Shqipëria, pa shkëlqim nën ndriçimin e gjeneratorit

70

Kuqezinjtë nuk shkojnë më shumë se barazimi pa gola me Moldavinë. Debutim zhgënjyes i De Biazit në “Qemal Stafa”

Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj një Moldavie, që ndodhet 58 vende më dobët se ne në renditjen e FIFA-s, pikërisht në premierën shqiptare në “Qemal Stafa”, të trajnerit italian, duke dhënë shumë pak sinjale pozitive përpara ndeshjes zyrtare të kualifikueseve të Kampionatit Botëror, atë kundër Qipros, më 7 shtator. Një interpretim aspak agresiv i lojës, edhe pse De Biazi, luajti me dy sulmues të pastër në pjesën e parë, Edgar Çanin dhe Hamdi Salihin. Aspak dinamike në mesfushë, e paqartë në veprimet ofensive, kuqezinjve u mungoi loja e zgjuar, çka provokon edhe rrezikshmërinë në portën kundërshtare. Edhe pse loja nisi me një rast të pastër, të humbur fatalisht nga Çani, ajo u zbeh, edhe pavarësisht se në fraksionin e dytë, në fushë ishte golashënuesi më i mirë i Kombëtares sonë, Erjon Bogdani. Takimi u gjykua nga arbitri ndërkombëtar turk, Jonus Jildirimi. Përpara ndeshjes, nga kompanitë e basteve, fitorja e Shqipërisë kuotohej 1.45, ajo e Moldavisë 6.50, ndërsa barazimi 3.90. Kjo ishte hera e parë në katër ndeshjet miqësore me Xhani De Biazin në bankinë, që Shqipëria nuk shënon. Ky ishte barazimi i 24-t i Shqipërisë, në 88 ndeshje miqësore, në të cilat kemi fituar 33 dhe humbur 31. Për herë të fundit, Shqipëria kishte barazuar 0-0, me Maqedoninë, në një ndeshje të zhvilluar në Prilep, më 15 nëntor 2011.

PJESA E PARË

Trajneri De Biazi e nisi me një surprizë në formacion, teksa në mesfushë luan Ledion Memushaj, në ndeshjen e tij të dytë me Kombëtaren, i cili mori përsipër edhe organizimin e lojës. Me një profil të qartë me dy sulmues, i avancuar Edgar Çani, dhe pas tij, Hamdi Salihi, të mbështetur nga Elis Bakaj dhe Emiljano Vila, skuadra jonë u orientua menjëherë nga gjysmëfusha moldave.

Me Shqipërinë, që nderon me një minutë heshtje ish-bomberin e njohur shkodran, Medin Zhegen, të vetmin trajner shqiptar qa ka mundur të fitojë një trofe ndërkombëtar, atë “Rothmans” (2000), nisi edhe ndeshja e katërt miqësore nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi dhe e treta përballje kundër Moldavisë, pas dy të parave në vitin 1995. Topin e parë e shkelmoi Shqipëria, dhe po rastin e parë për gol e ka po ajo. Madje në 100 sekondat e para: mesfushori i PAS Janinës, Emiljano Vila, krosoi nga e djathta, topi mbërriti në zonën e vogël, Edgar Çani goditi fuqishëm me kokë, por shënjestra e ish-sulmuesi të Polonia e Varshavës, ishte e gabuar, duke humbur një rast ideal. Kundërpërgjigja e Moldavisë ishte e shpejtë, teksa Petras goditi nga larg, duke e vënë në vështirësi portierin Samir Ujkani, që këtë sezon do të luajë me Palermon e Serisë A, në Itali. Shqipëria është aktive në minutat pasuese, dhe një kombinacion midis Salihit, në ndeshjen e parë të tij nën urdhrat e De Biazit, me sulmuesin tjetër, Çani, nuk sjell asgjë. Loja nuk pati shumë nerv në pjesën e parë, madje ritmi ishte nën mesataren, aq sa rastet nuk lënë shumë për të gjykuar, përveç një goditjeje të fuqishme të Ervin Bulkut, të devijuar nga portieri kundërshtar, ndërkohë që rastin tjetër e shpërdoroi Edgar Çani. Autori i golit të vetëm të Shqipërisë, në humbjen 2-1 me Gjeorgjinë, goditi mbi traun horizontal, duke humbur një rast të mirë. Loja mbrojtëse e skuadrës sonë ishte në lartësinë e duhur, kjo dhe për shkak se gjigantët Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj i mbyllën mirë zonat, por dhe Armend Dallku dhe Andi Lila, dyluftuan fort. Një pjesë e parë e mbyllur pa gola, me vetëm dy raste të shpërdoruara nga Edgar Çani, në prezantimin e tij të parë në Shqipëri.

PJESA E DYTË

Trajneri De Biazi e shfrytëzon në maksimum, faktin që luhet një ndeshje miqësore. Tre zëvendësime me fillimin e pjesës së dytë, duke filluar me portierin Ujkani, që zëvendësohet nga Etrit Berisha i Kalmarit (Suedi); sulmuesin Çani, i cili i lë vendin golashënuesit më të mirë të Kombëtares, Erjon Bogdani (luan me Sienën në Itali) dhe fantazisti Memushaj, i lë vendin Odise Roshit, i sapo transferuar te FSV Frankfurti në Gjermani. Rasti i parë u përket moldavëve, me Pikusciak që godet nga distanca, por Berisha pret qetësisht. Etrit është i treti lojtarë me këtë mbiemër që luan me Kombëtaren, pas mbrojtësit Safet Berisha dhe sulmuesit Besart Berisha. Xhani De Biazi i lëviz sërish “gurët e shahut”, duke hedhur në fushë Jahmir Hykën, në vend të Elis Bakajt, i cili u përpoq të bënte diçka në 56 minutat e aktivizimit të tij. Një minutë më pas, “raketa” Roshi ndërmori një inkursion të fuqishëm nga e djathta, duke futur një top për Vilën, në afërsi të 16-metërshit, por autori i golit fitues kundër Iranit, u tregua i pavëmendshëm, duke humbur një rast të mirë. Rokada e zëvendësime vazhdon me largimin e Salihit dhe hedhjen në fushë të Hair Zeqirit, teksa sulmues i vetëm është Erjon Bogdanit. Në minutën e 69-të, Doros i Moldavisë goditi nga distanca, por Berisha është i gatshëm. Katër minuta më pas, miqtë mund të shënonin golin e tyre, por topi e gjuajtur nga Namasko kaloi ngjitur me shtyllën e djathtë pingule. Në të 78’, Ervin Bulku, i transferuar së fundi në Iran, krosoi për Bogdanin, por portieri moldav u tregua më i shpejtë. Pjesa e mbetur e ndeshjes është e vakët, thjesht me një ndërhyrje të fortë të Mërgim Mavraj, me kapitenin e Grojther Fyrth që ndëshkohet me kartonin e verdhë. Përfundimisht 0-0, me një formacion shqiptar që tregoi shumë pak nga vlerat e tij, por me një rezultat që ishte më i drejti.

Miqësore

Shqipëri-Moldavi 0-0

E mërkurë, 15 gusht 2012, stadiumi “Qemal Stafa”

SHQIPËRIA: Ujkani (46’ Berisha); Dallku, Cana, Mavraj, Lila (73’ Agolli), Memushaj (46’ Roshi), Bulku, Vila (73 Agolli) Bakaj (56’ Hyka), Salihi (62’ Zeqiri), Çani (46’ Bogdani). Trajner: Xh. De Biazi

 

BALLË PËR BALLË

RENDITJA NË FIFA

Shqipëria       74

Moldavia        137

RENDITJA NË UEFA

Shqipëria       37

Moldavia        47

MIQËSORET E DE BIAZIT

29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22.05.2012, Madrid

Shqipëri-Katar 2-1

27.05.2012, Stamboll

Shqipëri-Iran 1-0

15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

 

 

88 miqësore

ka zhvilluar deri tani Shqipëria, duke regjistruar 33 fitore, 24 barazime dhe 31 humbje.

3 ndeshje

luajtur Kombëtarja jonë kundër Moldavisë, dy fitore 3-0 dhe 3-2, (në vitin 1995) dhe një barazim 0-0.

 

4 takime

ka zhvilluar trajneri De Biazi me Shqipërinë, kundër Gjeorgjisë, Katarit, Iranit dhe Moldavisë

10 ndeshje e fundit miqësore

17.11.2010, Korcë

Shqipëri-Maqedoni 0-0

09.02.2011, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 1-2

20.06.2011, Buenos Aires

Argjentinë-Shqipëri 4-0

10.08.2011, Shkodër

Shqipëri-Mali i Zi 3-2

11.11.2011, Tiranë

Shqipëri-Azerbajxhan 0-1

15.11.2011, Prilep

Maqedoni-Shqipëri 0-0

29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22.05.2012, Madrid

Shqipëri-Katar 2-1

27.05.2012, Stamboll

Shqipëri-Iran 1-0

15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

Bilanci i De Biazit

Në katër sfidat e para, bilanci i italianit është i suksesshëm: 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi (në një takim ku portieri Samir Ujkani priti dy penallti), fitoi 2-1 me Katarin në Madrid (me Bogdanin që u ngjit në kuotën e 16 golave) dhe 1-0 me Iranin në Stamboll (gol i Emiljano Vilës), si dhe barazoi 0-0 me Moldavinë.

Flamuri gjigant

Grupi i njohur “Tifozët Kuq e Zi” shpalosën një flamur gjigant shqiptar, me përmasa 30×10 metra, në kohën që u ekzekutua himni Kombëtar i Republikës së Shqipërisë. Në përfundim të tij, tifozët thirrën disa herë në kor “Shqipëri etnike, Shqipëri etnike!”. Gjatë gjithë ndeshjes, “ultrasit” kuqezinj nuk pushuan së mbështeturi ekipin. Thirrjet “Shqipëria, Kosova, Ilirida” ishin pjesës e kolonës zanore të tifozëve, ashtu sikundër thirrën në kor edhe emrat e lojtarëve.

Nderime për Medin Zhegën

Përpara fillimit të ndeshjes, u mbajt nga lojtarët e të dyja skuadrave, zyrtarët e takimit, si dhe nga publiku i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa”, një minutë heshtje në nderim të ish-sulmuesit dhe ish-trajnerit të Kombëtares, Medin Zhega, të ndarë nga jeta disa muaj më parë, për shkak të një sëmundje të gjatë. Të pranishmit nderuan me respektim më të thellë një nga figurat më të shquara të futbollit tonë, ndërsa rreth 5 mijë shikues thirrën në kor emrin e tij.

Champions për Femra

Ada, sot kundër Klaksvikut

Ada e Velipojës do të synojë sot ndaj Klaksvik të Ishujve Faroe,

për të korrur fitoren e parë në eliminatoret e Ligës së Kampioneve për femra, dhe për të harruar sado pak atë imazh të keq që krijoi pas dy humbjeve të thella: 14-1 me ukrainaset e Kharkivit dhe 2-1 me qipriotet e Apolonit. Takimi është i vlefshëm për grupin 6 eliminator.

Miqësore U-19

Sot “replay” Slloveni-Shqipëri

 Kombëtarja U-19 e Shqipërisë do të luajë sot në Lubjanë, ndeshjen e dytë miqësore në harkun e tri ditëve kundër Sllovenisë vendase. Në takimin e parë, skuadra e drejtuar nga Foto Strakosha, humbi me rezultatin e thellë 4-0, ndaj dhe besohet se sfida e dytë do të jetë një reflektim i kuqezinjve të vegjël, në prag të eliminatoreve të Euro U-19.