundimisht dhe fatin e bluve.

KATEGORIA E PARË

JAVA XXIV

5 prill, 16:00

Dinamo-Pogradeci

Mamurrasi-Apolonia

Himara-Kamza

Albpetrol-Elbasani

Veleçiku-Tërbuni

Butrinti-Luftëtari

Tomori-Shkumbini

Burreli-Ada

RENDITJA

1     Elbasani              49

2     Apolonia             47

3     Tërbuni        40

4     Dinamo        36

5     Butrinti        35

6     Tomori         35

7     Shkumbini          33

8     Pogradeci            32

9     Luftëtari              28

10   Ada              28

11   Burreli          26

12   Mamurrasi          22

13   Veleçiku             22

14   Kamza                22

15   Himara         21

16   Albpetrol            21

NDESHJET GJATË KËTIJ SEZONI

FAZA E PARË

Veleçiku-Dinamo             3-2  H

Dinamo-Tirana          1-1  B

Albpetrol-Dinamo     1-1  B

Dinamo-Luftëtari             1-1  B

Dinamo-Shkumbini          1-1  B

Mamurrasi-Dinamo          1-3  F

Dinamo-Ada                     2-1  F

Pogradec-Dinamo             3-1  H

Dimamo-Burreli        1-0  F

Apolonia-Dinamo            1-1  B

Dinamo-Tomori        1-0  F

Kamza-Dinamo         0-3  F

Dinamo-Butrinti        1-0  F

Elbasani-Dinamo             0-1  F

FAZA E DYTË

Dinamo-Veleçiku             3-0  F

Tërbuni-Dinamo               1-1  B

Dinamo-Albpetrol            1-0  F

Luftëtari-Dinamo             2-1  H

Dinamo-Himara         0-0  B

Shkumbini-Dinamo          2-1  H

Dinamo-Mamurrasi          0-0  B

Ada-Dinamo                     3-2  H

Dinamo-Pogradeci           5 prill

Burreli-Dinamo         12 prill

Dinamo-Apolonia            19 prill

Tomori-Dinamo        26 prill

Dinamo-Kamza         30 prill

Butrinti-Dinamo        3 maj

Dinamo-Elbasani             10 maj

Bilanci: 23 ndeshje; 9 fitore, 9 barazime, 5 humbje, golevarazhi 30-22. 36 pikë.

 “Kupa e FSHF”/ Tirana fiton për moshat U-17 dhe U-19

 Dy skuadrat e Tiranës, ato U-17 dhe U-19 fitojnë “Kupën e FSHF-së”, për Rajonin Nr.1. në Zonën e Tiranës për ato mosha. Ky aktivitet u organizua nga Sektori Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe u ndoq me interes gjatë zhvillimit të tij. Për kategorinë nën moshën 17 vjeç, morën pjesë 11 skuadra që i zhvilluan ndeshjet në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë. Kupa u fitua nga ekipi “Tirana A”, me trajner Luan Senglën, që mundi “Tiranën B”, pas goditjes së 11-metërshave. Për kategorinë nën 19 vjeç, morën pjesë 7 skuadra që i zhvilluan ndeshjet në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë. Kupa u fitua nga ekipi i Tiranës, me trajner Hyqmet Hasko, që grumbulloi më shumë pikë. Kupa e FSHF, është dorëzuar nga përgjegjësi i Zyrës së Tiranës Agim Mone.

 Apeli “ridënon” Bylisin

 Komisioni i Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit “ridënon” Bylisin, duke lënë në fuqi vendimin e Disiplinës, pra përjashtimin nga kampionati i Kategorisë Superiore dhe zbritjen një kategori më poshtë, në të Parën. “Komisioni i Apelit pasi u njoh me apelimin e paraqitur nga përfaqësuesi i KF “Bylis” , dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit te Disiplinë date 19.03.2014 pika 1. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – thuhej në vendimin e Komisionit të Apelit.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e fundit

 Shkëlzen Gashi, kandidat për lojtarin e muajit në Zvicër

 Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, është një nga pesë kandidatët në garën për t’u shpallur lojtari i muajit mars në kampionatin zviceran. Gashi është një pjesët më të rëndësishme të mozaikut të skuadrës së Grasshopersit, duke e ndihmuar ekipin e tij të regjistrojë katër fitore rresht. 25-vjeçari ka shënuar katër gola në ato ndeshje, i fundit është ai me penallti në fitoren 3-1 kundër Tunit. Kundër Sionit ai shënoi një tripletë të bukur. Për sulmuesin kuqezi ky ishte goli i tij i 11-të në Superligën zvicerane, duke qenë së bashku edhe me Gavranoviçin e Zyrihut dhe Martinezin e Jang Bojsvave golashënuesit më të mirë të kampionatit. Për Grasshopersin luan edhe mesfushori i Kombëtares, Amir Abrashi. Në listë është edhe lojtari i Kombëtares së Kosovës, Kristian Nushi. Kosovari 31-vjeçar shënoi në fitoren e St. Gallenit kundër Tunit, që i dha fund 104 ditëve pa fitore. Nushi dallohet për efektivitet e lojës së tij. Në listën e kandidatëve janë izraeliti 21-vjeçar Munas Dabur, i cili ka shënuar rregullisht si “një orë zvicerane”: 7 gola në 7 ndeshje; Sven Lusher i FC Aarau dhe Jorik Ravet i Lozanës.

  Teuta-Kukësi, superduel për Europën

 Kukësi bëhet gati për një tjetër përballje me Teutën, por kësaj radhe do të jetë sfidë e vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë Superiore. 11 ditë pas sfidës së parë të gjysmëfinales të Kupës së Shqipërisë, dy formacionet do të ritakohen në “Zeqir Ymeri”, në një përballje direkte për zonën europiane. Sulmuesi Sokol Cikalleshi evidenton ecurinë e mirë të skuadrës së Kukësit, e cila është rikthyer të jetë në rrugën e duhur për të përsëritur suksesin e një viti më parë. Ndaj Teutës në Kupën e Shqipërisë Kukësi mori një fitore të rëndësishme 3-2, në një 90 minutësh, ku pa si protagonist Cikalleshin, me një gol dhe një asist të realizuar. Sulmuesi kavajas shpreson të përsërisë të njëjtën performancë edhe pse pikëpyetjet për aktivizimin e tij janë shtuar pas dëmtimit të pësuar në sfidën ndaj Besës. Diferenca në kampionat midis Kukësit dhe Teutës është 4 pikë, teksa dy formacionet do të luajnë katër ditë pas sfidës së kampionatit edhe gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë, në “Niko Dovana”.

 Partizani-Besa, të shtunën

 Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëri të ditur, se ndeshja Partizani-Besa do të luhet ditën e shtunë (5 prill), në orën 17:00. Partizani vjen pas barazimit me Flamurtarin, ndërkohë që Besa mbërrin në kryeqytet pas humbjes me Kukësin. Dy takimet e para midis tyre gjatë këtij sezoni kanë prodhuar këto rezultate: Besa-Partizani 0-1 (faza e parë) dhe Partizani-Besa 1-1 (faza e dytë). Partizani ndodhet aktualisht në vendin e tretë me 41 pikë, ndërsa Besa në vendin e 6-të me 34 pikë.