Shpëtim Duro: Na mungojnë tifozët, ne do fitojmë edhe për ta

762
Nga Agron KAJA
DEKLARATA/ Për ndeshjen e radhës me Vllazninë, trajneri i Flamurtarit shikon tri pikët e skuadrës së tij, me shpresën e mbijetesës
Në transfertën e Gjirokastrës në javën e 29-të, e prisnit se do të merrnit tri pikët?
Natyrisht që e prisja, sepse në çdo ndeshje unë pres të marr maksimumin nga skuadra, dhe fitorja jonë nuk ishte surprizë. Në çdo takim ne kemi merituar më shumë, por futbolli kështu është. Ishte një ndeshje e hapur që mund ta fitonte edhe Luftëtari, por edhe ne. Ndodhi kjo e dyta, pasi ne kemi qenë më superiorë dhe morëm tri pikët e duhura.

Me fitoren ndaj Luftëtarit, mendoni se ju rikthyet rivalitetit për mbijetesë?
Patjetër që po, sepse Flamurtari nuk mund të mendohej ndryshe, edhe pse në një ndeshje gabuam në rezultat. Gjithsesi, ka qenë një trepikësh me meritë në një ndeshje të hapur, dhe këtu përfitoj të ripërsëris mendimin tim se nuk u duhet besuar moviolistëve që sjellin situata të cilat edhe me rregullore nuk janë sikundër ata pretendojnë në ekrane. Gjithsesi, le të them se ata flasin sipas interesave.

Ndoshta barazimi i Laçit në Tiranë ju “penalizoi” barazimin me pikë nga ana juaj, ndikon kjo renditje?
Matematikisht kjo nuk ndikon, edhe pse realisht Laçi është 1 pikë para nesh. Edhe ata kanë synimet e tyre dhe nuk mund të flas se si e arritën atë barazim, sepse për ne rëndësi ka vazhdimësia. Ndeshjet tona janë si “finale”, dhe kjo fjalë për ne nuk është vetëm për të kaluar gjendjen, por është një objektiv i mbështetur në realitetin e skuadrës sonë me atë të Laçit.

Në ndeshjen me Luftëtarin keni konstatuar arbitrit, për të justifikuar maviolistët apo kështu e gjykoni ju?
Nuk është hera e parë që ata s’janë realistë në raport me Flamurtarin. Gati çdo javë ne kemi pasur kontestime për ta, ndërsa Luftëtari nuk ka pse të shqetësohet kaq shumë. Nëse do të fillojmë me dënimet, dihet që Flamurtari është skuadra më e dënuar në këtë sezon, që nga pikët e hequra, por edhe me penalltitë e padhëna. 

Mendoni që ta kaloni Laçin që këtë javë në renditje?
Ne shpresojmë shumë, por së pari na duhet të mendojmë për sfidën tonë me Vllazninë. Kemi një skuadër shumë të fortë, ndoshta nga më të mirat e këtij sezoni, dhe vlerësimi ynë do të jetë maksimal. Nuk duhet të gabojmë në asnjë nga ndeshjet e mbetura, prandaj edhe unë u shpreha më sipër se ato do të jenë secila si një finale më vete.

Nëse pas fitores me Luftëtarin ju afruat Laçit, pas ndeshjes me Vllazninë si i mendoni raportet me të në renditje?
Unë mendoj se bilancet mes nesh e Laçit do të bëhen në fund të Kampionatit. Edhe nëse nuk do të fitonim ne në Gjirokastër, do të ishim përsëri në lojë për mbijetesë, por kjo është një fitore që të jep edhe moral. Nuk duhet të kalojmë në vetëkënaqësi, pasi nuk kemi bërë asgjë, fituam një ndeshje dhe duhet që të jemi me këmbë në tokë. 

Sikundër është renditja, ju shikoni se rival për mbijetesë mund të jenë tre apo katër skuadra?
Unë nuk mendoj për më shumë, pasi do të luhen edhe shtatë javë dhe tri apo katër skuadra që do të luftojnë deri në fund. Me përjashtim të Luftëtarit dhe Vllaznisë, ndoshta të katërta skuadrat e tjera janë të rrezikuara për zonën e mbijetesës, e këtu Flamurtari do të gjejë veten dhe do ta kalojë këtë zonë të ftohtë.

Ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë do ta luani pa tifozë, mendoni se do të ndikojë kjo situatë në rezultat?
Natyrisht që një ndeshje pa tifozë nuk është pozitive për ne, sepse ata kanë qenë mbështetja jonë, kanë qenë superkorrekt. Provokimi i gjyqtarit në ndeshjen me Skënderbeun bëri që ne të dënohemi, dhe pa tifozë është një minus i madh për ne. Por, do të bëjmë maksimumin që këtë ndeshje ta fitojmë për tri pikët e domosdoshme dhe për tifozët tanë.

Keni ndonjë interes se cila skuadër mund të dalë Kampion këtë sezon?
Sinqerisht ju them se jam i përqendruar te drejtimi i skuadrës së Flamurtarit, dhe për vetë pozicionin që kemi në renditje, më shumë rëndësi u kemi kushtuar skuadrave rivale. Gjithsesi, duke qenë se ndeshemi me të gjitha skuadrat e Superiores, një njohje e kemi për secilën prej tyre. Këtë sezon unë shoh që janë tre skuadra në luftë për titullin kampion, dhe kjo është më e veçanta nga sezonet e tjera. Mes Partizanit, Kukësit e Skënderbeut le të dalë më e mira kampione.

Si ish-trajner me Kombëtaren, si e shikoni këtë skuadër pas ndeshjeve të Evropianit 2016?
Që Kombëtarja jonë shkoi në finalet e Kampionatit Evropian 2016, ky ishte një sukses, por që në këtë periudhë nuk e ka menaxhuar mirë situatën, ky mund të quhet passuksesi. Në eliminatoret për “Botërori 2018” në grupin G, nuk duket ende ajo kombëtare e dy viteve më parë, ndoshta se në grup kemi dy skuadra të mëdha: Italinë e Spanjën. Gjithsesi, kjo mund të jetë një periudhë rigjenerimi, për të bërë një skuadër më dinjitoze për ndeshjet eliminatore në Evropianin 2020.
Ndeshjet tona janë si “finale”, dhe kjo fjalë për, ne nuk është vetëm për të kaluar gjendjen, por është një objektiv i mbështetur në realitetin e skuadrës sonë me atë të Laçit. Nuk duhet të gabojmë në asnjë nga ndeshjet e mbetura, prandaj unë shpresoj, se ato do të jenë secila si një finale më vete


Ndeshjet-Java e 30-të
Të shtunën, 22 prill 2017
Korabi-Luftëtari 16:00
Flamurtari-Vllaznia 19:00
Të dielën, 23 prill 2017 
Kukësi-Tirana 16:00
Laçi-Skënderbeu 16:00
Partizani-Teuta 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Partizani 29 59
2.Kukësi 29 59
3.Skënderbeu 29 56
4.Vllaznia 29 37
5.Luftëtari 29 36
6.Teuta 29 32 
7.Tirana 29 32
8.Laçi 29 29
9.Flamurtari 29 28
10.Korabi 29 12
Pezullohen dy ndërkombëtarët, “katranosën” dy ndeshje
Një ditë më parë, në një takim me studentët e Universitetit të Elbasanit gjatë prezantimit të Akademisë së Arbitrimit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, midis të tjerave deklaroi

se, janë përcaktuar disa nga gjyqtarët të cilët janë vlerësuar që bëjnë veprime tendencioze për të prishur garën, ndaj dhe do të përjashtohen. Pas këtij paralajmërimi, dje vjen konfirmimi se, arbitrit ndërkombëtarë Lorenc Jemini dhe Andi Koçi pezullohen pa afat. Të dy këta arbitra nuk gjykuan në Kategorinë Superiore fundjavën e shkuar dhe në Kupën e Shqipërisë në mesjavë, pasi ishin vënë në qendër të kritikave për vendimet e tyre në takimet e dy javëve më parë, Partizani-Luftëtari dhe Kukësi-Vllaznia. Gjithsesi, le të themi se kur Duka lëshon “bombën”, ajo dikë do “vrasë”.
Flamurtari në KAS të Lozanës, nuk beson te FSHF-ja
Në FK Flamurtari, po bëhet si një telenovelë turke çështja e pagesës së prapambetur të ish-trajnerit të kësaj skuadre Ernest Gjoka. Duke mos e pranuar shumën prej 45 euro që këtij trajneri duhet t’ia paguante atëherë Bashkia e Vlorës, Admistratori Sinan Idrizi ka bërë hapin e fundit të kundërshtimit të vendimeve që trupat gjykuese në FSHF kanë dhënë muaj më parë. Kështu, klubi i Flamurtarit i është drejtuar KAS-it të Lozanës për të gjetur drejtësinë, pasi sipas vendimit në FSHF, Flamurtari rrezikon heqjen e pikëve për shkak të mospagesës së detyrimeve ndaj ish-trajnerit Gjoka. Me këtë kërkesë në këtë shkallë gjykimi, Idrizi dhe klubi vlonjat kërkojnë që të hiqet barra e rëndë financiare që u ka mbetur që nga administrimi i mëparshëm.
Faqe 20
PORTRET/ Pjesë nga jeta e karriera e një sportisti e trajneri, i cili ka lënë gjurmë në futbollin elitar shqiptar 
Sabri Peqini, Mjeshtër i Madh i futbollit tonë
Nga Mustafa BERATI
Sabri Peqini lindi në një periudhë tejet të vështirë, në një muzg dhjetori të vitit 1926 në fshatin Çepë të Belshit. Ninullë fëmijërie pati frushullimën e pandërprerë të valëve të liqenit Merhojës, që ishte 30 metra larg shtëpisë së tij. U rrit në një mjedis patriotik. E ëma, Shahe, i këngëzoi baladat e Belshit, ndërsa i ati, Haxhiu, një kryekomit i njohur i kohës së tij, kaliti shpirtin luftarak të të birit. Si çdo i ri, Sabriu ishte pak konfuz në fillim: do bëhej futbollist, aktor, apo muzikant? Ishte një dilemë e parakohshme, të cilën e zgjidhi pak më vonë duke i hyrë futbollit më me pasion se çdo ëndrre tjetër. Faktikisht, ai premtonte për futbollist. Dhe vërtet, ai i hyri kësaj ëndrre fillimisht pak me hezitim. Pastaj, dalëngadalë, duke u bërë pjesëtar i ekipit të “Dinamos” në vitin 1950 ku edhe shënoi golin e parë, i cili i dha dhe audicionin në këtë sport të mrekullueshëm, ku ai ka dhënë kontribut të vlefshëm qoftë si lojtar plot temperament, qoftë si trajner tepër taktik; loja e tij e pastër, e vrullshme e lidhi në ato vite me ekipin kombëtar. Luajti disa ndeshje kundër ekipeve më të njohura të Hungarisë, Rumanisë dhe Bashkimit Sovjetik, që, siç kujton tani, u bë një shkollë përvoje. 
Sabriu kishte mbaruar Normalen e Elbasanit. Në vitin 1950 me ekipin e “Dinamos” mori titullin e parë “Mjeshtër Sporti”. Duke parë këto rezultate tepër bindëse në futboll, e nisën me studime të mëtejshme në Hungari, ku pati fatin të njihej me futbollistin e madh të shekullit të tij, Pushkashin. Pas studimeve, nisi punën si trajner me ekipin e Elbasanit, të cilin me punën tij këmbëngulëse e nxori nga kategoria II në të I duke i dhënë këtij ekipi disa trofe bindëse. Rezultatet e tij mbresëlënëse me ekipin e Elbasanit qoftë si lojtar, qoftë si trajner ranë në sy për mirë. Për disa kohë punoi pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me figura të nderuara të futbollit si: Zyber Konçin, Zihni Gjinalin dhe Ilia Shuken. Më pas iu dedikua ekipit të mirënjohur të “Dinamos” si trajner të cilit i dha fitore kupash të vendeve të para në kampionatet e viteve 1974, 1975, 1976. Po për Sabriun këto suksese nuk do të kishin asnjë kuptim po të mos gjeneronin me vendlindjen e tij, Çepën. Nga Çepa, nga kaltërsia e Merihojës nisi, siç kujton ai, gjithë atë legjendë futbolli, që zgjati vite e vite dhe sot, tek i kujton, i ngjallin emocione: “Ëndërr pas ëndrre, unë erdha deri në këtë ditë. Bëj bilancin tim dhe ai më duket një rrugëtim i bukur, Mustafa, të cilën përpiqem ta konkretizoj në këtë tryezë si një gjë tejet të shënuar”. Dhe ai veçon si epilogun e kësaj ëndrre dhënien e titullit “Njeriu i Shekullit” nga Shoqata “Dumreja” në vitin 2005. “Por s’dua ta humbas rastin për të thënë se në vitin 2006 Presidenti Moisiu më akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. A ka kënaqësi më të madhe se kjo kur të vlerësojnë, të kujtojnë dhe të shpërblejnë me diçka shumë të bukur”, – më pyeti i emocionuar miku im. 
Këto vlerësime ishin meritë për të. Bashkëkohësit në kujtimet e tyre tregojnë se Sabriu në pozicionin e trajnerit nuk dallonte nga lojtarët e thjeshtë. Ai ishte komunikues me të gjithë. Kishte shpirt sakrifice dhe jetonte me shqetësimin e ekipit. Nuk i shikonte gabimet e momentit, por nxirrte në pah vlerat e gjithsecilit vlera të cilat i harmonizonte në stërvitje dhe ndeshje duke arritur rezultate pozitive. Mund të themi si ai në Elbasan, në qytetin e tij të lindjes, krijoi “shkollën e tij të futbollit”, shkollë që shërbeu edhe për brezat në vazhdim. Pastaj, ai shton i prekur thellë në shpirt, se: “… në vitin 2000, Presidenti Meidani më akordoi titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”. Përpos kësaj, do të theksoj edhe dy vlerësime të tjera: Në vitin 2003 u nderova me titullin “Nderi i klubit Dinamo”, dhe në vitin 2004 “Qytetar Nderi” i Elbasanit”.
Sabri Peqini
Viti i lindjes:1926/ Vendlindja: Belsh, Elbasan
Ka banuar: Nga viti 1927, familja e tij u internatua në Shijak nga Ahmet Zogu
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Skuadrat ku është aktivizuar: Erzeni 1946-1950; Dinamo 1950-1954
Tituj e trofe si lojtar: Më Dinamon: Titullin Kampion 1950, 1951, 1952, 1953; Kupën e Shqipërisë 1950, 1951, 1952, 1953, 1954
Me Kombëtaren: Luajtur në 3 ndeshje në periudhën 1950-1952
Arsimimi: Në periudhën 1954-1957 mbaron shkollën e fizkulturës në Hungari
Karriera si trajner: Elbasani 1957-1960; Dinamo 1974-1976
Tituj e trofe si trajner: Titullin Kampion në vitet 1974-1975, 1975-1976
Titujt e çmime nderi: Mjeshtër Sporti 1952; Mjeshtër i Merituar i Sportit 1970; Nderi i Sportit Shqiptar 2000; Nderi i klubit Dinamo 2002; Qytetar nderi i Elbasanit; Njeriu i Shekullit dhe Nderi i Dumresë; Mjeshtër i Madh i Futbollit nga presidenti Moisiu; Pllakatë mirënjohjeje nga FSHF në 80-vjetor; Medalja “Naim Frashëri”; Urdhëri i Punës i klasit të dytë; Trajner i Merituar dhe Trajner Kombëtar; Trajner i ekipit kombëtar Shpresa dhe i Kombëtares ë të Rinjve
Sigal